Pushimet na mësojnë të kuptojmë se çfarë është lumturia ose të mësojmë të jetojmë me përparësi e jo me ngutje e frenetizëm. Për t’i shijuar sa më shumë pushimet mund të ndryshojmë disa zakone të përditshmërisë, por gjithçka varet nga personaliteti ynë…
Deti dhe plazhi janë sinonimi i pushimeve. Por në mes të rrëzëllitjes dhe djersitjes nga vapa, është nevoja absolute edhe për të çliruar mendjen. Të qenit “të burgosur” në nxehtësinë e monotoninë e qytetit, stina e verës mund të jetë një sezon djallëzor e aspak interesant. Por bashkë me të, në këtë periudhë më shumë se kurrë favorizohemi nga një pushim dyjavor larg nga realiteti, i cili ndihmon që muajt e verës t’i kalojmë sa më këndshëm për t’u mbajtur mend gjatë të gjithë vitit. Është e vërtetë që të shkosh me pushime sjell shumë përfitime edhe nga këndvështrimi psikologjik, por nuk ekziston asnjëherë ideja që këto pushimeve verore të jenë perfekte për të gjithë. Natyra e pushimeve që çdokush do t’i dëshironte, ndryshon në bazë të personalitetit të individit. Në fund të fundit, të qëndruarit vetëm në një ishull të paeksploruar do të ketë një efekt ndryshe tek dikush që ka humbur njeriun e shtrenjtë, ka pasur ngarkesa në punë e dëshiron më shumë se kurrë paqen pas një viti të lodhshëm. Filozofi Alain de Botton në librin e tij “Arti i udhëtimit”, e çon në ekstrem idenë e tij. Ai i mëshon faktit se, ne duhet të kemi në mënyrë ideale “agjentët psikoterapeutikë të udhëtimit”, të cilët mund të na ndihmojnë të kuptojmë atë që duam vërtetë nga pushimet. Kjo për të shmangur ato lloj pushimesh në plazh që janë të lodhshme apo ato udhëtime romantike që nuk kanë asgjë të tillë: me pak fjalë, pushime që psikologjikisht vërtetojnë zgjedhjen e gabuar”.
Pse na pëlqen të udhëtojmë?
Filozofi Alain de Botton liston një numër të destinacioneve të zgjedhura në bazë të nevojave psikologjike. Ai rekomandon vende me pak ngarkesë fizike dhe emocionale, pak të zhurmshme dhe afër qytetit tuaj, parë kjo në këndvështrimin e personaliteteve të ndryshme mes individësh. Ai rekomandon plazhin Pefkos në Rodos, aty ku është shumë nxehtë për të lexuar apo për të menduar, si vend i përkryer për t’u çliruar nga ankthi. Ose Capri në Changi Airport Singapor, një vend i mirë për të menduar. Ose akoma më ndryshe, si një balsam kundër pakënaqësive është edhe Comuna 13 në Medellin, Kolumbi, ku edhe “një stilolaps, pak pastë dhëmbësh, çarçafë të pastër dhe një derë e kyçur janë një luks i vërtetë”.
Edhe pse këshilla e De Botton mund të mos jetë një udhëzues i pagabueshëm për këdo, psikologja Linda Blair, autore e librit “The key to malm” (Sekreti i qetësisë), pajtohet me parimin e përgjithshëm dhe sugjeron për njerëzit e stresuar se duhet të marrin ca më shpesh pushime të shkurtra, në vend që të bëjnë pushime të gjata. “Ekzistojnë mënyra të mira për të udhëtuar, të afta për t’i shëruar njerëzit. Kjo sepse duhen ulur shpesh nivelet e larta të kortizolit, hormonit që shkakton stres”, shpjegon ajo. Kush vuan nga ankthi duhet të kthehet në vendet e njohura, sepse “të gjitha ndryshimet shkaktojnë stres, qoftë edhe ato pozitive”. Pra, një person i cili sapo ka dalë në pension, ndoshta duhet të vendosë të marrë disa pushime. Blair i mëshon arsyes se “shërbejnë tri javë për të thyer rutinën dhe një pushim i gjatë mund t’i çlirojë pensionistët nga zakoni i zgjimit në një kohë të caktuar me idenë e ikjes për në punë. Kështu kur të kthehen në shtëpi, do të jenë gati për të filluar një jetë të re”. Në fund, edhe nëse nuk ekzistojnë pushime unike për të gjithë njerëzit që ndodhen në një gjendje të tillë, Blair sugjeron se ata që kanë përjetuar vetëm humbje, duhet të shkojnë me pushime në vendet ku ndërveprimet sociale janë të kufizuara.
Për shembull, një person që jeton në Londër mund t’i bëjë pushimet në Paris, duke kaluar thjeshtësisht një javë të qetë, i ulur në kafene. “Një vend ku ju mund të vëzhgoni thjeshtësisht jetën, të buzëqeshni e të merrni kënaqësi të tilla edhe nga njerëzit e tjerë, pa patur nevojë të bëni shumë sforco”, pohon Linda Blair. Judie Fein, shkrimtare, e cila është marrë me aspektet psikologjike dhe transformuese të udhëtimit, është një mbështetëse e udhëtimeve të organizuara, të tilla si ato me anije në det për personat e stresuar, dhe kufizim të rreptë për të lexuar email-et. Njerëzit janë në depresion, megjithatë, mund të vendosin të bëjnë pushime që përfshijnë veprimtari të lehta fizike, ndoshta të kombinuara me elemente shpirtërore të tilla si, joga apo meditim, ose të bëjnë punë vullnetare. Ajo argumenton se pushimet nuk janë absolutisht të ngjashme dhe se ka mënyra të mira për të udhëtuar, të afta për t’ju shëruar mendërisht. Mbi të gjitha, pushimet nuk janë një luks, por një nevojë, sipas saj.
“Jetët tona janë krejtësisht të lira dhe pushimet janë mënyra më efektive për të ndryshuar ritmin e jetës sonë, duke ekspozuar zemrën dhe mendjen për gjëra të reja dhe për t’i dhënë një perspektivë të re”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.