Gjatë jetës kemi pasur raste kur e kemi provuar në lëkurën tonë sa të lëndon fakti të mos themi në kohë çfarë nuk na pëlqen te personi që kemi pranë, apo te miqtë… pak sinqeritet, veshur me sjellje elegante, pa cepa të errët apo lëndime të pafalshme, bën mirë në çdo lloj marrëdhënieje. Duket një mënyrë hipokrite kur themi se nuk na bëjnë përshtypje gabimet e të tjerëve karshi nesh, kur ato na lëndojnë, na prishin humorin, na mundojnë dhe na pengojnë të hapim zemrën.
Në dashuri kemi të bëjmë, sidomos në vitet e para, me njëfarë “miopie emocionale”. Nuk shohim asnjë defekt të rëndësishëm, sepse jemi ende nën magjinë e dashurisë, por, gradualisht, kur krijohet një hapësirë kohore midis puthjes së parë dhe… mallit për të, fillojmë të shohim dhe çfarë nuk na pëlqen. Dhe kur kjo lloj hapësire thellohet edhe me heshtjen, sytë tanë bëhen edhe më të trishtë, shohim në një drejtim tjetër, ose shpesh mbushen me lot.
Në miqësi zbulojmë se është më e thjeshtë t’i evitosh këto biseda dhe na duket se e pranojmë njëri-tjetrin kështu siç jemi, por, pavarësisht kësaj, nuk arrijmë ta çojmë deri në fund një miqësi, ku janë shtuar shumë sjelljet e papërshtatshme. Dikur, miqësia vinte “paketë” bashkë me sinqeritetin, me altruizmin, me komunikimin e hapur për çdo gjë, pa pasur frikë nga tradhtia ose thashethemet, me nderin, solidaritetin, përballjen publike kur miku/mikesha sulmohet. Nuk mund të kemi besim te “miku” ynë, i cili krijon miqësi me “armikun” tonë. Çështja maskohet nga hipokrizia, pasi mendojmë që nuk kemi pse të ndërhyjmë në jetën e tjetrit, se nuk janë “luftërat” tona. Bëhemi mosbesues ndaj një miqësie, të cilën e mendonim të fortë dhe të vlefshme. Sigurisht, nuk mund t’i prishim marrëdhëniet me ata që shokët tanë u kanë dhënë fund, por, me një karakter të vendosur, mund t’u tregojmë atyre se nuk jemi aspak dakord kur miqtë tanë shkelen me këmbë, se nuk na pëlqen aspak… ose mund të kërkojmë argumente që mund të na bindin se është në të mirën tonë të largohemi nga shoku tjetër.
Të gjithë kemi çaste kur nuk jemi në humor apo çaste të vështira, dhe kur nuk ia dalim t’i zgjidhim këto duke u izoluar, atëherë thërrasim në ndihmë miqtë. Ata miq, përpara të cilëve kemi besim të hapim shpirtin dhe mendjen, që dinë më shumë për ne edhe se vetë prindërit tanë. Në përgjithësi, kërkesat tona karshi miqësisë janë në dukje modeste, nuk duam të jenë superheronj, nuk i zgjedhim sipas cilësive fizike, sipas llogarive bankare apo funksioneve publike, por sipas një sinkron pasionesh dhe preokupimesh, të cilat i kemi të përbashkëta, sipas harmonisë gjatë bisedave dhe argëtimit. Nganjëherë, i marrim me vete dhe i mbartim që nga fëmijëria, sepse kemi një të kaluar të përbashkët, sepse ndihemi të barabartë dhe sepse kemi evoluar në mënyrë të ndryshme, sepse kemi si bazament të njëjtat parime mbi miqësinë. Një shoqëri me parime, ndoshta nuk është ajo që na rrethon, sikur e ndjejmë në të përgjithshmen tonë, prandaj miqësia mbetet aq e kërkuar dhe ka kaq shumë kuptime për ta mbrojtur ende. Nuk