Studim

June 18, 2020 | 8:12

Frojdi për Dostojevskin! Interpretime mbi teorinë dhe kritikën psikoanalitike

Qamil Gjyrezi, lektor i psikologjisë aplikative dhe terapisë së artit

Psikoanaliza merret me studimin e personalitetit, me dukuritë psikike që bëhen objekt analize për njohjen e vetes, pra për një analizë mbi unin individual dhe përfshin ndikimet e pandërgjegjshme të nxitjes psikike. Kjo teori mbështetet në përleshjen midis formave te vetëdijes dhe te pavetëdijes.

2

Frojdi u mor me çështjen e psikoanalizës së letërsisë dhe të artit. Ajo që lidh psikoanalizën me letërsinë është lidhja e subkoshiencës me mënyrën e të shprehurit. Për herë të parë në të gjithë historinë e psikologjisë botërore Frojdi formuloi një teori të qartë dhe kompakte për personalitetin njerëzore. Sipas tij, personaliteti i njeriut influencohet nga dy faktorë të rëndësishëm: fëmijëria e hershme dhe instinktet e trashëguara.

Subjekti njerëzor shfaqet si një subjekt i dyzuar, ambivalent, mes vetëdijes e pavetëdijes dhe rruga që të çon tek pavetëdija është ëndrra. Gjatë vrojtimeve të veta Frojdi kupton gjithashtu se ëndrra që deri atëherë konsiderohej një tërësi rastësore figurash, është e lidhur drejtpërdrejt me thellësitë e jetës së individ: në ëndërr individi i çliruar nga një sërë kushtëzimesh, shpreh në mënyrë pak a shumë të hapur dëshirat dhe problemet e tij. Kur dëshira përpiqet të çlirohet nga pavetëdija dhe bëhet e vetëdijshme, kjo tregon se prapa saj fshihen konflikte të pazgjidhshme, të cilat duhet të kërkohen që në fëmijëri.

Letërsia dhe psikoanaliza

Midis letërsisë dhe psikoanalizës ekziston një lidhje e vetëdijshme dhe kritika letrare psikoanalitike na ndihmon që të kuptojmë se si janë formuar tekstet letrare duke zbuluar kuptimet e fshehta të tyre. Frojdi i kushton rëndësi në studimet e tij në fushat e artit dhe letërsisë paraqitjes psikoanalitike të shfaqjes së autorit në vepër dhe analizon simptoma te pavetëdijes në art.

Arti është si neuroza dhe fantazia është shtysë që shkrimtari të shkruaj sepse si një formë e artit na tregon rrugën e vërtetë drejt realitetit. Pra artisti i drejtohet fantazisë që të zbusë ëndrrat duke eliminuar ndrydhjen në të pavetëdijshme dhe duke sjellë si rezultat shijimin e kënaqësisë së ndaluar nga lexuesi.

Vepra letrare ashtu si ëndrra analizohet e deshifrohet duke sjellë elementet që kanë ndihmuar në krijimin e tekstit pra duke gjetur kuptimin e nënkuptimin si dhe duke zbuluar psikologjinë e krijuesit të vet. Krijohet kështu një nëntekst i veprës dhe kritiku letrar ka si detyrë të gjejë kuptimin e nënkuptuar.

Ai synon të zvogëlojë zonat e errëta të jetës së njeriut, që shfaqet në vepër dhe gjurmon brenda tekstit për t’ia lidhur këtë me ndërgjegjen e autorit. Vepra e artit ashtu si ëndrra ka si qëllim kënaqësinë e fshehtë të një dëshirë fillestare të ndaluar e të mbyllur në subkoshiencë. Kështu që psikoanaliza për të kuptuar tekstin, depërton në të kaluarën e në origjinat e tyre për të qartësuar në këtë mënyrë pasojat.

Rrëfimi interpretohet me anën e “trillit” duke nxjerrë në pah dëshirën e cila përpiqet të jetë e çliruar nga pavetëdija dhe të bëhet e vetëdijshme megjithëse ndihet e shtypur. Prandaj edhe ëndrra shërben si mekanizëm për përmbushjen e kësaj dëshire të shtypur.

Shoqëria njerëzore, por në mënyre të veçantë jeta private e një individi mbart mbi vete të fshehta e çrregullime psikike. Prandaj psikoanaliza për t’i zbuluar gjurmët e këtyre çrregullimeve mbështetet tek ato elementë apo dukuri që në pamje të parë duken të parëndësishme por në të vërtete mund të jenë çelësi që “ndrydh” të vërteta të rëndësishme.

