“Nuk kam të holla. Nuk do ia arrij asnjëherë. Është tepër vonë. Duhet të mësoj shumë gjëra të reja. Nuk kam fuqi. Truri im është shumë dembel. Është shumë e komplikuar. Nuk di si t’ia bëj. Unë jam shumë i vjetër. Kam dështuar shumë herë. Kam humbur shumë, nuk mundem më. Ndihem i braktisur”. Kam lindur dhe jam rritur në një qytet, i cili ka qenë gjithmonë preh e ngjarjeve tragjike si: përmbytjet e tërmetet dhe jam mysafire në një qytet ku njerëzve u duhet të bashkëjetojnë me këto fenomene pothuajse çdo vit. Qyteti i Xhenovës (Genova, Itali) u godit sërish nga një përmbytje e re pas asaj që në vitin 2011 e bëri të njohur në mbarë Europën. Ai i javës së kaluar pati fatkeqësisht pasoja edhe më tragjike, por gjëja më e bukur ishte dëshira e madhe e njerëzve për t’ia rifilluar, për të ecur përpara, duke fshirë lotët dhe duke iu përveshur punës. Lindi një rrjet i vërtetë vullnetarizmi për të risistemuar qytetin. Shumë të rinj ofruan ndihmën e tyre për të pastruar baltën në dyqanet dhe banesat e atyre që ishin goditur rëndë. Vullnetarët ofruan ndihmën e tyre. Shumë biznese ofruan panine dhe ulje çmimesh, ndërsa kompanitë e transportit publik u dhanë të dëmtuarve mundësinë për të udhëtuar falas. Së bashku kanë dhe kemi bërë shumë. Ky ishte një mësim dhe një frymëzim për mua për të shkruar këtë artikull.
Xhenovës dhe Shkodrës u dedikoj një mesazh: Së bashku “nuk ka baltë që të rezistojë”, është gjithmonë e mundur të RIFILLOSH Na ndodh të gjithëve herët a vonë: një ngjarje që na vë me shpatulla pas murit, duke fshirë optimizmin, gëzimin për të jetuar, besimin në të ardhmen dhe na detyron të përballemi me veten tonë. Ka ngjarje që ngjallin brenda nesh një ndjenjë negative që, nëse neglizhohet, mbush ditët tona me “frikë”: frika për të ecur përpara, për të përballuar veten dhe për të shkuar përtej kufijve tanë, frika ndaj zhgënjimit. Kjo ndjenjë luan një rol thelbësor në jetën e shumicës prej nesh dhe, në disa raste, arrin deri në atë pikë sa të “fikë” gëzimin tonë, pozitivitetin. Jeta bëhet gjithmonë e më tepër mbijetesë zvarritëse. Shpesh frika është problemi kryesor që i shtyn njerëzit të thonë se është tepër vonë ose shumë e vështirë për të rifilluar një fazë të re; që përmirësimi është i pamundur dhe duhet të kënaqemi me pak. Giovanni Falcone ka thënë: “Gjëja më e rëndësishme nuk është të kuptosh nëse kemi frikë: është të dish të bashkëjetosh me frikën për të mos u kushtëzuar nga ajo”. Dështimi, si dhe çdo ngjarje tjetër, na shoqëron gjatë udhëtimit tonë jetësor. Në vend që ta konsiderojmë si pengesë, jemi vetë ne që duhet ta konsiderojmë si virtyt, si një ndjenjë që na shtyn për të ecur përpara, për të gjetur forcën brenda nesh për të rifilluar një jetë të re, duke nisur nga zero. Dështimi dhe dëshira për të ecur përpara shkojnë në sinergji me njëra-tjetrën. Sot, mes kaq shumë presioneve sociale, është e lehtë të gjenden njerëz që u duhet të përballen me “pengesa mendore” që mund të bëhen më të dukshme kur u duhet të përballen me një zhgënjim të madh: financiar, punësimi (humbja e vendit të punës), humbja e një personi të dashur, një divorc. Ne jetojmë në një kohë ku çdo gjë rrjedh shpejt dhe na duhet ta ndjekim me të njëjtin ritëm, por shpesh nuk ia dalim mbanë. Lodhemi duke u mbyllur në vetvete pa arritur të rinovojmë skemat tona mendore, duke përdorur të vjetrat. Shpesh kjo është arsyeja që na shtyn të vëmë në punë strategjitë e (self-handicapping) vetësabotimit, të cilat kufizojnë vullnetarisht raportin tonë të energjisë apo të