Në fokus

February 27, 2017 | 11:13

Goditja në tru, nga se shkaktohet dhe si mund të parandalohet

Një ndër shkaktarët e goditjes në tru cilësohet ngushtimi i arterieve karotide. Të vendosura në dy anët e qafës, këto arterie bëjnë të mundur furnizimin e trurit me gjak. Doktor Gentian Caco, kirurg vaskular, bën me dije faktorët që çojnë në ngushtimin e këtyre arterieve, kategoritë që rriskohen më tepër, si edhe metodat e trajtimit.

Gentian Caco  Kirurg vaskular

Gentian Caco
Kirurg vaskular

Në intervistën dhënë për gazetën ‘Panorama’, Caco e vë theksin edhe në masat paraprake që duhen ndërmarrë për të bërë të mundur parandalimin e kësaj sëmundjeje që mund të çojë në paralizë apo edhe më keq akoma, në fatalitet.

“Mënyra më e mirë për parandalimin e aterosklerozës, si dhe të stenozës së arterieve karotide është mospirja e duhanit, mjekimi i rregullt i tensionit arterial dhe diabetit, marrja e medikamenteve që ulin kolesterolin dhe e medikamenteve që pengojnë formimin e trombeve si aspirina apo Clopidogreli”, pohon doktori.

Një ndër shkaktarët e goditjes në tru është ngushtimi i arterieve karotide, që bëjnë të mundur furnizimin e trurit me gjak. Pse ndodh kjo?

Arteriet karotide janë dy arteriet kryesore që furnizojnë trurin me gjak. Ato ndodhen në dy anët e qafës. Stenoza e arteries karotide është ngushtimi i kësaj arterieje nga pllakat aterosklerotike. Si të gjitha arteriet e trupit, edhe arteriet karotide mund të preken nga ateroskleroza. Ateroskleroza është një proces i plakjes së arterieve, që zhvillohet dhe avancon gradualisht duke filluar që në moshë të re. Faktorët kryesorë që nxisin zhvillimin e aterosklerozës janë hipertensioni arterial, niveli i lartë i kolesterolit në gjak (hiperkolesterolemia), pirja e duhanit dhe sëmundja e diabetit. Ateroskleroza karakterizohet nga grumbullimi i yndyrave në muret e arterieve. Këto grumbullime nxisin disa procese që çojnë gradualisht në formimin e pllakave aterosklerotike në brendësi të arteries. Këto pllaka ngushtojnë vetë arterien (stenoza e arteries) dhe bëhen pengesë për kalimin e gjakut në to. Arteriet që preken më shpesh nga ateroskleroza janë arteriet koronare (arteriet që furnizojnë zemrën), arteriet karotide dhe arteriet e gjymtyrëve të poshtme.

Cilat janë konkretisht komplikimet që mund të sjellë?

Zhvillimi i pllakave aterosklerotike në arteriet karotide mund të shkaktojë komplikime. Rritja e vazhdueshme e pllakave shkakton ngushtimin gjithnjë e më të madh të arteries deri mbylljen e saj nga tromboza dhe ndërprerjen e menjëhershme të kalimit të gjakut drejt trurit. Një tjetër komplikim është çarja e pllakës. Në momentin e çarjes, përmbajtja yndyrore e saj rrëmbehet nga rrjedha e gjakut dhe shkon drejt trurit, duke mbyllur atje degë të arteries që furnizojnë pjesë të trurit. Secili nga mekanizmat e mësipërm shkakton ndërprerjen e menëhershme të furnizimit me gjak dhe me oksigjen të një pjese të trurit. Kjo njihet si insulti cerebral dhe shfaqet me paralizë të një pjese të trupit. Kur bllokohet qarkullimi i gjakut në arterien karotide të djathtë, vuan gjysma e djathtë e trurit, e cila komandon gjysmën e majtë të trupit, pra paraliza shfaqet majtas. E kundërta ndodh kur bllokohet qarkullimi në arterien e majtë. Paraliza mund të prekë vetëm krahun, mund të shoqërohet me vështirësi në të folur (afazi) ose mund të përfshijë gjysmën e trupit. Në format më të rënda sëmundja është kërcënuese për jetën.