besoj në haters, në ata të cilët kanë diçka për të komentuar për çdo gjë, në ata të cilët kanë më “të mprehtë” kritikën sesa mirësinë. Nuk besoj se një njeri shpreh mendime të kundërta me tjetrin, duke menduar se duket i pavarur dhe i zgjuar. Përkundrazi, mendoj se ai është një njeri që ka humbur mirësinë, lidhjen me shpirtin e tij dhe nuk ka asgjë interesante për të thënë për veten. Të thuash çfarë mendon është virtyt, për sa kohë fjalët nuk lëndojnë thellë, nuk shkatërrojnë ëndrrat, nuk ndryshojnë fatet. Mund të zgjedhësh të jesh i sinqertë ose i drejtpërdrejtë sa herë nevoja dhe rrethanat e kërkojnë, por, çdo herë, mendo sikur je në vendin e tjetrit dhe përgatitu të jesh i gjykuar dhe i analizuar në të njëjtën mënyrë. Mund të kërkosh “mbështetje” në rritjen e duhur, të cilën e ke trashëguar që në vitet e para të jetës. Ajo na ka mësuar t’u buzëqeshim edhe armiqve, të dimë të komunikojmë mirë duke zgjedhur gjithmonë fjalët e duhura për të evituar çdo lloj konflikti dhe për të ndërtuar marrëdhëniet e mira me të gjithë, por nuk mund të kesh miq të vërtetë gjatë gjithë jetës, intimë dhe aq të nevojshëm, për sa kohë je njeri me dy fytyra ose vepron vetëm sipas interesit tënd, nga egoizmi për t’u dukur mirë në sytë e të tjerëve. Kur ka ndodhur të jeni sulmuar padrejtësisht, e keni ndjerë shumë herë shijen e hidhur të mungesës së veprimit nga ana e miqve. Na pëlqen të shohim që të paktën një nga shokët të përveshte mëngët dhe të niste “të luftonte” për ne, për të na mbrojtur dinjitetin. Është e vërtetë që disa prej nesh mund të duken si modeli që ia del vetë në çdo çast dhe në çdo situatë, por është e sigurt se do të na pëlqente t’i shikonim miqtë tanë – të cilët përherë kanë pasur nevojë për diçka nga ne, nisur nga prania jonë deri te ndikimi ynë në shoqëri – të dilnin si zë për të na mbrojtur. Sigurisht, nuk bëhet fjalë këtu për miqtë e shtrenjtë me të cilët njihemi prej vitesh, të paktë në numër, por shumë të vërtetë dhe të dhimbsur, por për “miqtë sipas rrethanave”, të cilët na deklaronin dashurinë e përjetshme për sa kohë kishin nevojë për diçka nga ne: kohë, ngushëllim, strehë shpirtërore, mbështetje shoqërore dhe jo vetëm. Fati ynë është të dimë të bëjmë diferencën.
Besoj se të gjithë duhet ta bëjmë këtë analizë në njëfarë momenti, për më tepër kur përgatitemi të vëmë jetën tonë në dorën e miqve. Nuk është rasti të përdorim një zë kategorik, nervoz, me të cilin t’i qortojmë kur gabojnë, por të përfitojmë nga daljet tona së bashku, nga bisedat mbi diçka dhe mbi asgjë, nga kafetë dhe vaktet e përbashkëta, ku t’i thërrasim së vërtetës në emër, t’i thjeshtësojmë sadopak këto marrëdhënie, duke u shprehur hapur për atë çfarë na pëlqen apo jo, për atë çfarë kuptojmë apo keqkuptojmë. Do të na rezultojë një miqësi më e fortë ose përfundimi i një marrëdhënieje të pakuptimtë. Ekziston aq shumë gëzim dhe mirëqenie brenda një marrëdhënie korrekte, por aq shumë kujdes në ndërtimin e urës midis dy shpirtrave.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.