Editorial

March 8, 2017 | 13:58

Gratë dhe seksi

– Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Nga Monika Stafa

Nga Monika Stafa

– Si të gjithë gazetarët, edhe unë si e tillë mbetem një idealiste e pandreqshme për të besuar me entuziazëm shpeshherë edhe romantik, për një botë më të mirë në të ardhmen. Gjithherët kam pasur dëshirën e pamatë të zbuloj e të rrëfej histori, të cilat kanë ndryshuar jetë, sido të ishin ato. Por, veçanërisht jam ndalur me shumë kujdes në histori, të cilat nuk kanë qenë treguar e të cilat janë nga më të gjithfarëllojshmet e nga më të paimagjinueshmet për nga frymëzimi. Ajo çfarë kam ndjerë ka qenë e njëjta ndjesi, siç mbetet edhe sot t’i ndaj ato me publikun e gjerë. E nisur që këtej prej kërkimeve të mia nuk e kisha menduar asnjëherë se edhe në vitin 2017, gratë do të ishte ajo gjini, e cila do të kryesonte këtë kategori historish njerëzore.

Pak kohë më parë në duar më ra një studim i UNESCO-s, të cilin kjo organizatë e kish punuar në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe shumë partnerë të tjerë. Aty janë publikuar të dhëna që pasqyrojnë një kornizë globale të treguesve me ndjeshmëri gjinore për mediat. Qëllimi i studimit ishte që të jepte një ndihmesë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në dhe përmes mediave të të gjitha llojeve, pavarësisht nga teknologjia e përdorur. Mund të thuhet se ka pasur tri valë të të menduarit për gratë dhe fuqizimin e tyre që nga vitet 1900 deri në shekullin e 21-të. Vala e parë ishte ajo e së drejtës së votës që filloi në SHBA. Vala e dytë ishte ajo e lëvizjeve shoqërore për çlirimin e grave. E nisur në Angli dhe më pas në SHBA e vende të tjera në vitet 1960, këto lëvizje kishin të bënin me një rend dite më të gjerë se sa thjesht e drejta për të votuar. Ato ngritën zërin për një gamë të gjerë dukurish shoqërore dhe kulturore, që pengonin lirinë e grave në krahasim me atë të burrave. Vala e tretë shkoi përtej këtyre çështjeve dhe u përqendrua në një mënyrë më të thelluar në çështjet e roleve gjinore të të gjithë njerëzve. Ajo u mor me mënyrën se si këto role sjellin një vazhdim të përhershëm të ciklit të pabarazisë dhe kufizojnë mundësitë e individëve për të zgjedhur dhe për t’u shprehur.

Nisur nga ajo çfarë kam menduar gjithmonë, them me bindje se vazhdoj fort të kërkoj e të publikoj sa mundem mbi modele grash dhe vajzash në pothuaj të gjitha sferat e zhvillimit që i duhen vendit. Por e vërteta është se ndihem po aq fort e pashpresë prej statusit të gruas në profesionin tonë dhe se çfarë në të vërtetë ky status përcjell përmes imazhit në media. Ne jemi gjysma e popullsisë së botës, por ende përbëjmë vetëm 24% të tematikës së lajmeve në edicionet informative, më tregonte një eksperte amerikane në një bashkëbisedim të gjatë në një nga takimet tona të punës. Jo vetëm kaq, por gjithashtu përbëjmë vetëm 20% të edicioneve në rang ekspertize. Dhe madje sot me zhvillimet e reja teknologjike, ekspertja më tregonte se ndihej e frustruar kur paralajmëronte një rrezik të çuditshëm: rrezikun e retushimit plotësisht të ‘fotos’ së gruas në edicionet informative.

