Këshilla & Arsye

January 20, 2020 | 8:11

Fundi i një divorci të shëmtuar

Ndarja nuk ka pse t’ju lërë të shkatërruar dhe ekspertët martesorë përshkruajnë se si është rritur numri i çifteve që divorcin e shndërrojnë në një betejë të vërtetë lufte.

1

Në Amerikë, fatmirësisht, ka një tjetër mënyrë që po bën jehonë për sa i përket divorcit. Bashkëshortët kanë më tepër tendencën të zgjedhin “ndarje me vetëdije”, një terapi e ndjekur dhe bërë e njohur gjerësisht në botë nga aktorja Gwyneth Paltrow dhe Chris Martin, në mënyrë që të ndahen me respekt. Kjo terapi sugjeron se t’i mbijetosh fjalës me D (apo ndarjes pas një lidhjeje të gjatë dhe serioze) dhe të mbetesh mik me ish-in nuk është e thjeshtë. Por, në fund, rezultatet janë tejet shpërblyese.

Zgjidhni të jeni civilë

Kur Katherine Woodward Thomas, një terapiste martese dhe familjeje në Los Angelos kuptoi se martesa e saj 10-vjeçare kishte përfunduar, ajo e dinte se nuk dëshironte të përshkonte rrugën e zakonshme të divorceve plot kaos ku kishte qenë dëshmitare dhe për të cilat kishte dhënë këshillimin e saj si terapiste.

Ndaj, ajo u ul me bashkëshortin e saj dhe diskutoi se si do të ndaheshin në mënyrën më të drejtë. “Ne thamë se kjo është mënyra se si do të zhvillohet ndarja jonë. Do të jemi të drejtë dhe do të tregojmë respekt për njëri-tjetrin”, kujton Thomas.

Sigurisht, jo çdo martesë apo lidhje e gjatë përfundon në këtë mënyrë. Nëse keni përjetuar tradhtinë, gënjeshtrat, neglizhencën në lidhjen tuaj, me shumë gjasa, më shumë do të donit t’i thyenit ndonjë pjatë në kokë njëri-tjetrit se sa të uleni e të bisedoni qetësisht. Por, nëse keni fëmijë, bashkëdrejtoni një biznes, jetoni në të njëjtën shtëpi apo qytet, keni të njëjtin grup shoqëror është me vlerë të konsideroni një tjetër nivel bashkëbisedimi kokë më kokë.

Si të ndaheni butësisht

Nëse kërkoni që t’i bëni gjërat miqësisht, muajt që ju ndajnë mes kërkesës për divorc dhe praktikat e divorcit bëhen zyrtare janë thelbësore, thotë Thomas, e cila ka shpikur termin “ndarje me vetëdije”, pasi divorci i saj u mbyll kaq mirë e me sukses. “Jepini njëri-tjetrit hapësirë dhe kohë për të përballuar emocionet e forta, – shpjegon ajo. – Pastaj komunikoni në një mënyrë më formale dhe të respektueshme, për të evituar dëmtimin e fëmijëve dhe të njëri-tjetrit”.

Ajo i çon klientët e saj nëpërmjet një forme terapie ku përfshihen ndjenja të sinqerta dhe ku të dy palët bashkohen për të mësuar se si t’i kontrollojnë ndjenjat, kuptojnë se cili është roli i tyre në marrëdhënien që nuk ka funksionuar dhe, në fund, e falin njëri-tjetrin për të filluar kështu një tjetër lidhje jo dashurore në të ardhmen. (Mund ta bëni këtë gjë edhe nëse nuk keni qenë të martuar.) “Në fillim të gjitha çiftet mendojnë: ‘ne duam një marrëdhënie të bukur, në mënyrë që të zgjidhim problemet tona’ – pohon Thomas. – Ndërsa në fazën e divorcit shprehja ka ndryshuar: ‘ne kemi qëllime të ndryshme dhe nuk mund t’i anulojmë zgjedhjet që kemi bërë në jetë, por le ta respektojmë njëri-tjetrin tani e tutje”.

Me t’u qetësuar ndjenjat negative, praktikat ligjore mund të shndërrohen në relativisht të lehta. “Nëse e dini se çfarë doni, mund të bini dakord se kush do të marrë çfarë dhe mos u paraprini sherreve për fëmijët. Kini parasysh se fëmijët janë të të dyve, ndaj mundohuni të jeni prindër të mirë dhe, pse jo, më partnerë e bashkëshortë. Partneriteti duhet të ekzistojë sidomos për mirëqenien e fëmijëve”.

2

Hiqni unazën e buzëqeshni

Një nga detyrat e fundit që duhet të bëni pas ndarjes paqësisht? Informoni të gjithë familjarët dhe miqtë. “Ju nuk dëshironi që të gjithë të afërmit ta gjejnë vetë mënyrën se si të përballen me këtë vështirësi”, thotë Thomas. Ndaj, kur të keni ndarë mendjen për t’u divorcuar apo për t’u ndarë me partnerin, shkoni tek të afërmit dhe shpjegojuni këtë marrëveshje të re dhe që jeni që të dy dakord për këtë gjë. “Jepuni atyre lejen që t’ju përfshijnë dhe të jenë të ndershëm me të dy ju.

Nëse çdo gjë shkon ashtu siç duhet, ndoshta vitin tjetër do të jetë të dy në të njëjtën tryezë së bashku me miqtë e përbashkët apo familjarët. Unë ende shkoj në shtëpinë e prindërve të mi për pushime së bashku me mamanë time, bashkëshortin e saj, babanë tim, gruan e babait tim dhe fëmijët e saj. Duhet pak kohë për ta pranuar këtë gjë, por sigurisht ne jemi një familje. Nëse e dëshiron këtë gjë, ndihmon shumë për të kuptuar se cilën rrugë do të ndjekësh më pas në jetë. Familja është baza e shoqërisë, ndaj nuk ka rëndësi të përfshijmë inatin brenda saj”. Jepini njëri-tjetrit hapësirën dhe kohën për t’u përballur me emocionet e forta.

Para se të thoni “Nuk dua”

Ju ndoshta mendoni se gjysma e martesave përfundon gjithsesi në divorc, ndaj pse duhet të përpiqem që ajo të funksionojë? Por, mos i lini këto mendime t’ju bindin, sepse është e gabuar. Sipas vëzhgimeve më të fundit të “Census Bureau”, 71% e femrave që janë martuar vetëm një herë në jetë mbeten të lidhura me bashkëshortin e tyre. Ndaj, bëjini vetes një nder: Hiqni dorë nga përllogaritjet e gabuara dhe mendoni në mënyrë më optimiste. Shumica e lidhjeve nuk janë të destinuara të përfundojnë keq. Shumë çifte u kanë mbijetuar problemeve në martesë nëpërmjet një rruge të gjatë shërimi. Ndaj edhe ju mundeni ta bëni këtë gjë.

Përgatiti Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top