Me origjinë nga Mirdita, por me një karrierë të spikatur në Durrës. Gjergj Doçi, ky emër i njohur tashmë në skenën teatrore, është aktor i atij brezit që padyshim nuk lë shumë vend për gjykime. Shumë vite pas diplomimit, ai vazhdon t’i ketë të qarta pritshmëritë e së ardhmes, ndërsa për momentin të garanton e të bind njëherazi ta ndjekësh lojën e tij deri në fund të shfaqjes. Dhe këtë e bën pa mundim, duke të penetruar në veshin artistik me timbrin e tij të skalitur, e duke bërë që vepra, dramë a tragjedi nëse është, të të përshkojë me gjithë emocionin e saj.
Gjergj Doçin e fiksova fort në kujtesën time, ndërsa luante rolin e kujdestarit tek “Elektra” e Sofokliut. Një monolog në mesin e shfaqjes, aty ku magjia e fjalës bëri të mbanin frymën spektatorët e platesë. Kjo sprovë padyshim vinte nga një përvojë e ngjashme interpretuese, por dhe vetë sharmi i Gjergj Doçit bëri që fjalët e shkruara më shumë se dymijë vjet më parë në gjuhën helene, të këndonin në shqip. Shfaqja tjetër, e cila gjithashtu më la mbresa, ishte “Natë misterioze” e dramaturgut shqiptar Ferdinand Hysi, ku Gjergj Doçi interpretonte në rolin e një ish-mësuesi.
Por më parë se kaq, aktori i njohur i skenës “Aleksandër Moisiu” do t’i jepte frymë një vepre të jashtëzakonshme, shkruar prej një prifti françeskan. “Rrno për me tregue” i At Zef Pllumit, do të mbetet përjetësisht roli emblematik i aktorit Gjergj Doçi!
Pse pikërisht “Rrno për me tregue”?
Më kërkon babai një ditë dhe më thotë: “Gjergj, jam kënaq. Është hera e dytë që lexova “Rrno për me tregue”. Vërtet jam kënaq. Do ta caktoj një detyrë, të ma bësh si nder. Dua ta lexosh këtë libër dhe pasi ta lexosh, eja të bisedojmë”. Sinqerisht që, deri atë çast nuk kisha ndonjë plan për ta lexuar. Babai im u bë shkaktar. E mora librin ta lexoja. U përballa me një sprovë të cilën jo vetëm e kisha jetuar, por e kisha ndeshur edhe te shoqëria që na rrethonte.
Spaçi, vendlindja juaj, por edhe vendi i burgut famëkeq, sa ndikoi në jetën tuaj?
Unë e kam pasur shtëpinë tre kilometër larg nga burgu i Spaçit. E kam edhe sot atë shtëpi, ndodhet buzë rrugës së makinave, pavarësisht se aty nuk jeton më njeri. Prej oborrit të shtëpisë shihnim çdo lëvizje, të burgosurit, familjarët e tyre kur shkonin për t’i takuar. Nuk mund t’i harroj sa të jem gjallë. Më kujtohet në një prej atyre viteve tek kthehesha nga Kukësi për të qëndruar një ditë te prindërit, sepse në atë periudhë punoja në estradën e Kukësit. Pasi hëngrëm darkë, dëgjuam të lehurën e qenit dhe menjëherë pas tij dikush thirri nga jashtë te cepi i oborrit: “O i zoti i shtëpisë”. Ne jemi nga Kukësi dhe kemi një hall”. Nanën e kemi të lodhun, me na e strehu brenda”. “Si more mos me e strehu nanën, atë dhe ju bashkë”, ia ktheva. Megjithatë, tjetri ngurroi pak e më tha: “Nuk duam t’ju bëjmë keq, se e di që nuk i lejoni familjet e të burgosurve”. Atëherë ia ktheva: “Dy rrugë ka: ose do vini ju brenda ose do të fle dhe unë me ju në rrugë”. Dhe kështu u futën brenda. U shtruam në bisedë. Ata ishin familje komunistësh, më anëtarë partie në shtëpi, por një vëllai i tyre kishte rënë në burg. Dhe ata kishin ardhur për ta takuar. Ai ishte në burgun e Spaçit, por jo te seksioni i të dënuarve politikë, por te ata ordinerë. Kishte bërë sherr, ishte rrahur e prerë në kooperativë dhe e kishin burgosur. Unë paskësh pas ngrënë shumë herë bukë në shtëpinë e tyre, dolëm edhe miq edhe të njohur. Dua të theksoj se, familja ime nuk e bëri këtë për të qenë heronj, por sepse do ta bënim për këdo që nata e kishte zënë në mes të rrugës.
