Mbrojtja e fytyrës nga dielli
Lida Hoxha përcjell për të gjitha lexueset e revistës disa këshilla të dobishme për mbrojtjen e fytyrës në stinën e verës duke vlerësuar faktorin moshë dhe tipin e lëkurës. Mbrojtja në varësi të lëkurës: Lëkurat e ndjeshme dhe të thata janë më të rrezikuara nga prania e diellit. Por dielli nuk është i vetmi faktor negativ që cenon freskinë e lëkurës në fytyrë. Në llojin e lëkurave të ndjeshme futen tipat e lëkurave që reflektojnë ndryshime edhe si pasojë e emocioneve që përjetojmë, si pasojë e abuzimit të tepërt me alkoolin, duhanin etj. Mënyra e jetesës, mënyra e të ushqyerit, e në këtë pikë Lida Hoxha sugjeron një dietë të shëndetshme ushqimore. Sa më pak ushqime pikante e sa më pak të skuqura, ndërkohë që konsumimi i ujit duhet të kthehet në një ritual të shpeshtë ditor për femrat sot. Sallatat e ndryshme dhe frutat duhet të jenë pjesë e një diete ushqimore për të pasur një lëkurë sa më të re dhe elastike. Doktoreshë Lida shpjegon se vetëm 5% e lëkurës që kemi që nga lindja mbetet e pandryshueshme, që do të thotë se gjatë gjithë jetës sonë duhet treguar mjaft kujdes për mënyrën si ushqehemi, ekspozimi ndaj diellit ndër vite, për të mbajtur gjallë një lëkurë shumë të ngjashme me lëkurën tonë të freskët si në vogëli. Mbrojtja, në varësi të grupmoshës: Vendi ynë ka diell thuajse përgjatë 9 muajve të vitit, dhe për këtë arsye njerëzit nuk duhet ta neglizhojnë mbrojtjen e lëkurës me krem mbrojtës me SPF të lartë, që duhet të variojë nga 30-50. Më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të rriturit. Për fëmijët duhet treguar një kujdes serioz, pasi neglizhenca në përdorimin e kremrave mbrojtës në këtë moshë do të japë pasoja negative në lëkurën e tyre pas disa viteve, në moshë të rritur, duke shfaqur njollat në fytyrë, nishane në trup etj. Këshilla kryesore për femrat është kujdesi që ato duhet të tregojnë kryesisht për fytyrën, dekoltenë, qafën dhe duart. Hidratim me krem në mënyrë të pakursyer.
Për fytyrën para plazhit
Kremra hidratues, duke u dhënë përparësi produkteve natyrale pa aromatizues dhe konservues. Mund të përdoren mjaft mirë maskat hidratuese në kushtet e shtëpisë vetëm një herë në javë. Kohët e fundit ka filluar të aplikohet biostimulimi, që është një nga tendencat më të reja emergjente në mjekësi për t’i dhënë fytyrës një pamje më të re, mbi të gjitha në periudhën e streseve të mëdha dhe në ndryshimin e stinëve. Biostimulimi është një trajtim mediko-estetik, i cili konkurron sot kirurgjinë plastike për të rikuperuar dhe mirëmbajtur rininë e lëkurës nëpërmjet përdorimit të formulës së acideve natyrale. Kujdesi i mjekut: Ai bën të mundur përcaktimin e tipit të lëkurës dhe nëse është e nevojshme, të kryhen hidratime më të thella me maska speciale. Në gjuhën e mjekësisë estetike moderne, mezoterapia shërben si një terapi speciale (ushqyerja e lëkurës në 3 nivelet e saj) me qëllimin për të rritur rezistencën e lëkurës për një fytyrë të pastër dhe elastike. Injektimi i plazmës, një terapi e cila aplikohet edhe në klinikën e saj dhe që konsiston në marrjen e një sasie gjaku nga trupi dhe injektimi i tij në pjesët e duhura të trupit. E thënë ndryshe, terapia e rigjenerimit me vetveten. Kjo terapi jo vetëm e rigjeneron lëkurën, por e përgatit atë për tre muajt e verës. Plazma ka efekt tonifikimi dhe rrit rezistencën e lëkurës sonë. Lëkura jonë pëson tharje me kalimin e viteve. Si duhet të veprojmë? Dieta ushqimore është çelësi i suksesit! Të konsumojmë sa më shumë ujë, lëngje pa sheqer dhe të ushqehemi shëndetshëm duke konsumuar fruta deti, perime dhe sallata të ndryshme, pa harruar frutat të gjitha në diversitetin e tyre në varësi të stinëve.
Për trupin para plazhit
Vera po afron dhe pasqyra nuk gënjen! Kujdesi që duhet të tregojmë në stilin e të ngrënit nuk reflektohet vetëm në fytyrë, por edhe në trupin tonë. Krahas kësaj, trupi ynë ka nevojë për nxitje të jashtme siç mund të jenë aktiviteti fizik, ecja sportive, shëtitjet në ajër të pastër duke i shtuar dhe trajtimet estetike. Serumet me balta dhe algat e detit për ta kthyer trupin në gjendjen e mëparshme dhe që nxisin shkarkimin e ujërave. Celuliti është një problem i njohur rëndomë thuajse tek të gjitha femrat, dhe prania e tij e vështirëson akoma më shumë pamjen fizike në stinën e verës. Në klinikë aplikohet mezoterapia, e njohur edhe si terapia e injektimit të koktejeve të ndryshme terapeutike për të luftuar celulitin në të tri nivelet e tij. E shoqëruar dhe me masazh, e cila duhet të aplikohet një ditë po, një ditë jo. Këshilla e njohur për të luftuar në mënyrë natyrale celulitin është sigurisht konsumimi i tepërt i ujit, për të nxjerrë mbetjet toksike të celulitit. Në këtë kontekst, nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe kontigjentin e njerëzve mbipeshë, të cilët e vuajnë akoma më shumë ekspozimin në plazh. Lipoaspiracioni mund të konsiderohet si zgjidhja më e mirë ndërhyrëse krahas metodave klasike të dobësimit. Kjo metodë konsiston në thithjen e yndyrës në vendin e grumbulluar. Mund ta konsiderojmë si mënyrën më efikase, pasi ne kemi mundësi ta rimodelojmë trupin tonë me dhjamin që kemi hequr me këtë metodë duke e vendosur atë në pjesët trupore që ne duam, si gjoks, vithe etj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.