Kur veprat flasin…
Ai argumenton se nuk jemi të gjithë njësoj kur vjen fjala të shprehim atë që ndjejmë dhe, për këtë arsye, ai ka ndarë në pesë kategori mënyrat se si i shprehemi personit që qëndron në krahun tonë, sa e rëndësishme është për ne. Edhe nëse ndodh që mënyra që kemi zgjedhur të mos jetë e njëjta me atë që pret partneri, e rëndësishme është të jemi të hapur, të sinqertë për t’i interpretuar saktë të gjitha sinjalet e dashurisë, të cilat na vijnë nga personi që rri pranë nesh.
Inkurajimi dhe komplimentet
Një ditë kam qenë dëshmitar i një bisede midis dy të dashuruarve. Ajo po hante një sanduiç dhe pasi e mbaroi atë, pyeste veten me një ndjenjë faji me përkëdheli, por të vonuar: “Ou, po ky sanduiçi të shëndosh, apo jo?!”. I dashuri i saj i dha këtë përgjigje: “Ty, jo”. M’u duk një nga përgjigjet më romantike që kisha dëgjuar në jetën time. Kështu që, i dashuri ndoshta nuk të këndon serenata, por të mbështet pa kushte, në çdo rrethanë. Të thotë se i dukesh e bukur edhe kur nuk je e tillë dhe qesh me shakatë e tua pa kripë. Konkluzioni? Nuk është për t’u lënë!
Si pulla mbi zarf…
Me shpejtësinë marramendëse me të cilën jetojmë, me vështirësi gjejmë hapësirë për të kaluar kohë cilësore me njeriun që dashurojmë. Kështu që, atëherë kur e bëjmë këtë, a nuk është kjo dëshmia më e madhe e dashurisë që mund të ekzistojë?! Nuk bëhet fjalë thjesht për afrim fizik, as për seks, por për bisedat që bëni të dy, të pandërprera as nga ndeshja sportive që transmetohet në TV, as nga thirrjet telefonike, as nga supa që zien në kuzhinë; por për përqafimet pa asnjë fjalë, për shëtitjet në park, për të gjitha veprimtaritë të cilat kanë në plan të parë praninë e personit që dashurojmë.
Dhuratë… nga dashuria
Mund të duket e pavlerë ose një shenjë dalluese për ata mendjelehtë, të pretendojnë apo të ofrojnë dhurata si dëshmi dashurie, por është e pamundur ta fshehim se kur njëri na pëlqen, duam t’i ofrojmë një dhuratë për ta gëzuar – dhe kjo nuk duhet të ndodhë vetëm për ditëlindjen e vet, po kështu, pa asnjë programim paraprak. Dhurata që vjen nga dashuria nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht e shtrenjtë, por duhet të mbajë në vetvete një shenjë simbolike. Ajo “paketon”, në fakt, ndjenjat – sepse objekti i zgjedhur është veçse një pretekst. Nëse për ty është e rëndësishme të marrësh herë pas here një dhuratë të thjeshtë, por të dhuruar me zemër, mos ngurro t’ia thuash partnerit! Ai duhet ta dijë se këto “budallallëqe” të vogla janë të rëndësishme për mirëqenien tënde shpirtërore, dhe nëse të do me të vërtetë, do ta mbajë mend këtë gjë.
Bëj çdo gjë për ty
Janë femra të cilat nuk kanë zier një vezë në jetën e tyre, por për atë që duan janë kthyer në amvisa të përkryera, dhe jo sepse ai e ka kërkuar këtë gjë, por sepse kështu e kanë ndjerë ato ta shprehin dashurinë. Në të njëjtën mënyrë veprojnë edhe burrat, të cilët të ndihmojnë të lyesh flokët apo të cilët ulen në karrige në një dyqan të preferuar rrobash dhe presin aty të qetë derisa ti provon dhjetë fustane. Ndoshta edhe duke dhënë mendime për sa i përket cilësisë së copës apo mënyrës se si është qepur. Mendon se një tip i tillë çmendet pas këtyre gjërave?! Nuk besoj, por ai është i marrosur pas teje.
Prekjet ledhatuese
Përsëri nuk bëhet fjalë për prelud ose postlud, megjithëse një vëmendje e rritur në këto marrëdhënie thjesht seksuale tregon një përfshirje të lartë emocionale. Por njerëzit e dashuruar me të vërtetë e prekin njëri-tjetrin rastësisht dhe në mënyrë spontane, përqafohen, mbahen prej dore si adoleshentët, përkëdhelin faqet e njëri-tjetrit me një përkushtim në kufijtë e butësisë, sikur të donin të fshihnin një gjurmë imagjinare. Jo domosdoshmërisht një burrë i cili adhuron të të prekë gjinjtë të dashuron, por ai i cili, duke ndjerë një erë që fryn lehtë, do të mbulojë krahët e tu për t’u ndier ngrohtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.