Po me At Zef Pllumin keni pasur ndonjë njohje?
Unë nuk jam takuar asnjëherë me At Zef Pllumin. Nuk e kishim këtë mundësi. Në një ceremoni organizuar “At Zef Pllumi ambasadori tha: Dante Aligeri nuk e shkroi ferrin për ju, por për ne. Dhe vërtet, të tjerët e panë nga larg ferrin, ndërsa Zef Pllumi, por dhe shumë të tjerë e përjetuan ferrin”. Dhe unë në fund tek monodrama bëj një thirrje, ngre një pyetje që akoma nuk ka marrë përgjigje, sepse do të duhet edhe shumë vite të tjera që të merret kjo përgjigje. “Unë jam i lirë, po iki, po dal. Po rroj për të treguar, dhe kam frikë, kam shumë frikë, nuk e di. Liria përtej këtyre mureve a do të jetë e vërtetë apo jo?!” Këtë përgjigje nuk e marr dot tani.
Fakti që ju e njihnit realitetin e Spaçit ua bëri më të afërt veprën e At Zef Pllumbit me qëllim që ta vinit në skenë?
Dramaturgu Bashkim Hoxha bëri një monodramë, duke e parë ndryshe. Këndvështrimi i tij kishte të bënte me anën njerëzore të jetës në burg dhe jo me trajtimin radikal dhe egërsinë. Jeta në burg nuk ka vetëm egërsi, ka edhe dashuri mes njëri-tjetrit. Është i njëjti hall që i ka bashkuar të gjithë në të njëjtin vend, të rrethuar me tela me gjemba e roje të armatosur. Këtu është dhe ana njerëzore e secilit prej të dënuarve. Ndaj dhe Bashkim Hoxha paraqiti pikërisht këtë anë njerëzore, gjë që mua më pëlqeu. Adelina Muça u caktua si regjisore. Ajo punonte te Teatri i Metropolit atë kohë dhe meqenëse kishte vajzën e vogël unë sakrifikova, nisesha nga Durrësi në Tiranë me qëllim që të realizonim vënien në skenë të veprës. Punuam bashkë më përkrahjen e Bashkim Hoxhës. Dhamë premierën. Vepra është rreth 60 minuta, të cilën unë e mbaj me tërë shpirtin.
Çfarë është për ju “Rrno për me tregue”?
Unë nuk kam marrë përsipër të luaj At Zef Pllumin. Kjo është më e bukura. Unë po rrëfej për të burgosurit. Janë rrëfimet e njërit prej tyre, At Zef Pllumit, ishte i motivuar prej tij. Kur ai thotë: Miku im Mehmet Isufi, bëri këtë e atë, … ai është i gjithi At Zef Pllumi. Aty nuk ishte një At Zef Pllumi, ishin shumë të tillë. Kampi i Spaçit ka qenë një bedenë. Është fatkeqësi e madhe që u prish “Mathauzeni” shqiptar, ku në njërën anën të tij, në një qoshe, ishte kapmi i të burgosurve politikë, ndërsa në rrethin e ndarë me gardhe me tela e roje ishin të dënuarit ordinerë, hajdutë etj. Por çfarë ndodhi? Kur erdhi demokracia, zëri i të dënuarve politikë pak u dëgjua, ndërsa ordinerët dolën heronj. Ky është fataliteti.
Cili është mesazhi që kërkoni të jepni nëpërmjet kësaj shfaqjeje?
Ka një pjesë të dënuarish politik që heshtin, nuk flasin. Ka nga ata që kurrë nuk janë marrë me politikë. Por ka dhe nga ata që e kanë zhvatur shoqërinë dhe sot kërkojnë poste, ofiqe, para, shpërblime. Vënia në skenë e një monodrame është misioni im për At Zef Pllumin. Prandaj bëj pyetjen madhore: A do jetë e vërtetë kjo liri atje jashtë? Mendoj se nuk është e vërtetë, pasi liria është e uzurpuar.
Sa i realizuar ndihesh me këtë vepër?
