Në fokus

March 22, 2017 | 12:03

Fuqia e virtualitetit

Nëse do të dish ku ndodhet një vend, një dyqan, rrugë, institucion, qytet apo shtet, fare thjesht klikojmë në internet dhe e gjejmë me lehtësi. Deri diku na duket sikur njohuritë tona për hapësirën gjeografike duken të panevojshme kur e kemi lënë veten në dorë të virtualitetit. Ndalojmë kohën duke shkrepur foto dhe ia vendosim memories së celularit. Telefonojmë njerëz dhe flasim me ta sikur të ishin fare pranë. Bëjmë blerje diku duke mos lëvizur nga shtëpia jonë. Bëhemi opinionistë duke shprehur idetë tona me komente nëpër rrjete sociale. Mund të komunikojmë nëpërmjet këtij rrjeti optik me miken, shefen e punës, kushëririn larg vendit, apo dhe me personat me poste nëse duam. Tani më shumë se kurrë jemi të vetëdijshëm që komunikimi është thelbësor tek individi dhe sa vjen e më tepër po përsosen mjetet e tij. Madje, të komunikosh do të thotë të kesh të bësh me objekte, marrëdhënie sociale dhe sisteme politike. (Maigreit. E)

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Nëse do ktheheshim prapa në kohë dhe të kujtonim veten tonë dhe mënyrën  e të jetuarit, do të na duket primitive dhe e vështirë. Duke filluar kryesisht pas vitit 2000, interesi për teknologjinë filloi të hidhte hapat e para  pavarësisht se përdorej vetëm nga 0,1% e popullsisë, ndërsa viti 2012 shënoi një rritje të konsiderueshme me 48.1% e popullsisë (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit). Sipas disa studimeve të tjera në lidhje me akcesin në internet, faqa Internet Ëorld Stats, ka publikuar listën e përdoruesve të rrjetit ku Shqipëria vitet e fundit rezulton me  62.7% të popullsisë.

Tashmë jemi të vetëdijshëm që me një të shtypur të butonave japim komandën që duam. Në këtë mënyrë vetja na duket e fuqishme, mbinjerëzore dhe krenohemi që bëjmë pjesë e kësaj epoke të ndritur. Deri tani e kemi kuptuar që virtualiteti na jep mundësi të shumta, por sigurisht duke i marrë ne konsideratë edhe pasojat e saj. Kushdo mund të shprehet dhe të shkruajë pavarësisht se jo të gjithë mund të bëhen poetë.  Me anë të rrjetit optik ne mund të flasim, të njohim, dashurojmë apo edhe urrejmë këdo dhe kurdo. Virtualiteti është një magji më vete. Ka një lloj frymëzimi vetëm kur e mendon. Nuk e kupton tamam si vihen në funksion mekanizmat brenda saj, por di si ta përdorësh atë. Virtualiteti të lë pa gjumë sepse mezi pret të zgjohesh dhe të lexosh, të përthithësh, të përgjosh.  Megjithatë në fund të fundit bëjmë të njëjtën gjë si më parë, por tashmë i kemi lehtësisht të arritshme fare pranë, ulur në divan, në zyrën e punës, duke ecur në autobus rrugës për në shtëpi. Gjithashtu, nuk mund të harrojmë që virtualiteti të bën miqësor me njerëz që kurrë nuk do kishe shanse t’i njihje. Sheh dhe ndjek nga afër njerëz të rëndësishëm që më parë të dukeshin një jetë larg. Tashmë mund të kuptosh që edhe ata janë ashtu si edhe ne, njerëzor pavarësisht të tjerave. Sigurisht që virtualiteti të bën edhe armik se ndodh që fjala shkon me shpejt se mendimi jot. Tjetri e mbyll bisedën me një buton dhe nuk të lë shpjegime të mëtejshme. Në internet mund të njohësh edhe njerëz që më parë nuk e mendoje që mund të ekzistonin dhe kishe frikë se i tillë ishe veç ti. Ndaj virtualiteti është dhe mbështetje për të përmbushur nevojën tonë për të gjetur të ngjashmin.

1

Po ashtu virtualiteti është fuqi dhe të bën ndonjëherë të eksperimentosh me veten. Sigurisht të jetosh në këtë botë sot nuk është më si më parë dhe na duhet më shumë sforco dhe të jemi të përgatitur për çdo ngjarje. Duke qenë se jemi njerëzor kemi nevojë për zhvillim të vazhdueshëm në jetën tonë ndaj zhvillimi i teknologjisë është dhe i pashmangshëm. Ajo tek e cila duhet të ndalemi të gjithë është të kuptojmë që virtualiteti nuk emancipon, por thjesht pasqyron atë që realisht ndodh në shoqëri. Duhet ta pranojmë që interneti i ka të gjitha dimensionet. Ai nxit dhunën por pse jo dhe dashurinë.  I gjithë ndryshimi është që ka disa njerëz që përdorin virtualitetin ka të tjerë që virtualiteti përdor ata.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top