angazhimit në disa fusha të jetës, duke penguar rrugën drejt suksesit, për të ndërtuar një “alibi” në rast dështimi. Nëse angazhohemi pak, nëse nuk shkojmë përtej aftësive tona apo heqim dorë për të bërë një zgjedhje, kemi një “alibi” në rast dështimi, pasi mund t’i themi gjithmonë vetes dhe të tjerëve: “po të isha angazhuar më shumë, do të kishte shkuar ndryshe”. Nëse në vend të kësaj angazhohemi deri në maksimumin e aftësive dhe mundësive, në rast dështimi, nuk do të kishim “alibi”. Kjo gjë na bën të ndihemi më të dobët në luftën kundër betejave. Të paktën kjo është ajo që shumica e njerëzve mendon. Në fakt, ai që jep maksimumin, është më i aftë për t’u përballuar me dështimet. Ndërsa ai që nuk jep maksimumin, ndihet dyfish i papërshtatshëm, pasi nuk ia del mbanë ngaqë nuk është i aftë dhe është gjithmonë më mbrapa në krahasim me të tjerët duke mos arritur të mbajë ritmin. Sipas Weiner, psikolog i njohur amerikan, qëndrimi që mbajmë në lidhje me një ngjarje, duke përjashtuar mënyrën se si e konsiderojmë (angazhimi, aftësia, fati, lehtësia gjatë detyrës) varet nga tre dimensione, ku secili prej tyre ka një kuptim të dyfishtë: Vendi i kontrollit: nëse ne ua atribuojmë efikasitetin tonë ndaj një ngjarjeje faktorëve të brendshëm (si p.sh. angazhimi ynë) apo të jashtëm (vështirësia e detyrës, qëndrimet e të tjerëve ndaj nesh për shembull, e kanë me mua). Stabiliteti: është i lidhur ngushtë me shpresat për të ardhmen, nëse ne presim që në të ardhmen situata mund të ndryshojë apo jo. Për shembull, të qëndrueshme (mësuesi më urren mua) ose të paqëndrueshme (gabova pasi kam qenë i lodhur). Sa më shumë të perceptohet si i qëndrueshëm shkaku i një dështimi, aq më shumë ndihemi të pafuqishëm në lidhje me të. Kontrolli: mundësia që ritmi i ngjarjeve të ndryshojë. Për shembull, në qoftë se unë angazhohem më shumë, mund të humbas peshë, ose e kundërta, ha atë që më pëlqen dhe pa kontroll, pasi sido që të jetë nuk do të ndryshojë asgjë. Weiner na vjen në ndihmë me anën e disa udhëzimeve në të nxënit, të cilat, po të aplikohen si duhet, mund të na ndihmojnë të jemi më efektivë kur gjendemi përballë vështirësive: • T’ua atribuojmë rezultatet faktorëve të kontrollueshëm, veçanërisht angazhimin personal; • Të mësojmë që ta konsiderojmë dështimin si një përvojë normale, e cila ofron udhëzime për ndryshimin; • T’ua stimulojmë sukseset shkaqeve të brendshme, që janë të kontrollueshme nga ne siç është angazhimi dhe këmbëngulja. Një konsideratë e fundit që është me vend të theksohet, është qëndrimi ynë ndaj të tjerëve. I konsiderojmë ata si miq apo si armiq? Shpesh mendojmë dhe besojmë se çdo gjë duhet të zgjidhet nga ne. Edhe pse nuk do ta pranojmë kurrë, sillemi sikur të ishim vetëm me problemet tona, duke mos marrë në konsideratë as mendimin e as ndihmën e të tjerëve. Në fakt, ky qëndrim, edhe pse ndihmon iniciativën tonë, në momente vështirësie mund ta shuajë atë. Ne nuk jemi vetëm dhe duhet të mësohemi t’i marrim parasysh të tjerët dhe lidhjen me ta. Përvoja tregon se së bashku bëjmë më shumë dhe më mirë. Së pari, duhet të jemi ne të disponueshëm për të dhënë një dorë dhe, në momentin kur kemi nevojë, nuk duhet të ndihemi të paaftë për të kërkuar ndihmë. Le të mos i anulojmë të tjerët me gjykimin tonë, por duhet të kërkojmë persona dhe grupe të afta për të dhënë këshilla dhe ndihmë me qëllimin e vetëm për t’u përmirësuar. Kjo nuk është e lehtë, por mund të arrihet. Le ta mendojmë dhe ta provojmë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.