Në fokus

March 23, 2016 | 10:50

Gëzim Myshketa: Nuk jam shembull i perfeksionit!

Gëzim Myshketa bariton shqiptar me famë ndërkombëtare.

Ai është shembulli i një artisti që ka lënë gjurmë në skenat botërore, padyshim një nga zërat më të veçantë lirik të operës. Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa prej vitesh jeton larg atdheut për arsye profesionale. Me një axhendë të ngjeshur aktivitetesh, ai ndan jetën artistike mes operave më në zë të Europës. Në këtë rrugëtim shumë vjeçar, ai vjen me një rrëfim që e quan “të pazakontë”, me një mënyrë krejt profane por të sinqertë për të përçuar mendimin e tij kur flasim për “Etikën dhe Moralin” në shoqëri. Ajo që e thekson me këmbëngulje është se për të, “morali nuk duhet ngatërruar me moralizmin kurrsesi. Midis moralistëve dhe ‘mëkatarëve’ ndjej më tepër zemërgjerësi për këta të fundit. Ndaj për çka do të shprehem, ju lutem mos më konsideroni për asnjë çast të vetëm një moralist”.

Çfarë nënkupton mes dy termave në fjalë?

Me termin “moral” përfytyroj atë bashkësi principesh që drejtojnë sjelljen e çdo individi si dhe përqasjen në marrëdhënien me persona të tjerë në shoqëri. Përgjithësisht ekzistojnë dy rryma të moralit, ajo fetare dhe ajo laike. Personalisht ndihem më i mirë dhe i përfaqësuar nga rryma e dytë. Si shembull mbështetem fort në mendimin filozofik të astrofizikantes së madhe Margherita Hack. Ajo pohon se: “Nuk është e nevojshme të kesh një religjiozitet për të poseduar një moral. Nëse nuk arrin të dallosh të mirën nga e keqja, ajo që të mungon në këtë rast është thjesht ndjeshmëria e jo religjioziteti…”. Etika më pas është vënia në praktikë e këtyre principeve të moralit në praktikën e çdo dite nga gjithkush. Për sa i përket shoqërisë shqiptare, e gjej gjithnjë e më tepër të përparuar në këtë drejtim falë hapjes së kufijve dhe lëvizjes së lirë të njerëzve. Mendoj se ingranazhi drejt “hapjes mendore” mbi dukuri që deri pak vite më parë shiheshin si tabu, ka kohë që është vënë në lëvizje. Në këtë kontekst, po të krahasoj qendrat e zhvilluara në Shqipëri, si Tirana a ndonjë qytet tjetër kryesor, ku nuk dalloj një ndryshim të theksuar në krahasim me qytete të tjera në Europë. Sigurisht, në realitete më të vogladhe më pak të zhvilluara, distanca fillon e bëhet mjaft më e madhe, gati ekstreme. Është sidoqoftë një fenomen që përsëritet edhe jashtë përqasja mbi moralin dhe etikën sigurisht edhe midis një qyteti si Milano dhe një qendre të vogël rurale në Siçili do të ishte po aq e theksuar.

A ka dallim në të qenit i huaj, paragjykoheni?

Paragjykimi ekziston dhe kush pohon të kundërtën shpesh është në gabim. Sigurisht, tashmë pozicioni im është ai i një artisti me një karrierë të konsoliduar dhe sigurisht kjo më jep një ta quajmë “liri” dhe integrim të menjëhershëm në çdo shoqëri ku më duhet të inkuadrohem përgjatë kohës së aktivitetit artistik. Dikur, sidomos vitet e para, nuk ishte kështu. Personalisht vazhdoj të mbaj me krenari pasaportën shqiptare e nuk kam bërë kërkesë për të patur një të huaj, megjithëse ligji italian ma lejon prej vitesh. Në njëfarë mënyre tregon se jetoj i qetë me veten e krenar për prejardhjen time që është një nga gjërat më të bukura. Nëse dikush ka probleme të paragjykimeve, ky është sigurisht një problem i vetë personit në fjalë.

Si shikohen këto vlera në shoqërinë atje?

Meqë kam dy rezidenca, aktualisht në Itali dhe Gjermani, mundet të pohoj që ajo gjermane akoma mbi atë italiane është totalisht e zhveshur nga çdolloj tabuje. Çdo zgjidhje atje është personale dhe rregulli bazë është: “Liria ime fillon aty ku mbaron e jotja”. Etika pastaj është mjaft e ngurtë, sidomos në gjërat që kanë të bëjnë me jetën në kolektiv. Ekzistojnë rregulla tepër strikte që nga respektimi i më të vjetërve, qetësia totale në vendet publike, etika e të veshurit, e sjelljes në ambiente të përbashkëta.

A mund të më rrëfeni ndonjë rast?

Më ka ndodhur në Berlin, kur isha për të kënduar operën “Karmen”, tek pija një kafe përpara Operës me baletmaestrin Gentian Doda, të më tërhiqet vëmendja nga një person që ndodhej 20 metra larg, vetëm se po i tregoja Gentianit një video muzikore me zë tepër të ulët në youtube. Ose më ka ndodhur në Hamburg të shoh të rinj me shishe alkooli në tren për tridhjetë minuta të mos i hapin këto dhe ta bëjnë këtë gjë vetëm në të dalë nga treni. Kurse në termat ose llixhat, si i quajmë ne shpesh, jam nga të vetmit që qëndroj i mbuluar me peshqir gjithnjë kurse të gjithë njerëzit që popullojnë këto qendra termale të moshës e seksit të ndryshëm, qarkullojnë totalisht të pa mbuluar. Kjo gjë muamë bën gjithnjë përshtypje, por për moralin dhe mentalitetin gjerman, kjo jo vetëm që është diçka krejt e zakonshme, por edhe që duhet respektuar nga të tjerët. Ja pra që një ide mbi etikën në publik ndryshon krejtësisht nga një shoqëri në tjetrën.

