Fëmija deri në moshën 6 vjeç nuk gënjen, nuk thotë gënjeshtra edhe kur nuk thotë të vërtetën. Në fakt po tregon se edhe ai ka një mendim të vetin, i ndryshëm nga mendimi i të rriturit dhe njëkohësisht verifikon reagimin e të rriturit. Strukturat psiqike të fëmijës ndërtohen në këtë mënyrë, i duhet gjithçka që të zhvillohet.
I duhet e vërteta dhe e pavërteta, i duhet ajo që ekziston dhe ajo që nuk ekziston. I duhet fantazia e tij dhe e tjetrit, i duhet e ardhmja dhe e shkuara, përndryshe ngec dhe njeriu nuk bëhet dot as artist as shkencëtar as filozof. Nuk bëhet dot asgjë. Kur fëmija vazhdon të gënjejë pas moshës 6 vjeç, kjo tregon se psiha në raport me veten e fëmijës dhe identitetin e tij ka ngecur. Nuk janë më në raportin e duhur me njëra-tjetrën.
Kjo mënyrë të menduari dhe të shpalosuri të vetes është instaluar dhe ka ndërtuar këtë mënyrë të paaftë për të ditur e për të thënë të vërtetën e vet. Fëmija, që gënjen, është një fëmijë i rritur keq, i parespektuar dhe i padëgjuar nga të rriturit pranë tij, pavarësisht nëse vjen nga familje e kamur apo jo. Fëmija nuk do të gënjejë, por nuk di dhe nuk mund të veprojë ndryshe. Pasi ai nuk ka mekanizmat e duhur psiqikë për të njohur dhe thënë të vërtetën. Fëmija ka ngecur në strukturat psiqike të moshës 4-5- vjeçare edhe pse me moshë kronologjike është më i madh.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.