Mirëqenie

October 13, 2016 | 9:17

Gastriti, si shfaqet dhe komplikimet që sjell

Nga Albana Duni  Mjeke gastrohepatologe

Nga Albana Duni
Mjeke gastrohepatologe

Trokitja e stinës së vjeshtës mund të jetë aspak e dëshirueshme për personat që kanë probleme me stomakun. Kjo sepse simptomat e sëmundjes së gastritit bëhen më të pranishme. Mjekja gastrohepatologe, Albana Duni na jep një panoramë të detajuar të kësaj sëmundjeje, mënyrën se si shfaqet, shkaktarët e saj, komplikimet që mund të sjellë dhe në fund, disa këshilla që duhen mbajtur në konsideratë.

MBI GASTRITIN

“Muret e stomakut janë të përbëra nga disa shtresa dhe gjëndra, të cilat prodhojnë enzima dhe acid gastrik për të ndihmuar procesin e tretjes. Në ndërtimin e stomakut tonë është e rëndësishme edhe një shtresë mukusi, e cila luan një rol mbrojtës për mukozën e stomakut nga veprimi korroziv ose gërryes i vetë acidit që prodhon stomaku për të ndihmuar tretjen e ushqimeve. Gastriti zakonisht ndodh kur shtresa mbrojtëse e stomakut dobësohet ose dëmtohet. Dobësimi i barrierës mbrojtëse lejon lëngjet acide të dëmtojnë dhe të inflamojnë mukozën gastrike. Gastriti shfaqet në dy forma, akut dhe kronik. Gastriti akut është inflamacioni i stomakut që zhvillohet menjëherë dhe zgjat për një periudhë të shkurtër kohe. Ndërsa gastriti kronik zhvillohet gradualisht dhe mund të zgjasë për një periudhë më të gjatë”.

SHKAKTARËT

“Shkaku më i shpeshtë i gastriteve është Helicobacter pylori, i cili është një bakter mjaft i përhapur, sidomos në vendet në zhvillim, si vendi ynë. Por, përveç këtij bakteri, ndikim kanë edhe një sërë faktorësh të tjerë, siç janë ata gjenetikë dhe faktorët që kanë të bëjnë me stilin e jetës. Infektimi nga ky organizëm është shumë i zakonshëm, pasi rrugët e transmetimit të tij kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Mundësia më e madhe e transmetimit është nga njeriu te njeriu. Uji i kontaminuar dhe ushqimet e përgatitura në kushte jo të mira higjienosanitare janë rrugët kryesore të transmetimit. Një mundësi tjetër transmetimi është ajo brenda familjes kur ne përdorim për ngrënie të njëjtat enë kuzhine, ose kur në familje të mëdha përzihen shtretërit. Faktorë të tjerë shkaktarë të gastritit janë edhe përdorimi i disa medikamenteve si aspirina, ibuprofeni, kortizoniket, që bëhen shkak për zhvillimin e një gastriti akut ose kronik eroziv, që nënkupton një gërryerje të mukozës gastrike. Të tjerë agjentë që shkaktojnë gastrit eroziv janë duhani, kokaina alkooli dhe radiacioni, kur ky përdoret si terapi në protokollin e trajtimit të tumoreve”.

SHENJAT

“Simptomat që shkakton gastriti janë të ndryshme dhe ndonjëherë mund të ngatërrohen dhe me ulcerën. Shpesh mund të ndodhë që personat me gastrit mund të mos kenë simptoma. Gastriti mund të prezantohet me dhimbje djegëse në kraharor ose në abdomen, dhimbje që qetësohet, ose acarohet nga ushqimi. Në disa raste mund të japë humbje të oreksit, të përziera ose të vjella, si dhe çrregullime të jashtëqitjes me diarre ose konstipacion. Pacienti mund të ankohet për fryrje abdominale dhe gogësima. Tipike për sëmundjen e gastritit është shpeshherë shfaqja e simptomave në mënyre sezonale. Zakonisht, vjeshta dhe pranvera janë dy sezone gjatë të cilave personat me gastrit vuajnë shfaqjen e simptomave”.