Unë jam i pari aktor në skenën shqiptare që luaj një pjesë të motivuar nga “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumin. Ajo që më bën të ndihem i plotësuar në këtë mision kushtuar At Zef Pllumit, është se falë bashkëpunimit më është bërë një ofertë ku jam ftuar për ta dhënë këtë shfaqe në Skoci. Dhe ky është treguesi më i mirë besoj.
Si u prit premiera e kësaj monodrame në Durrës?
Ç’është e vërteta u prit jashtëzakonisht mirë. Për herë të parë jam ndjerë i lumtur kur dy prindërit e mi pas shfaqjes hipën në skenë dhe bënë fotografinë me mua në skenë. Sot ata nuk janë më, por ishte babai katalizatori i parë, ai që më shtyu, më nxiti ta bëj këtë vepër. Kur mbaroi shfaqja më tha: “Unë nuk ka problem, iki i qetë se m’u realizua pengu im, dëshira ime!” Në 2013, shfaqja përfaqësoi Durrësin në Festivalin e Monodramës në Vlorë. Kanë qenë 13 monodrama, unë e hapa i pari pasi vepra i takonte At Zef Pllumit. Atë vit çmimin e mori Prishtina. U ndjeva shumë mirë. Pas shfaqjes më vjen Albert Vërria, më uron e më thotë: “O Gjergji, qenke shumë i mirë. Do vij të bëjmë bashkë një monodramë. Unë nuk mundem fizikisht, por ta drejtoj unë e ta interpretosh ti”. Por nuk mundëm dot për arsye që njihen. Mbaroi festivali e filluan shumë angazhime të tjera. Më pas regjisori Laert Vasili, të cilit i jam shumë mirënjohës, më futi në dy projekte, një prej tyre ishte “Elektra”, ndërsa regjisori Hervin Çuli më ofroi rol te “Shërbëtori i dy zotërinjve”. Ndërsa regjisorja e teatrit të Durrësit, Driada Dervishi më ka dhënë role të Shekspiri dhe Çehovi. Por kini parasysh që me “Rrno për me tregue” u ngjita në skenë pas 20 vitesh.
Përse një ndërprerje kaq e gjatë dhe si u ngjitët sërish në skenë?
Kisha lëvizur me punë në disa rrethe, por jo plotësisht në profesionin tim, kisha shkuar në emigracion, pra gjërat nuk kishin shkuar ashtu siç do doja. Para 8 vitesh nisa punë në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Asokohe iu drejtova Vangjush Dakos, Kryetarit të Bashkisë, dhe i kërkoj të filloj punë në teatrin e Durrësit. Ai më ndihmoi dhe m’u hapën dyert e “Aleksandër Moisiut”. Më pas erdhi propozimi i Bashkim Hoxhës. Nuk kishte vend për dyzim, ndaj mora vendimin: ose të gjitha ose asnjë! Ishte emocion i madh të dilje në skenë pas 20 vitesh. Ishte shumë e frikshme mund të them. Kur i kthehem pas, mendoj se dhe vendimi im ishte gjithashtu shumë i guximshëm, një aventurë, një çmenduri. I kishte të gjitha brenda, vetëm racionalen nuk e kishte. Një njeri me dy para mend nuk mund ta merrte përsipër tërë atë inkursion. Por sot, që kanë kaluar të gjitha, unë them: të çmendurit i bëjnë gjërat e mira!
Do të pëlqente të shkruanit dhe ju një libër autobiografik e të ishte dikush tjetër t’ju interpretonte në skenë?
Do ishte fantastike. Dikur nëna ime krenohej kur unë dilja në emision. Ka qenë një emision që transmetohej në Radio Tirana: “Fjala artistike në ekran”. Ajo thoshte: “Jam nëna e Gjergjit”, mburrej. Ishte një shpërblim shumë i madh moral.
Dua të ndajmë për lexuesit kujtimet e periudhës kur ju keni interpretuar në film apo teatër, emocionet e asaj kohe pas studimeve, roleve para viteve ‘90, çastet që vlen t’i rikthejmë në vëmendje?
