Dëshmi

April 24, 2021 | 8:10

Gazetarët e “luftës”

Tërmeti i nëntorit dhe pandemia e koronavirusit shkaktoi një klimë të trazuar në vend. Lipsej solidaritet, akte heroizimi dhe shumë shpresë për kapërcimin e situatës. Sikundër bluzat e bardha, edhe ata ishin aty, të parët në këtë front të vështirë, duke rrezikuar çdo ditë jetën. Janë gazetarët e luftës, për të cilët nuk flitet shumë, por që në të vërtetë janë misionarët e vërtetë kundrejt një çmimi me vlerë jetën. Në raportimet në pambarim, duke bartur me vete përgjegjësinë për mbrojtjen e familjarëve dhe kolegëve, shembulli i tyre konsiderohet si heroik para një sfide me plot të panjohura, por të gatshëm për ta sfiduar atë.  

Nga Orjona TRESA

Klodiana LALA: Sfidova frikën!

Emocionet tuaja në ballë të një pandemie që ndodh rrallë. Sa e vështirë ishte të raportoje në një terren të tillë?

Një situatë tërësisht e panjohur për ne, median. Të raportoje në situatë pandemie, ishte një sfidë e jashtëzakonshme. Sepse nga njëra anë është interesi publik, nga ana tjetër, nevoja për t’u kujdesur për veten e për familjen. Do më duhet kohë të kuptoj rëndësinë e situatës që kaluam dhe po kalojmë. Ndryshoi rrënjësisht gjithçka, stili i jetës, i të punuarit. Ngado ktheje sytë shihje njerëz të tmerruar. Të gjithë dyshonin tek të gjithë. Një situatë gati surreale.

Kishit frikë? Panik?

Frika është bashkëshoqëruese në çdo hap të jetës. Sigurisht që ndjesia e frikës ishte e pranishme dhe tek unë. Frikë edhe në kuptimin profesional, sepse po raportoja për një situatë të re, të pa hasur më parë. Por panik, s’kam patur për asnjë çast.

Si e gjetët konsensusin mes kolegëve për të qenë pjesë e raportimeve televizive live?

Në News 24 puna në grup është çelësi i suksesit. U koordinuam më së miri, në kohë reale, duke përcjellë informacione të sakta për të gjithë qytetarët që besojnë tek ne, te profesionalizmi dhe paanësia në raportimin e lajmit. Solidariteti mes kolegëve ishte i jashtëzakoshëm, edhe pse punonim në kushte të tilla, që puna ishte vështirësuar shumë. Kjo sepse ne punonim kryesisht nga terreni, pa shkuar në redaksi, për të shmangur grumbullimet dhe kontaktet fizike. Por besoj se ia kemi dalë. Kam bindje se i kemi informuar qytetarët, të cilët po kalonin orë të vështira të izolimit totale.

Çfarë ndodhte përgjatë ditëve të zbrazta në rrugë dhe raportimit tuaj sipas sektorit që mbulonit?

Përpara se t’i përgjigjem pyetjes, do të rrëfej paksa historinë time. Për shkak të një udhëtimi në Itali me time bijë, unë u vetëkarantinova në shtëpi. Ishte një vendim personal, sepse ndjeva që s’duhet të isha rrezik për askënd, si pjesëtarë të familjes, ashtu dhe kolegë, të njohur apo të panjohur që mund të takoja gjatë ditëve në punë. Nuk doja të mbaja në ndërgjegjen time asnjë peshë faji. I referohem kohës kur ende nuk kishte marrë vendim qeveria. 14 ditët e karantinimit ishin më të gjatat në jetën time. Është e tmerrshme të jetosh me ankthin se mund të zgjohesh nga gjumi dhe të mos mundesh të marrësh frymë. Net të tëra pa gjumë duke ruajtur time bijë. Ishte një eksperiencë e vështirë. Për fat asnjëra nga ne të dyja nuk pati as problemin më të vogël. Por kur rinisa punën dhe e gjeta Tiranën të zbrazët, kam qarë. Më ngjau si një qytet fantazëm, ku mbretëronin vetëm blindat e ushtrisë.

Po, pyetja ishte nga kush po na ruanin? Kush po na sulmonte? Armiku i padukshëm ishte koronavirusi. Kam raportuar përgjatë ditëve për shumë situata, edhe për ato që nuk lidheshin direkt me fushën time, pra kronikën e zezë, sepse duhet të informonim publikun për çfarë po ndodhte. Ndjesia ishte e trishtë. Shpesh të ndodhte të ndjeheshe e pafuqishme në një situatë të tillë, e pafuqishme për ta ndryshuar gjendjen.

E ndjetë në ndonjë situatë veten ngushtë? Kur?