2

Si mund ta zbulojmë në kohë nëse kemi stenozë të arteries karotide?

Në përgjithësi stenoza e arteries karotide nuk paraqet shenja të dallueshme nga pacienti. Në disa raste pacienti mund të pësojë paraliza momentale të gjymtyrëve, vështirësi në të folur ose errësim të pamjes nga njëri sy që kalojnë vetë pas pak minutash. Këto njihen si atake ishemike cerebrale tranzitore (TIA) dhe janë shenja paraprake të stenozës së arteries karotide. Pacientët që kalojnë një atak tranzitor janë shumë të rrezikuar të pësojnë insult cerebral pas pak kohësh. Shpesh sëmundja zbulohet pasi ka ndodhur një insult. Për këtë arsye është e rëndësishme zbulimi i sëmundjes përpara se të japë shenja. Ekzaminimi për arteriet karotide kryhet me Echo Doppler. Ky është një ekzaminim shumë i thjeshtë, pa dhimbje dhe pa pasoja për pacientin. Gjatë ekzaminimit vlerësohet prania e grumbullimeve yndyrore në muret e arterieve, prania e pllakave dhe shkalla e stenozës, si dhe vlerësohet qarkullimi i gjakut drejt trurit.

A ekziston ndonjë mënyrë për ta parandaluar?

Mënyra më e mirë për parandalimin e aterosklerozës, si dhe të stenozës së arterieve karotide, është mospirja e duhanit, mjekimi i rregullt i tensionit arterial dhe diabetit, marrja e medikamenteve që ulin kolesterolin dhe e medikamenteve që pengojnë formimin e trombëve si aspirina apo clopidogreli. Në çdo rast mjekimin mund ta përshkruajë vetëm mjeku. Këto janë edhe masat trajtuese në rastet, kur stenoza është zhvilluar, por nuk ka ende arsye (indikacion) për riparim.

Si dhe kur trajtohet stenoza e arteries karotide?

Ekzistojnë dy mënyra për riparimin e stenozës së arteries karotide. Metoda kirurgjikale dhe metoda endovaskulare. Metoda kirurgjikale kryhet zakonisht me anestezi të përgjithshme, nëpërmjet një incizioni (prerje) në anën e qafës. Arteria ekspozohet, hapet, hiqet pllaka aterosklerotike që ka shkaktuar stenozën dhe arteria qepet përsëri. Metoda endovaskulare kryhet pa anestezi dhe pa prerje. Mjeku kateterizon një arterie, zakonisht arterien femorale, në rrëze të kofshës dhe përmes saj futen nëpër enët e gjakut sonda dhe katetere që arrijnë deri në vendin e stenozës. Aty vendoset një stent dhe arteria zgjerohet me anë të një baloni. Të dyja teknikat e riparimit kanë risk të ulët për komplikime. Në përgjithësi (këshillohet) indikohet ndërhyrja kirurgjikale. Në pacientë të caktuar preferohet ndërhyrja endovaskulare. Vendimi për riparimin e arteries karotide bazohet në dy elemente: a ka dhënë shenja sëmundja dhe nga shkalla e ngushtimit të arteries. Në pacientët te të cilët sëmundja nuk ka dhënë asnjë shenjë dhe është zbuluar gjatë ekzaminimit, riparimi rekomandohet kur shkalla e ngushticës (stenozës) është mbi 70%. Në pacientët pa shenja dhe në pacientët mbi 75 vjeç rekomandohet kontrolli periodik dhe trajtimi parandalues me masat që përmendëm më lartë. Në pacientët që kanë pësuar insult dhe janë përmirë- suar dhe në pacientët që kanë pësuar atake tranzitore (TIA), ndërhyrja rekomandohet edhe në gradë më të ulëta të stenozës. Në përgjithësi stenoza e arteries karotis nuk paraqet shenja të dallueshme nga pacienti. Në disa raste pacienti mund të pësojë paraliza momentale të gjymtyrëve, vështirësi në të folur, ose errësim të pamjes nga njëri sy që kalojnë vetë pas pak minutash.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top