KOMPLIKIMET QË SJELL

“Nëse gastriti është hemorragjik dhe ngelet i patrajtuar mund të çojë në humbje serioze të gjakut nga erozionet hemorragjike, mund shkaktojë ulcerë, që është një dëmtim më i thellë i mukozës dhe në disa raste rrit riskun për kancer të stomakut, atëherë kur ndryshimet kronike të mukozës gastrike kanë çuar në një situatë prekanceroze, siç është gastriti atrofik dhe metaplazia intestinale”.

 Ilaçet që nxisin gastritin te të moshuarit. Ja si mund të mjekohet

Sëmundja e gastritit mund të prekë si meshkujt, edhe femrat. Gjithashtu, mund të shfaqet në çdo moshë mbi 5 vjeç e lart. Sipas mjekes gastrohepatologe, Albana Duni, mosha më kritike e marrjes së këtij infeksioni është mosha fëminore, zakonisht nën 10 vjeç. “Kemi raste në praktikën tonë me fëmijë të moshës 7 vjeç me gastrite, madje edhe me ulcera të bulbit të duodenit, pasi kjo lidhet me infektimin me helikobakter pylorin, si shkaktarin më të zakonshëm të tij”, shprehet Duni. Prej përdorimit të duhanit, alkoolit apo lëndëve narkotike edhe shumë të rinj rrezikohen nga sëmundja e gastrit. Ndërkohë sa i takon moshës së tretë, shkaktarët për shfaqjen e sëmundjes lidhen me përdorimin e medikamenteve, si aspirina, ibuprofeni, kortizonikët etj. Lidhur me diagnostikimin e sëmundjes, mjekja pohon se mjeti më i mirë dhe me i besueshëm është gastroskopia e shoqëruar me biopsi. Gastroskopi është një tub i hollë me një kamera në fund, i cili futet nga goja duke eksploruar ezofagun, gjithë pjesët e stomakut deri në duoden, fillimi i zorrës së hollë. Sipas saj, ky ekzaminim përcakton edhe mënyrën e trajtimit. “Mjekimi bazohet në zbulimin e shkaktarit, p.sh., kur zbulohet bakteri, atëherë duhen përdorur medikamentet që çrrënjosin këtë bakter, sipas skemave të protokolluara (p.sh. amoksicillina e kombinuar me klaritromicinën, ose të kombinuara me metronidazolin). Në skemat e mjekimit duhet respektuar doza ditore dhe kohëzgjatja e medikamenteve. N.q.s shkaku është përdorimi i preparateve si aspirina apo ibuprofeni, rekomandohet ndërprerja e tyre, përdorimi i medikamenteve që kanë si qëllim mbulimin e mukozës së stomakut me një shtresë mbrojtëse, siç janë citoprotektorët. Në qoftë se gastriti shkaktohet nga anemia pernicioze, duhet mjekuar me vitaminë B12”, bën me dije Duni.

KËSHILLA

 

  • Praktikoni ngrënie të vakteve të shpeshta, por të vogla, pa u ngopur. Në këtë mënyre, acidi gastrik do të neutralizohet herë pas here nga ushqimi.
  • Eliminoni ushqimet irrituese për stomakun si pikantet, të skuqurat me yndyrë.
  • Duhet eliminuar duhani dhe alkooli si faktorë agravues të sëmundjes dhe që pengojnë shërimin e gastritit.
  • Kujdes duhet bërë me përdorimin e preparateve mjekësore që shkaktojnë gastrit (aspirina, ibuprofeni); nëse përdorimi i tyre është i domosdoshëm, atëherë duhen shoqëruar me mbrojtës të mukozës gastrike, gjithmonë duke u këshilluar me mjekun, pasi shumë medikamente ndërveprojnë me njeritjetrin.
  • Të shihet mundësia e zëvendësimit të preparativëve kundër dhimbjes me acetaminophen (paracetamol), pasi ky mjekim është i padëmshëm për stomakun.
  • Menaxhoni stresin, pasi stresi bën që simptomat e gastritit të përkeqësohen. Stresi mund të jetë i pashmangshëm, por ju mund të mësoni për t’u përballur me të.
  • Përpiquni me aktivitete relaksuese si yoga, meditim, shëtitje në natyrë etj.

 

Intervistuar nga Ada Hazizolli

Gazeta PANORAMA

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top