Mbarova shkollën e lartë në vitin 1979. Mbrojta diplomën në ish-Teatrin Popullor me shfaqjen “Furrnalta” vënë në skenë nga regjisori Pirro Mani. Në Institutin e Arteve ishim një brez shumë interesant. Një brez fantastik mund të them. Megjithëse ka pasur prej tyre që morën një tjetër drejtim. Më kujtohet një miku im nga Lushnja, Misto Daka. Ai pati luajtur “I sëmuri për mend” i Molierit. Ndjesë pastë pasi nuk jeton më, ai ishte shumë i talentuar, aktor me një batutë të mrekullueshme. Pirro Mani i bëri kërkesë ministrisë për ta sjellë Misto Dakon në Teatrin Popullor. Ai i kishte dokumentet në Teatër, por emërimin në Lushnjë. Teatri kishte nevojë për të, sepse plotësonte rolet e karakterit, ashtu si në rastin e Ndrek Shkjezit apo të Gjon Karmës, të cilët ishin aktorë shumë të dashur për spektatorët. Por nuk ia dhanë Miston. Madje nuk e lanë as në Lushnjë, por e çuan në Krutje, si përgjegjës kulture të kooperativës. Sot për këtë njeri, për talentin e tij, unë bëj homazh. Është obligim shpirtëror.
Po ju ku do të emëroheshit?
Pasi mbrojtja diplomën, më emëruan në Kukës. Qëndrova 5 vjet e gjysmë në Estradën e Kukësit. Dy ditë rrugë për të shkuar nga Tiranë në Kukës. Për herë të parë e pashë këtë qytet kur mbarova shkollën e lartë. Prej estradës së Kukësit kalova regjisor në Pallatin e Kulturës në Gramsh, ku më transferuan vetëm për një vit, sepse në atë kohë u nda nga jeta regjisori i Pallatit të Kulturës. Më pas u transferova në Korçë për gati 5 vjet, ku punova në shtëpitë e kulturës së kooperativave të rrethit. Prej Korçës erdha në Durrës, i cili kishte në varësi Kavajën dhe më çuan regjisor në Pallatin e Kulturës në Kavajë ku do të qëndroja deri në vitin 1998, plus një vit asistencë deri në ‘99. Por duhet thënë se edhe gjatë asaj periudhe, në Kavajë nuk është se kishte aktivitete. Pas kësaj u nisa për emigrim, si rezultat i nevojave ekonomike. Fillimisht në Itali, por më kapën dhe më dhanë një “i padëshirueshëm” nga shteti për 5 vjet. Pastaj prej andej shkoj në Athinë ku punova disa vite, e ku nuk lashë gjë pa bërë. Këto ishin vitet ku unë nuk dola në skenë. Më pas u ktheva. U mora me një biznes për nevoja ekonomike, por erdhi çasti kur nuk po mbante më shpirti im. U dorëzova dhe thashë: dua të rikthehem, të kthehem në profesionin tim. Dhe shkova te kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, i cili ma mundësoi këtë kërkesë dhe pasion timin. I jam mirënjohës shumë.
Me cilët aktorë do të kishit dashur të interpretonit në karrierën tuaj?
Sandër Prosi dhe Stavri Shkurti kanë qenë dhe janë aktorët e mi të preferuar. Shkurti ka pasur një zë metalik, shumë interesant. Ai është aktori i heronjve, i karaktereve. Unë vazhdoj t’i ndjek me shumë interes personazhet e tij, sikundër dhe Sandër Prosin.
Kanë kaluar 40 vjet nga dita kur nisëm rrugën e bukur dhe shumë të vështirë të artit. Ishim 19 vetë nga e gjithë Shqipëria. Donika Ramallari nga Korça, Paskualina Gruda nga Shkodra, Irena Katro, Flutura Zavalina, Merita Dabulla, Llesh Biba nga Mirdita, Bujar Asqeriu nga Vlora, Ndriçim Xhepa, Agim Bajko, Esat Bërmema nga Tirana, Raqi Apostoli nga Pogradeci. Sot na mungojnë: Arqile Lici, Dashnor Ramollari, Misto Dako, shokët tanë që u ndanë nga jeta para kohe. Përulemi me respekt para tyre.
Do ishte shumë mirë sot të mblidheshim ne, flokëthinjurit, së bashku në një shfaqje të përbashkët, pse jo, nën drejtimin e ish-pedagogëve tanë të nderuar: Gëzim Kame, Birçe Hasko, Viktor Zhusti.
Më mirë se dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha nuk do ta ndërtonte kush një pjesë ku të ishim ne të gjithë, brezi tashmë i sprovuar. Besoj shumë se do mund të gjendet vullneti i institucioneve për materializimin e kësaj ideje apo projekti aq të dëshirueshëm.
Cilit roli do t’i riktheheshe gjithmonë?