Ju tregoj një histori, më shpjegoi më tej ajo. Në një foto dikur të presidentit Obama me këshilltarët e tij, teksa mbanin një konferencë për shtyp, në të djathtë në foton origjinale ishte edhe znj. Klinton. Por në një nga gazetat tona, ajo figuronte e retushuar. Fotoja origjinale ishte shumë e bukur, por mbi të gjitha sepse gjendej edhe ajo aty. Gazetës iu drejtova vetë, më shpjegonte ajo, dhe e pyeta mos ndoshta ishte ndonjë aksident gjatë printimit të gazetës. Por me sigurinë e një sjellje të diktuar, shtoi ajo, një nga editorët e saj mu përgjigj se ne nuk publikuam foton me znj. Klinton sepse ndoshta mund të ishte seksualisht provokuese. Kjo është një çmenduri, iu ktheva unë. Në shekullin e 21-të dhe ku në një nga gazetat e vendit më demokratik të botës ndodh ky lloj paragjykimi?! Ç’mund të presësh në një vend si yni, mendova në heshtje. Por në fakt, kjo ishte një e vërtetë absolute, ndaj iu riktheva studimit që më kish ardhur në zyrë prej muajsh e po priste kohën e vet të leximit.

Bazuar në studimin e mësipërm gjetjet treguan se gratë përbënin vetëm 19% të burimeve në kronikat politike dhe vetëm 20% të atyre ekonomike. Sipas të dhënave të këtij kërkimi, edicionet informative në disa vende të botës, qoftë edhe ato të zhvilluara, vazhdojnë të na japin ende një panoramë ku burrat e tejkalojnë më shumë numrin në raport me gratë pothuaj në të gjitha kategoritë e punësimit përveç dy grupeve: studentëve dhe shtëpiakeve.

Nuk po përmend këtu shifra mbi ngjarjet/lajmet e rënda që ndodhin ndaj grave si një gjini e viktimizuar, sepse Shqipëria nuk mbetet rasti i vetëm. Histori të tilla ka plot edhe në vendet më demokratike, histori të cilat nuk mbarojnë këtu, sepse kjo është një filozofi luftërash e përbotshme mes dy gjinive. Por gratë dhe media mbeten në të vërtetë dy çështje brenda së tërës. Problemi sipas meje qëndron në atë sesi kjo çështje me dy pjesët e saj është strukturuar dhe se si zbërthimi i tyre në mënyrë tipike është propozuar të trajtohet në kohët e sotme.

Së pari, ndërsa gratë vazhdojnë të trajtohen pothuaj keq në të gjithë botën dhe pasqyrohen thuajse varfër nga mjetet e multimedias në përgjithësi për shkak të klisheve seksuale dhe moralit të shfrytëzimit të gjinisë së tyre, burrat janë dhe do të vazhdojnë të mbeten gjithmonë të fiksuar pas seksit së tyre. As edhe një kulturë e tkurrur informimi apo qoftë dhe ndopak “edukim” i tyre për këtë çështje nuk do të mund ta relativizonte problemin edhe për shumë kohë madje në të ardhmen. Gratë dhe media çon në një spirale vicioze me të gjitha honet e saj negative për të dhënë mjaftueshëm një kronikë të gjallë të asaj çfarë shohim përtej asaj çfarë na jepet për të parë. Dhe kjo dukshëm mund të arrihet që në hapat e parë, të asaj çfarë quhet njohja e problemit.

Mbi të gjitha, qasjet dominante në botën mbarë ndaj këtij problemi janë kontradiktore. Burrat nga njëra anë janë ata, të cilët thonë se gratë nuk duhen përdorur (që është më se e vërtetë!), por nga ana tjetër janë po këta që thonë se identiteti seksual, morali apo dhe preferencat seksuale nuk kanë pikë rëndësie. Ndaj, sipas tyre mund të bëjmë çfarë të dëshirojmë dhe të bëjmë shumëçka na bën të ndihemi më mirë. Por, kjo në thelb është tejet kontradiktore po të mundohemi të gjejmë ‘djallin’ në skaje. Burrat po t’i ndjekësh me kujdes, në shumicën e tyre mbajnë vazhdimisht dy qëndrime. Ata nuk mund të propagandojnë se kujdesen vazhdimisht për gratë dhe nga ana tjetër “t’i shkelin syrin” një kulture që është e fiksuar pas seksit të tyre. Në historinë e njerëzimit burrat nuk kanë reshtur asnjëherë të mos jenë të fiksuar pas gjinisë femërore. Dhe kjo është arsyeja e vërtetë që rëndon më shumë problemin e shfrytëzimit/përdorimit të grave, e jo më të ndodhë e kundërta, ta përmirësojë atë.

