Mënyra se si jetoni, ajo çfarë hani dhe pini, si dhe trajtimi që i bëni trupit tuaj mund të ndikojë në kujtesën tuaj po aq shumë sa mirëqenia dhe shëndeti fizik.
Ja çfarë mund të bëni çdo ditë që të mbani si trupin edhe mendjen të shëndetshme:
Menaxhoni stresin
Streset ditore si presioni i afateve kohore apo zënkat e vogla, mund t’ju shpërqendrojnë dhe të ndikojnë në aftësinë tuaj për t’u përqendruar dhe për t’u kujtuar. Por, problem më i madh është një ndjenjë e vazhdueshme ankthi, që mund të çojë në dëmtimin e aftësisë për të kujtuar. Frymëmarrjet e thella, meditimi dhe joga, mund të jenë mënyra se si ta menaxhoni stresin.
Bëni një gjumë të mirë
Njerëzit që nuk flenë mirë gjatë natës, harrojnë më shumë se sa ata që bëjnë një gjumë të rehatshëm. Një natë e mirë gjumi është thelbesore për konsolidimin e kujtimeve. Arsyeja më e shpeshtë e mungesës së gjumit është insomnia, vështirësia për të rënë dhe për të qëndruar në gjumë. Fatkeqësisht, shumë ilaçe që përdoren për të trajtuar insomninë, gjithashtu mund të dëmtojnë kujtesën dhe funksionin e përgjithshëm të trurit. Kjo është arsyeja se përse është më mirë që fillimisht të përmirësosh zakonet e të fjeturit dhe t’i përdorësh ilaçet si një zgjidhje të fundit. Nëse keni nevojë për ilaçe, përdorni dozën më të vogël të mundshme për një kohë sa më të shkurtër deri në përmirësimin e gjumit.
Hiqni dorë nga duhanpirja
Konsumuesit e duhanit kanë një shkallë më të lartë të humbjes së kujtesës dhe probleme të tjera me kalimin e moshës , se sa ata që nuk e konsumojnë duhanin. Personat që pijnë më shumë se dy paketa cigaresh në ditë gjatë moshës së mesme kanë një risk më shumë se të dyfishuar për zhvillimin e demencës gjatë plakjes, se sa ata që nuk pijnë duhan.
Nëse pini alkool, bëjeni këtë në mënyrë të kontrolluar
Konsumimi i tepërt i alkoolit rrit riskun për humbje të kujtesës dhe demencë. Njerëzit e alkoolizuar kanë vështirësi në kujtesën afatshkurtër, si për shembull mbajtja mend e listave. Një tjetër lloj i humbjes së kujtesës për shkak të alkoolit quhet sindroma e Korsakofit. Në këto raste, defiçenca afatgjatë e vitaminës B1 e kombinuar me efektet toksike të alkoolit në tru, mund të shkaktojë amnezi të papritur dhe të menjëhershme. Në disa raste kjo humbje e kujtesës mund të jetë e përhershme, por nëse kapet herët, mund të kthehet deri në njëfarë mase.
Mbrojeni trurin nga dëmtimet
Trauma e kokës është një shkak kryesor i humbjes së kujtesës dhe rritjes së riskut për të zhvilluar demencë. Përdorni gjithmonë mjetet e duhura gjatë aktiviteteve me shpejtësi të madhe dhe sporteve të kontaktit. Mbani një kokore kur i jepni biçikletës, motorçikletës, kur bëni ski etj. Vendosni rripin e sigurimit kur udhëtoni me mjete motorike. Aksidentet me makinë janë ndër shkaqet më të shpeshta të dëmtimeve të trurit, dhe vendosja e rripit të sigurimit, redukton në sasi të mëdha shanset për një dëmtim të rëndë të kokës.
Burimi / shendeti.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.