Nuk jam as i pari, as i fundit që kam parë edhe do vijoj të shoh dalldinë e shfrenuar deri në harbim të pakuptimtë të grave që kanë zëvendësuar protestën me gostinë, për simbolikën që përfaqëson data 8 Mars.
Për pjesën më të madhe të shteteve të botës, kjo datë e shënuar simbolizon ditën nga ku nisi të marrë jetë rebelimi i grave ndaj shtypjes (është bërë shumë nga ajo kohë për barazinë gjinore, por mbetet ende shumë për t’u bërë), ndërsa në vendin tonë gjinia femërore “kullot” nëpër restorante, ose kërcejnë e dëfrejnë nëpër lokale nate. Këto informacione janë shkruar më bukur apo raportuar edhe nga analistë apo gazetarë, por doja të ndaja me lexuesin një pikëpamje tjetër.
Paradoksalisht në Shqipëri ka gra që dhunohen tërë vitin, që kanë frikë të bëjnë jetën e tyre, që mbyllen brenda mureve të shtëpisë, ama me 8 Mars marrin guximin e rebelohen, jo për të kërkuar të drejta, por për të drekuar në restorante të lira apo të shtrenjta (sipas mundësisë ekonomike).
Nuk them “larg qoftë” që gratë të protestojnë ‘topless’ për të drejtat e tyre se nuk jemi shoqëri aq e emancipuar, por jemi po ashtu shoqëri tepër e varfër që të harxhojmë tërë rrogën për pamjen e jashtme dhe nëpër skena dalldie. Edhe kjo ditë, (për hir të së vërtetës) ka një simbolikë frymëzuese, në të vërtetë në Shqipëri, ka ngelur si rudiment i trashëguar nga diktatura, që me shfaqje të tilla të neveritshme donte t’i tregonte Perëndimit, që këtu jetohej “shumë mirë”, madje aq mirë jetohej, saqë festohej sepse kishte aq shumë të drejta saqë vendi ynë duhej marrë për shembull.
Por këto konstatime për çudi nuk janë habia e vetme në këtë vend, (që unë në mënyrë metaforikë e quaj “Republikë çamçakëzësh”) pasi edhe këtu ka disa kategorizime. Kështu, pjesa “intelektuale” dhe me veshje “firmato”, por që mbajnë pozicione delikate në shoqëri zgjedhin një gotë verë në një vend luksi, ku çmimi i kripur nuk i lejon të depërtojë turma.
Ndryshe veprojnë femrat që nuk kanë funksione delikate, ato zgjedhin të shkojnë në festa me striptistë simpatikë e me trup të formuar muskuloz. Kjo kategori ka në vetvete ndrojtje dhe mangësi në jetën seksuale, por që kanë pretekstin e kësaj dite, si mburojë nga paragjykimet.
Një tjetër kategori, “intelektualësh” janë mosha mbi 50 vjeçe, që nuk kanë fuqi të harbohen deri në orët e para të mëngjesit, por preferojnë të kërcejnë gjatë mesditës. Një pjesë e zonjave në zonat rurale kanë një organizim tipik, prenotojnë një fugon sipas mundësive edhe festojnë “ditën e lirisë” nga bagëtitë apo nga punimi i tokës.
Problemi më i madh që duhet të kurojnë femrat
Si në çdo vend të botës edhe në Shqipëri, femrat bien pre e paragjykimeve, pabarazisë, përbuzjes e të tjera të kësaj natyre. Por ndryshe nga sa ndodh në Perëndim, viktimat e këtyre sjelljeve jo vetëm nuk janë shembuj frymëzimi për të ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi, por përballen me një lumë paragjykimesh, në radhë të parë nga vetë femrat. Shumica e këtyre rasteve, përdoret si krahasim për të treguar se janë disa hapa më “lart” atyre që bëjnë “mëkate”.
Fjala vjen kur shohim se në një pozicion kyç është emëruar një femër, koleget apo ish-bashkëpunëtoret janë të parat që i nxjerrin cenet që ka pasur në biografi. A nuk dëgjohet rëndom shprehja në kompanitë e mëdha që u bë ajo e përdala të bëhet drejtoreshë, apo e dimë ne si u bë, duke i shkelur syrin pronarit. Shumica e thashethemexhinjve ishin të gatshme të bënin të njëjtën gjë, vetëm për të arritur deri tek posti i “të përdalës”.
Vijmë tek ana ekonomike, femrat që duan barazi janë të parat që hedhin një lumë sharjesh ndaj sojit të tyre, kur shohin që njëra nga to, për arsye personale, financiare apo të tjera si këto (jam partizan i idesë se çdokush me jetën e vet mund të bëjë ç’të dojë) krijon një marrëdhënie të papërshtatshme për “moralin” shqiptar. Po femrat, kur ndodh e kundërta, sërish fajësojnë njëra-tjetrën për marrëdhënie të papërshtatshme, edhe asnjëherë një burrë, i cili mund të jetë “interesaxhiu” sipas “kodit moral”.
Ndaj do isha shumë i lumtur nëse do shihja gra që protestonin për të drejta dhe liri, jo të festonin sikur janë të lumtura me të drejtat që kanë fituar deri më tani.
Burimi / http://www.gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.