Përmendim këtu revolucionin seksual të viteve ‘60, ku burrat dhe gratë ishin të lirë të çiftoheshin me njëri-tjetrin, mjafton që ata të gjenin një krevat. Dhe kjo për një brez të tërë, quhej LIRIA e shumëkërkuar! Por në të vërtetë, gratë ishin ato të cilat hasnin probleme konkrete në këtë marrëdhënie të re lirie që po bota po jetonte. Shpeshherë me pasoja katastrofike si të themi, shtatzënitë e padëshiruara, sëmundjet veneriane, aborti etj.

Apelet për liri seksuale nuk kanë ardhur përgjatë historisë së njerëzimit ndonjëherë prej grave. Ato do të mbesin gjithmonë të kërkuara nga burrat, ndaj që këtej nuk duhet ta heqim prej mendjes se janë gratë ato, të cilat në çdo rast paguajnë çmimin më të rëndë për këtë çmenduri të tyre. Nuk ka ndodhur e kundërta në asnjë rast e në asnjë vend.

Nga ana tjetër nuk mendoj se feminizmi është përgjigja e vetme për të rregulluar problemin e shfrytëzimit/përdorimit të grave nga ana e burrave apo paragjykimet që ekzistojnë ndaj tyre në tregun e profesioneve. Që këndej le të themi që jam ende skeptike për të besuar fort se kemi arritur shumëçka për të niveluar gjinitë femërore në realitetin shqiptar. Unë mendoj se edhe kjo pikë sado hapa konkrete të shohim rreth e qark nesh, mbetet një betejë diku në zhvillim e diku në evoluim e që nuk mund t’i shqitet dot mentalitetit të kulturës vendëse mbi të gjitha. Ju tregoj një shembull të një studiuesi të huaj amerikan, i cili betejat e pakryera të grave do t’i sintetizonte kështu nëpërmjet një historie; “…..beteja juaj është si u ndodh pikërisht atyre, të cilëve në sekond u lind dëshira e çmendur të hidhen nga një ndërtesë duke rrahur krahët, por shpejt e kuptojnë se forca e gravitetit vepron në çast dhe nuk ka rëndësi fare se sa shumë dëshirojnë të jetë ndryshe. E kundërta është e vërtetë. Graviteti ata i tërheq poshtë dhe që këtej nuk mund të fluturojnë. Ata shemben drejt e përdhe”.

Burrat dhe gratë sigurisht janë ndryshe, shumë më ndryshe e para në gjini dhe e dyta në psikologji e shumë dimensione të tjera. Por sigurisht kjo diferencë nuk mund të justifikojë fuqinë ballë së drejtës, apo të lejojë të fortin të shfrytëzojë/të mund të dobëtin. Por fatkeqësisht, duhet të pranojmë se kjo do të vazhdojë të mbetet edhe për shumë kohë një ‘doktrinë’ rregullash të forta i një morali të përbotshëm mes dy gjinive. Një çështje në fokus mjaft e diskutueshme edhe në këtë rend të ri botëror, ku pragu i thellimit të diferencave mes gjinive nga pikëpamja filozofike nuk është tejkaluar mjaftueshëm. Sa më shpejt të përballemi me “forcën e gravitetit” që eksperti iu referua dhe atë çka Zoti krijoi që në krye të herës – Evën si gjysmën e parë të njeriut dhe jo si një të tretën apo një të katërtën e tij, Evën që të ishte më shumë sesa një lodër seksi në duart e burrave apo të mos mbetej vetëm një kujdestare e mirë në familje, – aq më shpejt gratë do të ndiheshin vërtetësisht të respektuara dhe të lira prej paragjykimeve të burrave dhe pasigurisë apo frikës së tyre ndaj kontributit të tyre, bazuar mbi talentin e spikatur profesional dhe personal që zotësisht ato e kanë, por edhe e gjejnë në tregun e punës. E gjitha kjo për të mirën e të gjithëve ne.

Burimi:http://www.gsh.al/

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top