Sociologu Gëzim Tushi shprehet se dhuna e ushtruar tek fëmijët mund të sjellë pasoja katastrofike në shëndetin mendor dhe në personalitetin e tyre. Sipas Tushit, dhuna është e patolerueshme, ndërkohë që ky fenomen sa vjen dhe rritet.
Ky është një alarm që duhet të mobilizojë shtetin që të marrë masat e duhura për ta parandaluar atë. Në një intervistë për Konica.al, Tushi shton se roli i prindërve është shumë i rëndësishëm pasi duhet të tregohet i kujdesshëm për formimin e fëmijëve të tyre.
Duke folur për aftësitë e mësuesve dhe të edukatorëve, Tushi thekson se është e nevojshme që stafi të kontrollohet edhe për shëndetin e tyre mendor, sa të aftë janë për punë dhe të kontrollojnë emocionet e tyre.
Intervistë me sociologun Gëzim Tushi, MJESHTËR I MADH
Sa e përhapur është dhuna tek fëmijët në kopshte dhe shkolla fillore?
Fenomeni i dhunës në kopshte dhe shkollat fillore është një dukuri në zgjerim. Madje pa frikë mund të themi se përmasat e tij mund të jenë në rritje. Doemos është e vështirë për shkak të specifikave që kanë këto institucione të mbyllura për publikun, por dhe për shkak të moshës minore të fëmijëve, të mund të vlerësosh madhësinë dhe intensitetin e shfaqjes së këtij fenomeni antisocial dhe kundëredukativ në kopshtet dhe shkolla fillore të vendit tonë. Por nuk ka rëndësi ana sasiore e problemit.
Qoftë edhe një fëmijë i vetëm të dhunohet nga mësuesi apo edukatorja e tij duhet të përbëjë shqetësim të madh dhe duhet të shoqërohet me një alarm të veçantë psikologjik, social, moral dhe ligjor. Ne duhet të gjejmë rrugët e duhura për të mbrojtur fëmijët e vegjël nga dhuna paradoksalisht e përbindshme dhe e ushtruar pikërisht nga njerëzit e besuar sic janë mësuesit dhe edukatorët. Ne jemi një shoqëri që jemi mësuar historikisht me dhunën, madje paradoksalisht atë e kemi konsideruar në të kaluarën si “mjetin kryesor” të edukimit të fëmijëve.
Kjo ka bërë që kultura e dhunës të ketë qenë e përhapur gjërësisht dhe e përdorur nga prindi në familje dhe mësuesi në shkollë. Reminishencat e kësaj antikulture pedagogjike e kundërkulture sociale i ndeshim edhe sot për fat të keq në kopshte e shkolla. Publike e private. Ideja që fëmija është i paprekshëm dhe i mbrojtur me rigorozitet nga dhuna akoma nuk ka marrë statusin e parimit kryesor në punën pegagogjike dhe mënyrat e edukimit të fëmijëve në kopshte e shkolla.
Cilat janë pasojat që vijnë si pasojë e dhunës fizike dhe sidomos ajo psikologjike?
Pasojat e dhunës janë të shumta e të gjithanshme. Në esencë, dëmet e dhunës mbi fëmijët janë të pallogaritshme dhe pasojat shpeshherë shumë të rënda e deri katastrofike. Dhuna sjell deformacione fizike, psikologjike e shpirtërore mbi fëmijët, duke u kultivuar atyre cilësi sociale të padobishme. Jo vetëm gjymtimet fizike të dhunës që janë të dukshme, por sidomos ato psikologjike janë shumë të rënda.
Fëmijët e traumtizuar që në vogëli nga dhuna pësojnë dëme në formimin e karakterit dhe personalitetit të tyre. Studimet tregojnë se fëmijët e dhunuar apo të përdhunuar, shfaqin anomali serioze të sjelljes individuale e të komportimit social kur rriten. Ata bëhen të frikshëm dhe jo të sinqertë, për pasojë krijojnë qëndrime konformiste e përshtatëse me dhunën. Dhuna është mjeti që pengon zhvillimin e përgjithshëm harmonik fizik, psikologjik e shpirtëror të fëmijës, duke kultivuar cilësi të kundërnatyrshme të cilat pastaj bëhen pengesë serioze në luftën e tyre me jetën. Ngaqë bëhen timidë e konformistë, nuk kanë guxim të shfaqin veten, të reagojnë kundër të keqes, të kenë personalitet të spikatur, aftësi të gjëra të socialitetit dhe ndërtimit të drejtë të marrëdhënieve me të tjerët. Dhuna mbi fëmijët nuk ka asnjë vlerë dhe nuk sjell asnjë të mirë në procesin e rritjes normal të fëmijëve.
Çfarë duhet të bëjnë prindërit kur fëmija e tyre është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht? Cilat janë hapat që duhet të ndërmarrin?
