Mirëqenie

April 7, 2016 | 8:17

Frikërat nga shtatzënia

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Përgatitja mendore:

Çfarë duhet të dimë që para se të sjellim në jetë një fëmijë? Sa ndryshime do pësojë trupi im? A do të më ndryshojë mënyra e jetesës? Sa kohë do kem për veten time? Si do t’i përballoj të qarat e fëmijës? A do ta përballoj zgjimin natën? Këto dhe qindra pyetje të tjera do të lindin natyrshëm te çdo prind femër gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë. Shihni më thellë brenda vetes. Shtatzënia, sidomos për herë të parë te femra, shoqërohet me ndryshime fizike dhe ngarkesa psikologjike, të cilat duhen pasur parasysh. Qëllimi kryesor për frikërat nga shtatzënia është përgatitja psikologjike për identitetin si nënë, apo si grua. Për arritjen e këtij qëllimi kërkohet përdorimi i një metode, e cila përfshin arsye të forta për të përballur depresionin gjatë shtatzënisë dhe një mënyrë shumë e mirë është që të mendoni se çfarë do të fitoni pas lindjes: Do të bëheni nënë!

Bëjini vetes këto pyetje:

• Sa e përgatitur jeni ju për t’u bërë nënë?

• Si mendoni se do të jeni si nënë?

• Si e mendoni një “nënë të mirë”?

Mundohuni të kërkoni dhe të zbuloni në historinë tuaj familjare. Rikujtoni e reflektoni për lidhjen tuaj me nënën, për marrëdhëniet tuaja me të afërmit dhe ato në çift (martesore). Të gjitha këto do të jenë pjesë e rëndësishme e përgatitjes suaj psikologjike për t’u bërë nënë. Ndonjëherë, trajtimi i depresionit pas lindjes i referohet dhimbjes së lindjes, por që mund të kapërcehet nga nëna, kur ajo e lidh atë ngushtësisht me marrëdhënien që do të krijojë ajo më vonë me fëmijën. Depresioni pas lindjes shpesh vjen pas depresionit të shtatzënisë, i cili u paraprin ndryshimeve të rëndësishme që do të vijnë.

Bëjini vetes këto pyetje:

• Si ka qenë apo si është marrëdhënia juaj me nënën tuaj?

• Si do të dëshironit të ishte nëna juaj?

• A jeni trajtuar ju nga nëna juaj ashtu siç do të kishit dëshiruar?

• Cilat janë frikërat tuaja?

Merrini seriozisht nevojat tuaja. Kjo mund t’ju ndihmojë t’u paraprini nevojave tuaja si nënë. Kujdesuni për veten tuaj, duke kërkuar nga të tjerët mbështetje apo ndihmë për kryerjen e punëve të shtëpisë apo për zgjidhjen e problemeve të tjera (që kanë të bëjnë me marrëdhëniet familjare) që dalin gjatë shtatzënisë.

Bëjini vetes këto pyetje:

• Për çfarë keni nevojë që të mund të jeni një prind i mirë për fëmijën tuaj?

• Çfarë do të ishit të gatshëm të sakrifikonit për të pasur një fëmijë?

Depresioni pas lindjes është po aq i rëndësishëm sa edhe frika nga shtatzënia sepse luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e nënës, e cila prek rreth 10% të grave për pothuajse një javë pas lindjes. Meqenëse është një çrregullim i zakonshëm, vetëm gjysma e femrave ndiejnë nevojën e ndihmës mjekësore. Çrregullimi shoqërohet me gjendje jo të mira humori dhe shpesh shoqërohet me lëvizje të tij (humorit). Këto ndryshime të shpeshta dhe të zgjatura të humorit nuk duhet të ngatërrohen me eksperiencën e mrekullueshme të sjelljes në jetë të një foshnje. Cilat janë mënyrat e mundshme të trajtimit për depresionin pas lindjes? Shenjat e lehta mund të zhduken brenda një periudhe njëjavore, përmes një trajtimi mjekësor. Për shqetësime më të zgjatura kërkohet këshillim psikologjik, psikoterapi dhe mjekim. Ky i fundit zakonisht jepet me tableta kundër depresionit, që nuk krijojnë varësi për një periudhë prej një jave deri në një muaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top