Këndvështrimi psikoanalitik na bën të qartë rolin kryesor që luan subkoshienca në këto analiza duke i lënë mënjanë anën materiale të veprës letrare si dhe faktorë estetik.

1Analizë Psikologjike “Dostojevski dhe aktvrasja”.

Katër fasadat e personalitetit të Dostojevskit sipas Frojdit janë: Krijuesi letrar, neuritiku, etisti dhe mëkatari.

Etisti: I moralshëm është njeriu që reagon ndaj tundimeve pa rënë pre e tyre. Në rastin e Dostojevskit edhe pse ka momente të rënies së veprimtarisë intelektuale, për të shumtën e rasteve njihet fakti, ku vuajtja, sëmundja nuk munden të dëmtojnë arritjet e larta krijuese të tij.

Epilepsia shkaktohet si rezultat i çrregullimeve të veprimtarisë së trurit dhe si rezultat i zotërimit të pamjaftueshëm të energjisë shpirtërore. Reaksioni epileptik ka të bëjë me eliminimin në rrugë somatike të masave të ngacmimit, të cilat nuk përballohen psiqikisht.

Kriza epileptike është simptomë e jashtme e histerisë.

Epilepsia organike, personi është i sëmurë në tru.

Epilepsia afektive, personi është neurotik.

Dostojevski vuan nga epilepsia afektive (neurozë).

Shqetësimi i tij e ka prejardhjen në fëmijërinë e hershme, në ndjenjat ambivialente në lidhjen me të atin.

Por më kompleks është biseksualiteti i tij. Frika e tredhjes nga babai (stadi fallik) e çon atë në rolin e të ëmës dhe përpiqet të fitojë dashurinë e të atit. Por nga ana tjetër, djali biseksual e pranon edhe tredhjen nëse pranohet nga babai si femër. Urrejtja nga njëra anë ndaj të atit dhe dashuria për të nga ana tjetër bien në kthetrat e shtypjes. Ajo që e bën më të pranueshme urrejtjen ndaj babait është frika e tredhjes, që është e tmerrshme qoftë si dënim, qoftë si çmim i dashurisë.

Përforcimi patogjen dhe prirja biseksuale e Dostojevskit!

Përforcimi patogjen vjen nga frika prej qëndrimit femëror. Por prirja biseksuale bëhet një ndër përforcimet e neurozës.

-Unit (identifikimi me babanë), i kundërvihet Mbiuni sadist dhe i ashpër duke çuar kështu në krijimin e një Uni mazokist.

-Personaliteti mazokist i Dostojevskit, shpjegohet si rezultat i pranisë në të të cilësive femërore.

-Simptomat e vdekjes për Unin janë përmbushje e fantazisë, dëshirës mashkullore, por njëkohësisht edhe kënaqësi mazokiste. Mbiuni shpreh simptomat e vdekjes; dëshirën e ndëshkimit të tjetrit; dëshirën sadiste.

Kontradiksioni i këtyre dy instancave (Un dhe Mbiun) dhe karakteri i ashpër i babait, i cili nuk ndryshon kurrë çojnë në epilepsi të tij.

-Dostojevski pranon dënimin politik pa faj vetëm e vetëm për të marrë atë që ndërgjegjja e tij meritonte, pasi ai me fantazinë, dëshirat e tij kishte kryer një krim, kishte vrarë të atin.

Pra ai ishte ndëshkuar, për atë “Faj”. Me këtë shpjegohet edhe fakti i mungesave të krizave gjatë burgut.

-Dostojevski identifikonte veten me Krishtin vetëflijues dhe lëkundej mes besimit dhe ateizmit.

-Simpatia e Dostojevskit është e pa fre. Ai e quan atë si shpëtimtar, i cili merr mbi vete fajin që duhej t’ia merrnin te tjerët. Por kjo duhet parë në aspektin negativ, sepse kemi të bëjmë me krijuesin letrar e ngarkuar nga vetëdija e fajit.

-Loja e kumarit ishte për të rruga e ndëshkimit të vetes dhe vetëm kur ai i humbiste të gjitha, vetëm atëherë demoni tërhiqej nga shpirti i tij dhe i linte vendin gjeni. Nëse vesi i të luajturit kumar bashkë me përpjekjet e pasuksesshme për ta lënë atë dhe bashkë me rastin për vetëndëshkim, është një përsëritje e shtysës për onanizëm, atëherë nuk duhet të çuditemi që ky ves zë një hapësirë kaq të madhe në jetën e Dostojevskit“. (Frojd f. 31)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top