Prindi është “dedektori” i parë dhe indikatori kryesor për zbullimin e dhunës së ushtruar mbi fëmijën e tij. Dhuna ka shenjat e veta. Disa të dukshme, por pjesa më e rëndësishme është e padukshme. Prindi nuk duhet të kontrollojë fëmijën vetëm për gjurmët e dukshme të dhunës fizike. Ai duhet të bëhet “psikolog” për fëmijën e tij dhe të intervenojë thellë në shqetësimet që ka fëmija si rezultat i dhunës psikologjike të ushtruar nga mësuesi dhe edukatori. Pasojat e të cilës janë më të rënda se ajo fizike.
Prindi duhet të dallojë jo vetëm gjendjen e shëndetit fizik të fëmijës, por edhe atë të shëndetit mendor dhe shpirtëror. Që shfaqen në situatën e përgjithshme të fëmijës, ndryshimet e humorit, gjendjes emocionale, frikërave, ankthit, prishjes së regjimit të mëparshëm të gjumit, refuzimit për të shkuar në kopësht apo shkollë. Këto janë sinjale që prindi duhet t’i vlerësojë seriozisht dhe maksimalisht dhe pas verifikimit duhet t’i “problematizojë” në shkollë apo në kopësht.
Cili duhet të jetë roli i shtetit për të eliminuar dhunën në kopshte?
Shteti ka detyrë të kontrollojë standardet e ofrimit të shërbimit në kopshte e shkolla. Kjo punë nuk duhet të jetë rutinë apo proces i realizuar formalisht. Duhen përpunuar instrumente më të holla e më inteligjente për të diktuar nivelin e dhunës që ushtrojnë mësuesit dhe edukatorët në shkolla e kopshte. Nga ana tjetër, unë besoj se në stafet e rekrutuara të mësuesve dhe edukatorëve ka edhe njerëz të papërshtatshëm për ta kryer këtë detyrë.
Nuk do ishte e tepërt që stafet të kontrollohen edhe për nivelin e shëndetit mendor dhe aftësitë e duhura për administrimin emocional të vetes. Ndërkaq, për dhunën mbi fëmijët nuk duhet të ketë asnjë “parashkrim”. Asnjë tolerancë e lëshim. Zero tolerancë për çdo mësues dhe edukator që përdor dhunë mbi fëmijët. Kjo kërkon që inspektoriatet dhe inspektorët të ndihen më të përgjegjshëm kur bëjnë vlerësimin e standardeve dhe bëhen garantë për licencat e këtyre institucioneve. Një ndërgjegje humane e qëndrim qytetar e moral i lartësuar i inspektorëve të arsimit dhe institucioneve të licencimit dhe kontrollit do të ishte jashtë mase i domosdoshëm.
Psikologia e kopshtit ku u dhunua fëmija tha se rasti nuk është i rëndë. Si e komentoni këtë deklaratë?
Kjo tregon se nëpër kopshte ne nuk kemi edukatorë profesionalisht të formuar, me standarde e koncepte të qarta për mënyrat e edukimit në kopshte e shkolla, por ca profanë që akoma kanë mbetur në kufijtë e konceptit primitiv të madhësisë dhe dimensioneve të dhunës.
Psikologia duhet të mësojë në qoftë se nuk e di se fëmijët nuk duhen qëlluar “as me lule”, jo më pastaj me mjete të tjera të dhunës fizike apo “gjuhën e drunjtë” të dhunës psikologjike. Fëmija është në të gjitha rastet i paprekshëm dhe i mbrojtur nga çdo formë e dhunës fizike apo psikologjike. Kush nuk e kupton këtë imperativ pedagogjik është mirë të ndërrojë profesionin e tij sa nuk është vonë për të.
Dhuna është e përhapur më shumë në kopshtet private apo ato shtetërore?
Nuk di ta bëjë këtë diferencim, sepse akoma nuk ka një informacion publik apo studime të thelluara për përhapjen e fenomenit të dhunës në kopshte e shkolla. Por kam përshtypjen se kontrolli në kopshtet private duket të jetë më i ulët. Nuk ështrë rastësi që shumica e rasteve të dhunimit të fëmijëve të konstatuara kohët e fundit kanë qenë evidentuar dhe raportuar në kopshtet private.
Cili është raporti i fëmijëve të dhunuar në Shqipëri?
Fëmijët, për fat të keq, akoma janë viktima të dhunës që ushtrohet nga prindi në familje dhe mësuesit dhe edukatorët në shkollë. Në familje është vështirë evidentimi i përmasave të dhunës që ushtrohet mbi fëmijët, sepse familja është institucion i mbyllur i jetës private. Kjo e bën të vështirë evidentimin e fenomenit dhe llogaritjen e shkallës së përhapjes së saj. Kurse në shkollë situata duhet të jetë ndryshe.
Burimi:konica.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.