Përjetësisht At Zef Pllumit. Dhe çdo herë që do t’i rikthehesha, nuk do të pranoja ta luaja njësoj. Se ligji i mohimit ka qenë një ligj themelor, çka mua, ajo që kam bërë dje nuk më pëlqen, nuk dua ta bëj në Skoci këtë herë ashtu siç e kam bërë para 6 vjetësh. Të siguroj që kur të vij nga Skocia nuk do ta bëj njësoj, por ndryshe. Sepse vet Zef Pllumi ishte i tillë, vetë jeta e tij.
Ka një amanet që ju shtyn ta bëni këtë?
Babi më ka thënë: Me At Zef Pllumin nuk duhet të përfundosh. Ti duhet ta ndjekësh e ta vazhdosh rrugën e At Zef Pllumit, ta japësh si shfaqje.
Mësova që “Rrno për me tregue” e keni regjistruar në audio.
Është lexuar libri i plotë në audio, 28 orë e 30 minuta. Kur erdhi Papa Francesku në Shqipëri, ndër dhuratat që iu bënë ishte dhe ky disk i dorëzuar nga motra ime, ndërsa im vëlla u kujdes për kopertinën të punuar me dru ulliri, në Skoci. Dëshiroj ta përsëris këtë regjistrim. Regjistrimin e parë e kam bërë ta dëgjojnë të gjithë, ndërsa këtë tjetrin dua të jetë vetëm i imi. Sa më shumë ta bëj timen, aq më shumë e imja do të jetë.
Je i prirë pas dramës më shumë, apo jeni dhe aktor komedie?
Më pëlqen drama. Nuk është e vështirë, sepse po të shohësh lirizmin brenda, të siguroj që drama është ajo që të gjithë ne jetojmë. Pse mbushet salla plot kur ka humor, sepse janë të gjithë të veshur me dramë. Ata të komedisë janë shumë më lart se sa ne, sepse kanë dalë mbi këto dramat tona dhe na japin diçka argëtuese, për të qeshur. Janë më të mëdhenj aktorët e humorit.
Kujtime
Aktori i njohur Gjergj Doçi, mes rrëfimesh të panumërta nga jeta aktive para viteve ’90, ndalet në një prej kujtimeve të kohës së gjimnazit, mes të cilave kuptoi dashurinë për aktrimin. Ish-nxënësi i shkollës pedagogjike “17 nëndori” në Tiranë, para se të ndiqte Institutin e Lartë të Arteve, kujton se në përvjetorin e 40-të pedagogjikes, realizuan në shfaqje e cila do të kishte sukses. “Në vitin ‘74 ishte 40-vjetori i shkollës pedagogjike, ish-Instituti “Nëna Mbretëreshë” për femra. U mblodhën të gjithë në ceremoni. Bashkë me regjisorin Sheri Mita, unë në rolin e Kristaq Tutulanit, Elida Niço në rolin e Margarita Tutulanit, dhe Ferdinand Murati në rolin e oficerit gjerman. U pritëm jashtëzakonisht mirë. E dhamë shfaqjen edhe në disa fshatra të Tiranës. Kur ishim në Kllojkë, Ferdinand Murati, një drejtor i rëndësishëm i një kompanie pas viteve ‘90, të cilin e kisha shok klase, kishte një moment kur me gjuan me sikur, por ma futi shpullën me të vërtetë dhe mua më bënë sytë xixa. Batuta ishte: ‘Qëllo fashist i ndyrë se hakmarrja e popullit do të bjerë mbi ty e pamëshirshme’. Kaluan 40 vite dhe pas kësaj kohe rastësisht mësoj numrin e telefonit. I dërgoj një mesazh me të njëjtën frazë siç ndodhi në shfaqjen kur ishim gjimnazist. Dhe ai direkt përgjigjet: ‘Gjergj Doçi, ku je? Më ka marrë malli!’ Brezi im ka pasur gjëra shumë të bukura. Unë fola në një korsi të rrugës, pasi duhen ditë të tërë për të treguar të tjerat.
* “Rrno për me tregue”do të shfaqet në Skoci, dyjavëshin e parë të janarit të 2018. Ajo do të vijë si realizim në shqip, shoqëruar me përkthimin nga anglishtja me titra, nga mbesa e aktorit, Ledia Doçi. Vepra e përshtatur nga dramaturgu Bashkim Hoxha, mban regjinë e aktores dhe regjisores Adelina Muça, muzikë nga Ylli Ramzoti, skenografi nga Thanas Popa dhe udhëheqës artistik Julian Shyti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.