Të jesh një nënë e re është e vështirë. Të gjithë kanë pritshmëri ndaj jush (edhe ju vetë) dhe është shumë e lehtë të ndiheni nën presion dhe ankth. Sikur presioni i jashtëm të mos jetë i mjaftueshëm, ka gjëra që ne bëjmë vetë që shkaktojnë akoma më shumë stres.
8 gjëra që çdo nënë e re mund të bëjë për të ruajtur shëndetin e saj mendor dhe lumturinë:
- Hiqni dorë nga mediat sociale dhe fokusohuni në jetën reale
Pavarësisht se rrjetet sociale dhe gjithë komunikimi virtual mund të duket sikur ju “shpëton” nga lodhja, detyrimet e përgjegjësitë, ato mund të kenë edhe ndikim shumë negativ. Mbështetja e tepërt në mediat sociale mund t’ju bëjë të ndiheni sikur nuk keni nevojë për mbështetje personale. Dhe ndërsa lehtësia e komuniteteve në internet mund ta bëjë më të lehtë arritjen e ndihmës ndonjëherë, ka një vlerë të jashtëzakonshme një bashkëveprimin shoqëror ballë për ballë.
Veçanërisht për nënat e reja, të kesh një të rritur tjetër me të cilin mund të kalosh kohë personalisht, mund të ndihmojë në zvogëlimin e ndjenjës së izolimit, depresionit etj.
- Ndryshoni listën tuaj të përmbushjes së detyrimeve
Me kaq shumë gjëra për të bërë dhe aq shumë mendime në kokën tuaj, e kombinuar me privimin e gjumit, do të ishte e lehtë të harroni detyrat. Por nëse mbani një listë detyrash do të jetë më e lehtë. Ndani detyrat për secilën ditë, p.sh: të martën caktoni pazarin. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që ndarjen ta bëni në bazë të prioriteteve, të gjërave që janë më urgjente për t’u bërë, në mënyrë që nëse ju duhet të lini diçka pa bërë, të jenë ato më pak të rëndësishmet.
- Besojini intuitës suaj
Shumë studime kanë treguar se intuita nuk është vetëm një “fiksim” juaji. Një nënë e di mjaft mirë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo për fëmijën, prandaj bëni atë që ju thotë zemra apo instinkti.
- Mos u fokusoni në rikthimin e formës së mëparshme fizike
Fiksoni diçka në mendjen tuaj: Shtatzënia dhe lindja ndryshojnë përgjithmonë trupat tanë dhe kurrë nuk mund të rikthehen njëlloj siç kanë qenë më parë. Prandaj, menjëherë pas lindjes përqendrohuni në shërimin dhe rikuperimin e plotë, sepse më vonë do të vijë koha edhe për kujdesin e anës së jashtme të trupit.
- Mjaft krahasuat veten me nënat e tjera dhe fëmijën tuaj me fëmijët e tyre
“Ajo e ka shtëpinë më të pastër, ajo po e bën punën si nënë më mirë se unë, ajo e ushqen me qumësht gjiri fëmijën, fëmija i saj ka shtuar më shumë peshë se imi”, – janë mendimet që ju vjedhin lumturinë. Mos e krahasoni veten me nënat e tjera, por shijoni rrugëtimin tuaj dhe rritjen e fëmijës suaj, duke marrë parasysh që secili ka ritmin e tij.
- Gjeni kohë për të pushuar
Ju vërtet dëshironi të jeni një nënë shumë e mirë dhe të kryeni çdo detyrë tuajën, por mos harroni që ndonjëherë keni nevojë të rrini pa bërë asgjë. Kjo kohë është e nevojshme për të rimbledhur energjitë fizike, mendore e shpirtërore për të qenë edhe më produktive më pas.
- Kini parasysh se kjo periudhë nuk zgjat përgjithmonë
Netët pa gjumë, lodhja, shtëpia rrëmujë, dhimbjet fizike, kilet e tepërta nuk do të zgjasin përgjithmonë. Gjithçka do t’i rikthehet shumë shpejt normalitetit.
- Ju po përmirësoheni çdo ditë
Çdo ditë që kalon ju bën më të forta, më të sigurta, më me përvojë edhe pse në afat të shkurtër kohor nuk e kuptoni këtë, por kur kalon kohë do të vini re se keni arritur shumë.
Burimi / pernenat.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.