Këshilla & Arsye

April 1, 2016 | 10:16

Gjestet romantike… Pse kemi nevojë për to?

Në marrëdhënie është e rëndësishme të dalloni njerëzit që kujdesen për detajet nga ata që nuk u japin shumë rëndësi atyre. Të parët janë ata që ndoshta nuk japin më të mirën në gjestet romantike, por janë të kujdesshëm ndaj detajeve. Njerëzit e kujdesshëm janë ata ku mbështeteni në rast nevoje. E dinë se gjërat e vogla kanë vlerë, sepse janë të natyrshme, thjesht nga dashuria, pa qenë nevoja e një rasti të veçantë. Po cilat janë këto gjeste të vogla romantike, për të cilat kemi kaq shumë nevojë?

1.Shkruani letra dashurie

E di, nuk jemi më në gjimnaz… dhe kjo është një arsye më shumë për të surprizuar dikë me një pusullë ku shkruhet: “Më mungon” ose “të dua”. Është falas, e thjeshtë dhe mund ta lini kudo për të marrë efektin surprizë të dëshiruar. Një mënyrë e sigurt që ta bëni partnerin të buzëqeshë. Është një ndjenjë fantastike kur partneri bën një gjë të ngjashme për ju.

2.Dëgjoni

Në një marrëdhënie të shëndetshme, mbështetemi te njëri-tjetri për të pasur dashuri, ndihmë dhe mendime. Ndonjëherë, të dëgjojmë me sinqeritet atë që ka për të thënë partneri, pa ia ndërprerë fjalën, mund të thotë shumë më tepër se çfarëdolloj këshille. Mbi të gjitha, për meshkujt. Nëse partnerja ju rrëfen problemet e saj, do të thotë se ka mjaftueshëm besim për të shprehur ndjenjat e saj. Mos e tradhtoni këtë besim.

3.Plotësojini dëshirën

Edhe nëse bëhet fjalë të shihni një emision që i pëlqen në televizor, apo të shkoni në një shfaqje, që nuk e keni shumë qejf, apo të provoni gatimet e një restoranti të ri, i cili nuk jua mbush shumë mendjen, pranoni gjithsesi (dhe kini një sjellje pozitive). Në çdo marrëdhënie ka kompromis. Kjo do të thotë që, ndonjëherë, bëjmë gjëra (të cilat nuk do t’i bënim zakonisht) vetëm për t’i bërë të lumtur njerëzit që duam. Do ta vlerësojnë mundin, duke e shijuar edhe më shumë pasi mund ta bashkëndajnë me ju.

4.Nisni mesazhe gjatë ditës

Për të bërë të mundur që partneri ta nisë ditën me këmbë të mbarë, mos shkruani vetëm “mirëmëngjes”. Më mirë shkruajini: “Je i pari njeri që mendova sapo hapa sytë”. Kjo do ta bëjë partnerin ta nisë ditën me një dozë të mirë humori dhe t’ju ketë në mendje gjithë kohës.

5.Mbajini premtimet, jini të besueshëm

Besueshmëria është shumë thelbësore në një marrëdhënie. Një partner romantik është ai ku mund të mbështeteni pa u shqetësuar. E dini se ai është aty në çfarëdolloj rasti dhe nevoje. E dini se do t’ju qëndrojë pranë kur të keni nevojë për mbështetje e mbrojtje. Nuk duhet të dyshoni se nuk do të bëjë atë që ka premtuar apo të mendoni se do t’ju braktisë në momentin e fundit, pasi është i besueshëm. Ndaj, ofrojini partnerit mbështetje dhe sigurojeni se do t’u qëndroni deri në fund premtimeve tuaja.

6.Tregoni vëmendje dhe përkujdesje

Në marrëdhënie, njësoj si në jetë, shumë prej nesh e nënvlerësojnë rëndësinë e vëmendjes. Jeta ecën shpejt, shpesh jemi kaq të rrëmbyer nga rutina e përditshmërisë, sa na ikën nga vëmendja se sa e rëndësishme është t’i bëjmë të tjerët të lumtur. Kjo do të thotë të njohim shijet dhe preferencat e partnerit, çfarë adhuron dhe çfarë urren; të jemi reciprokë në mbështetje e vështirësi dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin kur gjërat shkojnë mirë. Duhet të bëni kujdes ndaj detajeve të vogla dhe të bëni diçka të veçantë, që e dini se i pëlqen partnerit. Të jeni të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ju ndihmon të lidheni dhe të dashuroheni më shumë.

7.Jini të durueshëm me partnerin

Durimi është thelbësor nëse doni të ndërtoni një marrëdhënie të qëndrueshme. Duhet durim për të kuptuar partnerin dhe për të kuptuar se cilat janë ndryshimet në karakterin tuaj. Duhet durim për t’u përshtatur me njëri-tjetrin dhe për të qenë gjithmonë të kujdesshëm ndërkohë që mësoni të bashkëjetoni me të. Duhet durim për të pasur përballje produktive dhe jo grindje. Durimi është diçka që vjen prej së brendshmi. Merrni frymë thellë dhe, më pas, lini që jeta të ecë si duhet të ecë.

8.Jini të sinqertë

Një tjetër cilësi e madhe. Ndoshta nuk duket kështu, sepse ndershmëria është një cilësi që çdokush e ushtron kundrejt të gjithëve në jetë. Por të jeni e sinqertë me një mashkull apo një femër që ka rëndësi për ju, tregon se keni një respekt të madh kundrejt tij duke qenë shumë të sinqertë. Zgjidhini me kujdes fjalët që duhet të thoni. Mundohuni të mos i ndrydhni ndjenjat, por sigurohuni që partneri juaj të dijë se ka gjithmonë një përgjigje të vërtetë nga ju, pavarësisht argumentit që diskutohet.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top