Ju i keni jetuar dy sistemet politike në vendlindje, keni zgjedhur perëndimin si formën më të mirë besoj të zhvillimit socio-profesional. Sa të përparuar janë të huajt në këndvështrimin tuaj?

Personalisht kam qenë i vogël, por periudhën e fundit të sistemit komunist e mbaj mend paksa. Ndaj edhe mundet të dëshmoj transformimin e jashtëzakonshëm që ka pësuar shoqëria shqiptare. Kohët kur im atë thirrej në mbledhje Këshilli të Lagjes, sepse ime motër, fëmijë, thyente një xham duke luajtur me top, fatmirësisht kanë kaluar. Shumë njerëz kanë vuajtur asokohe dhe drama “Natë me Hënë” e Kadaresë është një dëshmi rrëqethëse mbi viktimat që shpesh shkaktonte i ashtuquajturi “Morali Socialist”. Natyrisht, duke qenë një sistem prohibicionist, shkaktonte shpesh rezultate të kundërta me pritshmmërinë e atëhershme.

Sa ju ka ndihmuar modeli familjar në rrënjosjen e këtyre vlerave?

Ah, pyetje e vështirë. Barra e modelit familjar ka qenë tepër e rëndë për mua. Në kuptimin që jam bir i një nëne të cilës nuk i kam parë kurrë të vërë të kuq buzësh. Familje, ku një fjale banale është akoma edhe sot e ndëshkueshme verbalisht nga im atë shtatëdhjetegjashtë vjeçar. Por ju do thoni që çdo njeri kështu do të fliste për familjen e tij. E vërtetë. Për ndershmërinë më kuptimin e mos cenimit të interesit e pronës së tjetrit si dhe ndihmesën, altruizmit ndaj njerëzve, mundet të dëshmoj pa patur frikë se jam munduar ta kem gjithnjë pjesë timen. Duke qenë artist, kam një mentalitet të hapur dhe mënyrë shumë të sinqertë e pa paragjykim për të qëndruar midis njerëzve. Këtë ma ka mundësuar edhe zhvillimi karakterial i gatuar ndër vite në mes mijëra njerëzve nga më të ndryshmit e më të çuditshmit, me të cilët arti më ka bërë të takohem. Ky bagazh njerëzor me mijëra ngjyrime, mbetet për mua një nga pasuritë më të mëdha që kam.

Në rrethet shoqërore jua kanë nxjerrë në pah këto cilësi?

Me siguri nuk jam shembull i perfeksionit dhe vetëm ideja e një diçkaje të tillë më tremb pa masë.

A është shoqëria shqiptare “moraliste”?

Moralisti më shqetëson më tepër se sa ai që mëkon. Vreri dhe etja për të fundosur e gjykuar tjetrin, mendoj se rrjedh nga një frustracion i brendshëm dhe ndjenjë pakënaqësie e theksuar. Në këtë aspekt është normale që siç edhe shoqëri të tjera evropiane edhe ajo shqiptare të ketë qëndrime shpeshherë moraliste. Ama, gurin e fajit askush nuk do ta hidhte po të shikonte thellë në brendësi të vetvetes. Më kujtohet “Don Zhuani” me regjisorin e madh anglez Graham Vick. Shqetësohesh sepse thoshte: “Në shoqërinë e sotme moderne si mundet të arrij të skandalizoj spektatorin duke e bërë të urrejë Don Zhuanin?. Sot vijonte, “çdo njeri në botën e tij të vogël ndihet pak Don Zhuan, ndaj skenat ku shkëmbehen fuzione seksuale e konsumohet alkool nuk do të skandalizonte më askënd si dikur në 1787. Në fund vendosi të organizonte një “festë” me disa të mitur (interpretuar nga aktorë të rritur) sepse përbuzja ndaj krimit të pështirë të pedofilisë mbetet nga të paktat turpe të ndëshkueshëm me të drejtë nga çdo shoqëri!

Arti është gjuha që lidh kombet, a bien ndesh vetitë e mësipërme edhe brenda kësaj fushe?

Në art të gjithë pretendojnë të jenë më të mirët. Të gjithë mundohen të kapërcejnë tjetrin si në garë, për të arritur të parët, shpesh duke përdorur metoda jo kristiane. Nuk e kam menduar kurrë kështu artin, pasi gara është për kuajt jo për artistët. Secili artist është i veçantë edhe në dobësitë e tij dhe i papërsëritshëm. Mirëpo në shoqëri të zhvilluara ku jetoj e punoj, është tejet e rrezikshme të përdhosësh integritetin e kolegut, pasi legjislacioni juridik në këtë drejtim është tepër i ashpër. Në Gjermani, një artist bese bën edhe më të voglin aludim mbi prejardhjen shoqërore, racore, seksuale të një kolegu, mundet edhe t’i thotë lamtumirë përgjithnjë skenës.

Një mesazh përmbyllës?

Dua ta mbyll me një thënie të Bernard Show: “Gjërat më të bukura të jetës ose janë imorale ose janë ilegale ose shëndoshin”. Zgjidhjen bëjeni sipas dëshirës!

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 105

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top