Nga Anisa Xhani (Daci)
Fytyra të buzëqeshura, gojë të ëmbla dhe zemra të lumtura … Ky është efekti që shkaktojnë ëmbëlsirat. Nuk ka rëndësi nëse pikturohen me dorë apo 3-D, ato janë krijime unike, që sjellin ëmbëlsinë në realitet.
Ravajol Hasani është larguar shumë i vogël nga Shqipëria dhe si shumë shqiptarë, me punë, përkushtim dhe këmbëngulje arriti të bëjë ëndrrën realitet, edhe pse në vend të huaj. Sot ai është ndër emrat më të njohur të kulinarisë në vendin fqinj.
Ravajol nga vjen dhe si ka qenë jeta juaj e mëparshme?
Jam lindur në Memaliaj, por në moshën 4-vjeçare emigrova me familjen në Athinë të Greqisë. Në fillim jeta ishte shumë e vështirë. Familja punonte shumë që të kishim mjaftueshëm të ardhura, pasi ishim në një vend të huaj. U rrita me vuajtje, sakrifica dhe ëndrra. Në fillim fillova të punoj si pastrues në restorante luksoze të kryeqytetit grek, punoja shumë, por kisha ëndrra dhe vullnet. Pavarësisht mungesës së besimit që kishte populli grek ndaj nesh, frikës që isha në një vend të huaj, shkallë- shkallë dhe ditë pas dite fillova të realizoja planet e mia.
Pse emigruat dhe cilat janë të mirat e emigracionit?
Emigrimi në atë moshë nuk ishte në dorën time, por prindërit emigruan për një jetë më të mirë. Emigracioni për mendimin tim nuk ka shumë të mira, pasi ka lodhje, vështirësi, goditje, dhe duhet të dish të zgjedhësh fatin tënd. Duhet të dish si të përdorësh shanset dhe mundësitë që të ofrohen në jetë. Atë kohë mundësitë ishin shumë të pakta… çdo gjë e vogël ose e madhe ishte shumë e vështirë për t’u arritur.
Pse zgjodhët këtë profesion?
Rastësisht kuptova se do të zgjidhja këtë profesion në jetë. Që në moshë të vogël kuptova që gatimi është magji… është një aventurë, mbyll sytë dhe udhëton në çdo anë të botës. Kjo punë kërkon respekt dhe dashuri, të lidhesh të bëhesh një.
Sa receta keni realizuar deri më sot?
Në 15 vite karrierë nuk mund t’i numëroj. Projektet ditë për ditë plotësohen dhe angazhimet shtohen.
Për kë keni bërë realizimin më madhështor?
Kam bërë plot realizime. Tifozet më të mëdha të ëmbëlsirave janë femrat. Kam shumë fansa nga bota e modës, muzikës dhe politikës, por mendimi është që në gatim nuk duhen bërë diferenca midis klasave, nacionaliteteve… ushqimi duhet të shërbehet dhe gatuhet për të gjithë.
A keni pengje në plotësimin e vetvetes?
Njeriu çdo ditë mundohet të tejkalojë veten. Unë çdo ditë dua të jem më i mirë se dje, shumë më i mirë të nesërmen. Mundohem të punoj me veten nga brenda, pastaj jashtë, pikësëpari si njeri, pastaj si profesionist. E kritikoj shumë rëndë veten, dhe kërkoj më shumë çdo ditë. Mendoj se vetëm kështu mund të arrish nivelin dhe standardet personale.
Çfarë do të ishit bërë nëse nuk do të ishit bërë pastiçier?
Futbollist…
Si ndiheni kur merrni lëvdata për punën tuaj? Ju ka ndodhur që ndonjë klient të mbetet i pakënaqur?
Ndihem i qetësuar që kam dhënë maksimumin dhe kam arritur ta bëj mirë punën. Stafi që punon me mua më inkurajojnë, pa ata nuk mund të arrij asgjë. Ata vijnë para meje, stafi dhe familja. Një shef duhet të shënojë arritje çdo ditë me kokën poshtë. Sigurisht kur punon në fushë e turizmit dhe të gastronomisë nuk mund t’i plotësosh të tëra kushtet e klientëve. Sigurisht ca do të mbeten të pakënaqur, është e pamundur të pëlqehesh nga të gjithë. Rëndësi ka që nga gabimet të mësosh.
Na sugjeroni tri ëmbëlsira që shijojnë më shumë në verë?
Panacota ..tiramisu..chesscake….
Ju vetë jeni konsumues i ëmbëlsirave?
Ëmbëlsirat janë pasioni im dhe nuk humb kohë pa i provuar, sado që duhet të largohemi nga sheqeri për shëndetin e organizmit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.