Kur mu desh të intervistoja një të infektuar me Covid në Krujë. Isha në misionin tim dhe s’mund t’i ktheja shpinën një qytetari që kishte nevojë që zëri, problemi i tij të dëgjohej. Vendosa ta merrja intervistën, e transmetova pak minuta më vonë. Por kjo shkaktoi panik tek kolegët. Legjitim shqetësimi i tyre. M’u desh të testohesha dhe më besoni, janë momente ankthi teksa pret përgjigjen. Kur më telefonuan nga ISHP dhe më thanë që përgjigja ishte negative, ndjeva një lloj lehtësimi. Ka pasur edhe momente të tjera kur e kam parë veten në situata të vështira, por jam përpjekur t’ia dal. Mendoj se ia kam dalë.

Familjarët janë paniku i shtuar në situata kritike. Ndikoi tek ju? Si e përballuat?

Më ka shoqëruar frika se mund të infektohesha dhe të bëhesha shkak për të infektuar vajzat dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Pavarësisht se jam përpjekur të qëndroj në njëfarë distance brenda shtëpisë me të gjithë, nuk mund t’u rezistoja përqafimeve të vajzave. Nuk mundesha kurrsesi të mos ndjeja ngrohtësinë e tyre. E vështirë ishte t’u shpjegoja faktin se përse kishte ndryshuar sjellja ime, përse duhet të qëndronin të mbyllura, apo përse nuk shkonin në shkollë dhe kopsht. Dhe meqë ju ma dhatë rastin të flas për këtë situatë, më duhet ta falenderoj familjen time, që prej vitesh e vitesh më mbështet pa kushte në misionin tim. Nuk do të mjaftonte e gjithë jeta ime për t’u thënë faleminderit, faleminderit, faleminderit!

Keni qenë në raportime intensive, të drejtpërdrejta, çka kërkojnë shumë energji. Ndërsa në rolin e gazetarit keni realizuar një mision fisnik në kohë lufte. Si ju bën të ndiheni e gjitha kjo?

Ndihem krenare për gjithçka bëj. Megjithatë jam kritikja më e madhe e vetes. Përpiqem të përmirësohem ditë pas dite. Jam përpjekur të jap maksimumin tim. Kam shpenzuar energji dhe jam munduar të informoj në kohë reale, bazuar në fakte e prova. Jam mundur të jem e dobishme për gjithsecilin në kohë pandemie.

Çfarë ka ndryshuar tek ju pas përfshirjes në raportime si për ngjarjet e tërmetit të nëntorit, ashtu dhe në tri muajt e izolimit prej pandemisë?

Janë ngjarje që kanë lënë gjurmë të thellë tek unë. Më kanë bërë të reflektoj, më kanë rritur profesionalisht. Janë ngjarje që vështirë se do arrij t’i harroj. Në tragjedinë e 26 nëntorit kam përjetuar shumë dhimbje. Vila e familjes Lala m’u shemb para syve. Brenda saj ishin 8 pjesëtarët e familjes, katër prej të cilëve fëmijë të mitur, në moshën e fëmijëve të mi. Nuk munda t’i mbaja dot lotët, teksa nga shembja e vilës një re pluhuri pushtoi qiellin. E kam kujtuar dhe kujtoj çdo moment atë ngjarje. Nuk harroj as lotët në sytë e komisar Ajet Mecjas, teksa priste të nxirreshin nga rrënojat, gruaja e tij, vajza dhe mbesa Esiela 8 vjeçe. Kam përjetuar edhe dhimbjen e nënës së Stelës, që gjeti vdekjen në Thumanë në shtëpi me Almirin, me të cilin sapo ishte fejuar. Kishte shpresë në sytë e saj, deri në momentin kur u njoftua se ajo kishte ndërruar jetë. I pashë teksa u fikej drita e syve.

Sa shumë histori të dhimbshme njerëzore. Por kishte shumë solidaritet mes qytetarëve që ofronin ndihmë. Kam takuar zjarrfikës apo pjesëtarë të ekipeve të kërkim shpëtimit nga Kosova, Italia, Greqia, Kroacia, etj, që bënë çfarë mundën për të shpëtuar jetë njerëzore. Situata e pandemisë ishte tërësisht ndryshe. Ftohtësi dhe pasiguri. Në këto ngjarje kam kuptuar një tjetër dimension të vetes.

Çfarë çmimi ka jeta për ju?

E paçmueshme.

Erjon SKËNDAJ: Misionarë kur lypet nevoja për të shpëtuar jetë

Emocionet përballë vështirësive në detyrë?

