Këshilla & Arsye

August 5, 2017 | 8:45

Gjeni që rrit dëshirën për të udhëtuar sa më shumë…

drd4-7r

A keni menduar ndonjëherë se përse disa njerëz kanë më shumë dëshirë sesa të tjerët për të udhëtuar? Jo vetëm dëshirë për të udhëtuar, por për të zbuluar destinacione të cilat kthehen në një sfidë me veten. Zbulime vendesh ku nuk kërkohet rehatia dhe relaksi por adrenalina, të cilat pjesa më e madhe e njerëzve të tjerë nuk i kanë parë kurrë.

images3

Dhe a keni pyetur veten ndonjëherë se përse këta individë janë shumë të gëzuar kur udhëtojnë dhe menjëherë sapo përballen me rutinën, ata ndryshojnë plotësisht, për të mos thënë që tjetërsohen dhe madje disa edhe bien në depresion?

Kjo çështje është trajtuar shumë nga studiues të ndryshëm dhe nga kërkimet e fundit shkencore është arritur në përfundimin se ata njerëz të cilët bien në depresion menjëherë sapo i kthehen rutinës dhe e kanë të vështirë të dalin nga kjo gjendje për një kohë shumë të gjatë, kanë sipas shkencëtarëve gjenin e njohur me emrin “DRD4-7R”, i cili mendohet të jetë i pranishëm në rreth 20 për qind të popullsisë.

DRD4-7R

DRD4 është një receptor që na ndihmon në kontrollin e niveleve të dopaminës në trurin tonë. Dopamina është një stimulues organik, e cila prodhohet në trupin tonë, veçanërisht në rastet kur ne ndihemi të lumtur dhe është gjithashtu edhe një pararendës i substancave të tjera, duke përfshirë edhe adrenalinën.

Rreth 20 për qind e popullsisë mendohet ta kenë këtë lloj gjeni dhe janë pikërisht këta njerëz ata që kërkojnë përvoja në të cilat çlirohet më shumë dopaminë. Aleli 7R është prezent në ato raste kur ndihet rritja e rrezikut, kuriozitetit apo edhe çrregullime të ndryshme psikiatrike, duke përfshirë këtu edhe alkoolizmin dhe varësinë nga droga.

Dr. Richard Paul Ebstein, profesor i Psikologjisë në Universitetin Kombëtar të Singaporit, e ka studiuar DRD4-7R për më shumë se dy dekada dhe beson se ka patjetër një marrëdhënie midis këtij gjeni dhe dëshirës për t’u përballur gjithnjë me gjëra të reja, me aventura, aty ku adrenalina është në nivelin më të lartë.

Studime të tjera kanë lidhur alelin me migrimin njerëzor. Në vitin 1999, kërkime nga Universiteti i Kalifornisë sugjeruan se aleli 7R ishte më i përhapur në kulturat migratore sesa në ato të vendosura në një vend të caktuar.

Kërkime të tjera tregojnë se njerëzit me këtë gjen përshtaten më lehtësisht me jetën dhe kulturën nomade. Po të njëjtat studime tregojnë se ata me alelin 7R, përshtaten me lehtësisht me jetën në fshat në krahasim me njerëzit e tjerë pa këtë gjen dhe që nuk kanë jetuar më parë në fshat.

Kultura dhe mjedisi gjithashtu luajnë rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin se si funksionojnë gjenet. Madje disa studime thonë se këto efekte mjedisore ndryshojnë në të vërtetë mënyrën e funksionimit të gjeneve./Monitor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top