Nga Rozana Aleksi
(Mjeke)
Një dietë e pasur me fibra mund të jetë një mënyrë për të mbajtur nën kontroll sëmundjen e gastritit. Kështu, krahas trajtimit me medikamente, mjekët sugjerojnë që të tregohet kujdes me ushqimet që konsumojmë. Vetëm duke bërë zgjedhjet e duhura në çdo vakt mund të “izolojmë” shfaqjen e simptomave. “Çajrat e ndryshëm, si çaji jeshil, xhinxher, kamomil lehtësojnë simptomat e gastritit, ndërsa qepët, hudhrat, frutat e pyllit, mollët, selinoja, majdanozi, mund të ndalojnë rritjen e bakterit Helicobacter Pylorit, i cili konsiderohet edhe si një prej shkaktarëve kryesorë.
Po ashtu dieta e pasur me zarzavate me gjethe jeshile, brokoli, kosi, bishtaja (fasule, bizele, thjerrëza) si dhe produktet e sojës ndihmojnë në frenimin e rritjes së bakterit dhe përmirësimin e simptomave të gastritit”, këshillon mjekja gastrohepatologe, Rozana Aleksi. Por krahas ushqimeve të rekomandueshme, ka edhe nga ato të cilat e nxisin sëmundjen e ndaj duhen shmangur. Të tilla janë ushqimet e skuqura dhe ato pikante, të cilat mjekja i konsideron si irrituese për shtresën mukoze të stomakut.
Të njëjtin efekt ka edhe konsumi i alkoolit, ndaj duhet të bëhet kujdes për të mos e tepruar. Aleksi bën me dije se lehtësimi i simptomave vjen edhe nëse vaktet janë të shpeshta, por me sasi të reduktuar ushqimi. “Nëse keni probleme me tretjen, përpiquni të hani disa vakte në vend të tri vakteve kryesore”, pohon doktoresha.
ILAÇET
Pas çdo shqetësimi, gjëja e parë që na shkon ndër mend është ilaçi që na duhet. Por përdorimi i tyre në mënyrë të përsëritur mund të na dëmtojë stomakun. Për këtë arsye, sugjerohet që barnat të mos jenë të njëjta. Më e përshtatshme do të ishte sipas Aleksit që, nëse merrni rregullisht barna kundër dhimbjes, zëvendësojini ato me paracetamol, pasi ky ilaç ka më pak mundësi të dëmtojë stomakun. Stresi konsiderohet si një prej faktorëve që ndikon në përkeqësimin e simptomave të gastritit, ndaj është e rëndë- sishme që ta menaxhojmë atë. “Mundohuni ta mbani nën kontroll stresin”.
SIMPTOMAT E ZAKONSHME TË GASTRITIT JANË:
- Dhimbje barku
- Të përziera
- Të vjella
- Gogësira
- Fryrje barku
- Mungesë oreksi
- Probleme të tretjes
USHQIMET QË DUHEN SHMANGUR PËR TË REDUKTUAR APO PARANDALUAR SHENJAT E GASTRITIT:
-Alkooli
-Ushqimet pikante
–Ushqimet e yndyrshme
–Ushqimet e skuqura
Gjithashtu duhet shmangur çdo gjë që mund të jetë toksike apo irrituese për mukozën e stomakut (p.sh., duhanpirja, pijet me gaz, ato me acid citrik: qitro, portokall, ananas, pijet me kafeinë, të dekafeinuara, speci djegës, produktet e domates etj.)
Trajtimi me medikamente
Trajtimi i gastritit varet nga shkaktari specifik. Barnat e përdorura për të trajtuar gastritin përfshijnë: • Medikamentet që frenojnë, pakësojnë ose neutralizojnë acidin e stomakut dhe antibiotikët (për të zhdukur H. Pylori). Antibiotikët e efektshëm janë amoksicilinë, klaritromicinë, metronidazol etj. Ky mjekim duhet të zgjasë 10-14 ditë.
• Medikamentet për të frenuar prodhimin e acidit dhe nxitjen e shërimit janë omeprazol, lansomeprazol, esomeprazol, pantoprazol (përdorimi i zgjatur i tyre mund të rrisë rrezikun e frakturave).
• Medikamentet për të pakësuar prodhimin e acidit, të cilat lehtësojnë shqetësimet dhe nxisin shërimin. (ranitidinë etj).
• Antiacidet që neutralizojnë acidin e stomakut. Antiacidet neutralizojnë acidin që ndodhet në stomak dhe japin lehtësim të shpejtë nga dhimbja (efektet anësore përfshijnë kapsllëkun apo diarrenë në varësi të përbërësit).
Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.