Gënjeshtarët patologjikë gënjejnë për të arritur një qëllim, pa e vrarë mendjen për pasojat. Zakoni i të gënjyerit ndërton një mekanizëm, i cili zhvillohet që në moshë të hershme për t’u përballur me realitetin, që shpesh lidhet me problematika të tjera psikologjike. Ndaj, për rrjedhojë, këta njerëz shndërrohen në manipulues, të përqendruar vetëm te vetvetja dhe aspak empatikë kundrejt të tjerëve.
Gënjeshtarët kompulsivë nuk kanë një qëllim të caktuar. Ata gënjejnë si forcë zakoni, në mënyrë që të ndihen sa më mirë. Të tregosh të vërtetën është një impenjim psikologjik. Zakoni i të gënjyerit lind që në moshë të re, për shkak të një domosdoshmërie personale. Një lloj “instinkti mbijetese”, që i çon njerëzit të ecin përpara vetëm falë gënjeshtrave. Në rastet më të rënda, realiteti i jashtëm, nga nevoja për të përballuar një fëmijëri të vështirë, mohohet nga realiteti i brendshëm në të cilin gjithçka është e mundur. Ekziston një lloj ndërshkëmbimi midis gënjeshtrës dhe së vërtetës, ku gënjeshtari e ka realisht të vështirë të bëjë dallimin e vërtetë.
Cilido qoftë klasifikimi për gënjeshtarët, shpesh është e vështirë që të identifikohen. Edhe për personat, të cilët kanë të bëjnë me dikë që mundohet gjithmonë të fshehë të vërtetën, është një situatë e pakëndshme. Për ata, gënjeshtarët janë irritues, duket sikur tallen me njerëzit që i rrethojnë dhe shfaqin haptazi mungesën e respektit. Për këtë arsye, shpesh njerëzit që mashtrojnë, ndihen të përjashtuar dhe të larguar nga shoqëria apo familja. Kur ai është një i afërm, fëmijë, partner, prind, vëlla apo motër, krijon një rreth vicioz vuajtjeje dhe vështirësie. Është e vështirë të dallosh nëse ai vetushqehet me zhgënjime të vazhdueshme dhe mungesë besimi. Për të ndihmuar dikë, të cilin e kemi vërtet për zemër, por që për fat të keq gënjen shumë, duhet para së gjithash ta bëjmë të vetëdijshëm për problemet dhe dhimbjen që i shkakton ai vetes, si dhe ambientit përreth. Është njësoj si me një të droguar; kush është i prekur nga kjo “sëmundje”, nuk mund të veprojë për t’u shëruar dhe për të ndryshuar nëse nuk është me të vërtetë i motivuar.
Procesi i shërimit është shumë i vështirë, ndaj është i nevojshëm përcaktimi i detajuar i skemave emotive dhe ndryshimi i mënyrës së të vepruarit që zgjat prej vitesh në udhën e gabuar. Është një proces “shërimi” që, zakonisht, varet nga strategjia e psikoterapisë së brendshme. Duhet të bëjmë të mundur që gënjeshtari, të mos jetë më i tillë, të ketë më shumë besim në vetvete, pa pasur nevojë ta mbushë jetën e tij me gënjeshtra dhe mashtrime. Prandaj, është e nevojshme që ai të krijojë një bazë të sigurt dhe afatgjatë mbi të cilën mund të vazhdojë të thotë vetëm të vërtetën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.