Kam provuar si gazetar shumë momente të vështira pune, mes tyre Gërdecin, 21 Janarin, përmbytjet në Shkodër, përleshjet në protestat e opozitës apo ato të banorëve të Astirit etj, por asnjë prej tyre nuk mund të krahasohet me tërmetin e 26 nëntorit e aq më pak me pandeminë. Nuk kam pasur në asnjë moment frikë për veten, por vetëm për njerëzit që më rrethojnë, që nga familja e deri tek shokë, kolegë e miq se mos i infektoja. Do ta kisha barrë në ndërgjegje për gjithë jetën nëse do të ndodhte dhe për këtë arsye nuk e heq kurrë maskën kur jam jashtë shtëpisë dhe për 60 ditë thuajse nuk jam futur në redaksi për të mos ngjallur ndonjë panik të kotë te kolegët që më shohin gjithnjë para spitaleve Covid tek raportoj.

Por fatmirësisht deri më tani ka dashur Zoti dhe kam qenë mirë me shëndet dhe nuk kam pasur asnjë simptomë. Unë kam 12 vite që mbuloj çështjet e shëndetësisë dhe çështjeve sociale. Për më tepër jam thelluar për të mësuar në detaje shumë tema shëndetësore, pra jam i profilizuar prej shumë vitesh në këtë fushë. Për këtë arsye, mjekë dhe kolegë më quajnë me shaka gjysmë doktor. Për këtë arsye kam pasur detyrën për të mbuluar situatën e krijuar nga pandemia në raportimet e përditësuara nga spitalet Covid dhe jo vetëm.

Në ditët e para të mbylljes së popullatës brenda shtëpive, kam provuar një ndjenjë zbrazëtie tepër të fortë. Tirana dukej e shkretë, e zymtë, makina ushtrie dhe policia që vinin përqark deri me mitraloz të instaluar mbi karroceri të ngjallnin më shumë frikë se vetë Covidi, dhe të krijonin ndjesinë e luftës, a thua dikush po na pushtonte. Por pak nga pak u mësova dhe nuk më bënte më përshtypje.

Tek-tuk syri të shihte ndonjë këmbësorë a biçiklist që me shumë gjasë ishte mjek, ushtarak a polic ose ndonjë koleg gazetar. Kjo e fundit të krijonte pak atë ndjesinë e të privilegjuarit sepse na krijohej mundësia e liridaljes, edhe pse kjo liri nuk na hynte në punë, pasi jashtë objekti gjithçka ishte e shkretë, pa jetë.

Jeni ndjerë në një moment ngushtë?

Situata më e vështirë ishte kur duhej të raportonim personat e vdekur dhe ata që përfundonin në intubim, ku fundi i tyre fatkeq gati ishte i shkruar që në momentin e lidhjes me makinerinë e respiratorit. Në atë moment dhe kjo duket në raportimet e mmia, zëri më dridhej, po fytyra nuk tregonte gjë nga maska që mbulonte një pjesë të mirë të saj. Për më tepër ishin dy të sëmurë në sanatorium. Nga mjekët më ishte thënë se ka shpresa se mund të ex-tuboheshin sikundër ndodhi me të vetmen grua 71 vjeçe që sot jeton. Por fatkeqësisht të dy rastet u komplikuan papritur dhe sëmundja u bë agresive, duke u marrë jetën pas disa ditëve.

Realisht u ndjeva shumë keq. Lusja Zotin që prindërit e mi të dy të sëmurë kronikë, të mbetur të vetëm në Kavajë për shkak të karantinës, të mos i prekte sëmundja, pasi do isha i pazoti t’i shihja me sy e jo më t’u qëndroja tek koka. Do Zoti prindërit i kam mirë edhe pse të vetëizoluar prej 3 muajsh në banesë. Flas me ta me skype dhe çmallem, ndërsa ata merakun e kanë tek unë se më shohin çdo ditë para spitaleve ku mbahen të sëmurët me Covid.

Raportime të tilla duan energji, si ia keni dalë?

Që kur e zgjodha këtë zanat i dija vështirësitë, veçanërisht kur punon në një media informative dhe je gjithnjë në terren. Ndaj nuk i frigohem as atyre që kam kaluar dhe atyre që mund të më përballë nesër misioni i gazetarit. Akoma më dalin para syve në ëndërr trupat e pajetë të njerëzve që nxirreshin nga rrënojat e Thumanës dhe thirrjet vajtonjëse të atyre që i kish zënë përfund betoni. Po kështu edhe lotët e nënave e baballarëve që qanin nga jashtë gardhit të spitalit karantinë, pasi nuk dinin për fatin e të shtrenjtëve të tyre që ndodheshin në terapi intensive.

Padyshim, plagë të tilla lënë shenjë në memorien kolektive të atyre që i kanë përjetuar si dhe tek ne gazetarët, që për më tepër i kemi dëshmuar live për publikun. Po në fund të fundit, ky është misioni ynë në të mirë e në të keq, të sjellim te publiku lajmin e pacunguar e të vërtetë.

