Aktualitet

September 4, 2021 | 8:25

“Gjithçka ndryshe këtu, njerëzit janë mikpritës”/ Afganët shijojnë detin në Shëngjin…

 Mes pushuesve të shumtë në Shëngjin konstaton lehtësisht dhe shtetas afganë. Të strehuar në këtë zonë turistike, ata lëvizin lirisht dhe kanë nisur të ambientohen me vendin tonë.

Nga ELVIS HILA
Tore Korin, refugjat afgan në Shëngjin
Tore Korin, refugjat afgan në Shëngjin

Disa dalin në shëtitoren e plazhit e rrugë të qytetit e të tjerë marrin rreze në breg të detit. “Unë jam nga Afganistani. Ne kemi ardhur në Shqipëri, një vend që shtrihet në  Europën Qendrore. Është një vend shumë i mirë, ka njerëz shumë të mirë dhe dua të  falënderoj qeverinë dhe popullin shqiptar për mikpritjen  e treguar dhe përpjekjet për të ndihmuar të gjithë refugjatët afganë”, thotë Tore Korin, refugjat afgan.

Korin, të cilin e takuam me fëmijën e mitur në krah në shëtitoren “Willson” në Shëngjin, thotë se ka nisur shumë shpejt të ambientohet në këtë zonë. “Unë kam dy ditë që kam ardhur këtu dhe jam ambientuar shumë shpejt. Për fat të mirë nuk na kanë  penguar të dalim nga ambientet e resortit. Dalim në plazh, shëtitje e në darkë argë- tohemi këtu se bëjnë muzikë. Njerëzit na kanë pritur shumë mirë dhe pavarësisht vështirësive në komunikim, po na mbajnë shumë afër. Të them të drejtën këtu po ndihemi si në shtëpinë tonë dhe nuk e kisha menduar një mikpritje kaq të mirë”, shton Tore Korin.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shëngjin deri tani janë strehuar 400 refugjatë nga Afganistani, të cilët janë transferuar nga Qyteti Studenti në Tiranë, ndërsa është plani- fikuar që të akomodohen 2 mijë persona. Kontingjenti i parë i afganëve mbërritën të hënën dhe janë strehuar në ambientet e një resorti, i cili ndodhet në vijën e parë të plazhit në qendër të Shëngjinit. 300 të tjerë kanë mbërritur mbrëmjen e së mërkurës në Shëngjin. Transporti i tyre nga Tirana është bërë me autobusë dhe nën shoqërimin e forcave të Policisë, të cilët i monitorojnë përgjatë 24 orëve. Baha është një refugjat afgan i strehuar në Shëngjin. Ai ka punuar profesor dhe së fundmi gazetar dhe tregon vështirësitë që ka kaluar në vendin e tij për shkak të luftës së gjatë.

“Çdo gjë është ndryshe. Duhet ta dini se vij nga një vend i cili ka pasur katër vjet luftë dhe nga një vend i shkatërruar dhe erdha në një vend europian. Siç e keni ndjekur në media, pjesa më e madhe e vendit është nën kontrollin taliban dhe gratë nuk kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, të punojnë apo të shkojnë për pazar pa qenë të shoqëruara nga një mashkull i rritur i familjes. Gazetarët nuk mund ta bëjnë punën e tyre si duhet dhe e ndiej që ne jemi kthyer mbrapsht në shekullin e 11-të. Në dy dekadat e fundit, kemi pasur goxha zhvillim sepse atje kishte demokraci dhe të huajt ishin aty duke na ndihmuar ne. Por tani duhet të them se ne jemi kthyer mbrapa. Nuk ka më të ardhme të ndritur për  ne”, thotë Baha.

Ai thotë së ndihet i sigurt në Shqipëri dhe është befasuar nga mikpritja në Shëngjin.

“Gjëja që më pëlqeu më shumë këtu është mirësia e njerëzve dhe sjellja e tyre tejet pozitive ndaj nesh, mund ta ndiej këtë në fjalët e tyre. Unë ndihem i sigurt dhe shumë mirë këtu. Jemi ambientuar dhe po argëtohemi sepse dalim çdo ditë. Shëngjini është një vend shumë i bukur, pasi është dhe zonë turistike dhe ka edhe plazh. Faleminderit popullit shqiptar!”, thotë Baha.

Afganët thonë se nuk e dinë sa do të jetë qëndrimi i tyre në Shqipëri, por janë të vendosur të zbatojnë të gjitha procedurat ligjore. “Nuk i di proceduarat ligjore, por kur erdhëm Ministria e Jashtme këtu na tha se mund të aplikojmë edhe për leje qëndrimi, por rruga që ne kemi zgjedhur është SHBA-ja. Autoritetet amerikane na sollën këtu dhe na mbështesin dhe do  të na transferojnë në SHBA. Nëse do të ekzistonte ndonjë mundësi, dua të them se Shqipëria është një vend i bukur për të jetuar dhe për të qenë në kontakt me këta njerëz. Janë të pakrahasueshëm”, thotë një emigrante afgane. Pushuesit në Shëngjin vlerësojnë vendimin e qeverisë shqiptare për strehimin e shtetasve nga Afganistani. “E vlerësoj vendimin e qeverisë shqiptare për strehimin e shtetasve afganë. Duhet t’iu gjendemi pranë në këto ditë të vështira që ato po kalojmë. Unë jam këtu në Shëngjin prej disa ditësh dhe kanë ardhur duke u argëtuar me ne çdo natë këtu, sepse bëjnë muzike. Kanë nisur të mësohen tani me vendin dhe ne duhet t’iu qëndrojmë afër”, thotë një pushues në Shëngjin.

Resorti ku janë vendosur të ardhurit në Shëngjin po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga Policia për të garantuar sigurinë e tyre, ndërsa aty qëndron në gatishmëri përgjatë 24 orëve edhe një personel mjekësor për t’iu ardhur në ndihmë për çdo problem që mund të kenë.

afg 2

afg 3

 

 

 

Burimi / PanoramaOnline

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top