Si do ta kujtosh këtë kohë?

Pas gjithçkaje të përjetuar në jetë dhe në punën time si gazetar, mendoj dhe shpresoj se në fund e gjithë kjo do të mbetet në kujtesë si një plagë kolektive, që do të kërkojë kohë, e që në fund do të shërohet, nuk kam as më të voglin dyshim. Populli ynë ka kaluar sfida shumë herë më të mëdha deri ato ekzistenciale dhe ia ka dalë t’i përballojë në kushte shumë më të brishta ekonomike e sociale. Por do të duhet kohë. Jo më kot ekziston ajo shprehja, «Koha është ilaçi më i mirë që i shëron plagët».

Çfarë çmimi ka jeta për ju?

Si gazetar i sociales dhe shëndetësisë, për mua jeta e kujtdo nuk ka çmim. Për të duhet luftuar e sakrifikuar deri në minutën e fundit. Në punën time shumë herë jam përpjekur përtej gazetarisë për të sensibilizuar njerëzit e thjeshtë të bëhen bashkë për të shpëtuar jetë në rrezik. Qeveritë në Shqipëri në përgjithësi vuajnë nga miopia dhe shurdhëria përballë klithmave të popullit, veçanërisht pjesës më të varfër. Ndaj dhe gazetarët në Shqipëri kanë detyrim moral e profesional të shkojnë përtej lajmit, të bëhen misionarë kur lypet nevoja për të shpëtuar jetë.

Dorjana BEZAT: Koronavirusi na ridimensionoi jetën

Në 5 vite që raportoj për punën e policisë dhe ngjarjet e aktualitetit, shpesh e kam gjetur veten në vendngjarje aspak komode, ku rreziku ishte i pranishëm. Kam raportuar në vendngjarje ku zhurmët e armëve ende nuk ishin shuar apo në protesta të dhunshme ku turma të merr para. Por të raportoje në kohën e coronavirusit ishte ndryshe. Pa mbërritur rastet e para në Shqipëri nuk arrija dot ta kuptoja seriozitetin e situatës. Më 9 mars, isha në Rinas për të raportuar për masat e marra në aeroport dhe pashë live kur të gjitha fluturimet u anuluan pas një vendimi të qeverisë. Të shihje njerëz të bllokuar në aeroport të shtonte ankthin.

Më pas intervistova qytetarë që vinin nga “zona të kuqe” si Milano e Roma që më treguan atë që kishin parë dhe jetuar andej. Ishte një realitet tjetër, ku duhej kujdes për të pasur distancë fizike si edhe për të qenë me maskë. Ditë më vonë mësova se një prej personave që unë kisha intervistuar, (një italian që vinte në Shqipëri për të rregulluar dhëmbët) rezultoi pozitiv, më alarmoi.

Nuk kisha frikë për veten, por për familjen. Nuk mund t’ia lejoja vetes t’i lëndoja qoftë edhe pa dashur. Çdo ditë kam bërë përpjekje maksimale për të zbatuar me përpikëri çdo këshillë të mjekëve. Koronavirusi na ridimensionoi jetën në çdo aspekt. Puna nuk ishte më e njëjta. Veç mikrofonit tashmë në mjetet e domosdoshme të punës ishin edhe maskat, doreza dhe dezinfektanti. U shkëputëm për ditë me radhë nga rrjedha e gjërave dhe raportonim në një qytet bosh që flinte në emër të jetës. Kthimi nga puna nuk ishte i njëjti. Detyrohesha të hyja në shtëpi si hije që im bir mos më ndjente, pasi duhej që t’i fshihesha përqafimit të tij. Vetëm pasi kisha ndërruar rrobat dhe kisha bërë dush ai mund të më afrohej.

E vështirë ka qenë edhe ta bindja që nuk duhet të dilte jashtë. Është vetëm 3 vjeç dhe nuk e kupton dot situatën. Duhet t’ia shpjegoja në gjuhën e tij dhe koronavirusi për ne u shndërrua në një gogol që na sëmurte. Ndërsa dhomat në shtëpi u kthyen në park, kënd lojërash dhe kënd edukimi për të cilën një meritë mjaft të madhe ka im shoq që u përkujdes me durim në të gjithë orët e gjata që unë mungoja.

Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit si edhe situata e pandemisë që na shoqëroi për javë na ndryshuan. Emocionet e forta që përjetuam na bënë për ta vlerësuar më tepër jetën. Kuptuam sa lumturi falin shëtitjet, përqafimet, një kafe me miqtë dhe shumë të tjera gjëra që më herët nuk i kishim vënë re.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top