Intervistë me Francesco Aquilar Psikoterapeut, ekspert i bisedimeve ndërpersonale. Autor i një sërë librash mes të cilëve “Gratë nga A në Zh dhe Psikoterapia e dashurisë dhe e seksit, së bashku me Franco Angeli.
Çdo grua e di: Në dashuri priret të përsërisë të njëjtat sjellje e për pasojë të njëjtat gabime. Pse ndodh?
Ndodh kur një grua nuk di të menaxhojë emocionet e veta. Nuk ia del sidomos të njohë dhe të identifikojë saktësisht çfarë provon vetë dhe çfarë provon partneri. Pastaj ka problem edhe t’i manifestojë në pikën që tjetri nuk i kupton dot dëshirat dhe gjendjet e saj mendore. Pastaj nuk arrin t’i modelojë emocionet pasi në disa raste mund të jenë shumë të “mëdha” ose shumë “të vogla”. Por, për të pasur një marrëdhënie të ekuilibruar duhet mësuar t’i rregullojë këto probleme të skajshme ose defekte emotive. Siç ka përshkruar psikologu amerikan Robert Sternberg, një prej studiuesve më të mëdhenj sot të zhvillimit konjitiv dashuria është e kompozuar nga intimiteti, pasioni dhe impenjimi: lëkundja e njërit syresh e vështirëson menaxhimin e kënaqësisë së marrëdhënies sentimentale.
Por emocionet a mund të na gënjejnë?
Jo por duhet ditur të interpretohen. Kur provojmë një emocion është njëlloj si kur ndizet një llambë e kontrollit të makinës: mund të mos e dimë se cili sinjal nënkupton mungesën e benzinës, të vajit apo të ujit. Të japim një shembull të nivelit të marrëdhënies: një grua del për herë të parë me një burrë, kalon ditën në një park dhe ndjen “fluturat” në stomak. Pastaj në shtëpi, kupton se ai person nuk duhet të ketë qenë edhe aq i rëndësishëm, nuk e merr malli për të… Ja pra, duhet të kemi instrumentet për të kuptuar të ashtuquajturat “flutura” që nuk kanë qenë të lidhura me burrin në fjalë por me kujtimin e një emocioni të provuar në të kaluarën që rilulëzohet.
Gabohet pra nga mosnjohja e mjaftueshme e vetes… Por, kush është gabimi më i zakonshëm i grave?
Ideja e gjetjes së shpëtimtarit, i aftë për të zgjidhur të gjitha problemet e saj. Një figurë në dukje mbrojtëse, por që në realitet nuk e favorizon rritjen e autonomisë dhe që shpesh shndërrohet në një persekutor ose në një viktimë… Shpesh një nga ato role që i përgjigjen “atje dhe atëherë” (të shkuarës) në vend që të jetë “këtu dhe tani” (në të tashmen) dhe përdor vendimmarrje të vjetra, të mësuara qysh fëmijë, nga prindërit e tij.
Po dëshira për të gjetur të ashtuquajturin “princin e kaltër”?
Iluzioni i princit të kaltër ose i burrit të bukur, të zotë, pa njolla dhe mëkate (me një fjalë ireal), duket sikur nuk është më në modë dhe shpesh nuk zihet në gojë, është pjesë e kulturës.
Gabime të tjera të zakonshme?
T’i japësh, në shoqërinë e imazhit, shumë rëndësi kur janë të dashuruara perfeksionit fizik. Disa gabime të tjera tipike që i bëjnë edhe burrat janë: mashtrimi për të fituar partnerin ose përmirësuar marrëdhënien… varësia afektive në rastet kur nuk arrijmë të mbyllim një marrëdhënie, edhe nëse është e mbaruar, nga frika e ndryshimit. Të trembur nga çdo e re, “të varurit” e frenojnë zhvillimin e aftësive vetjake, duke e fshehur brishtësinë pas nevojës për të pasur “kujdesin e tjetrit”. Shpesh gratë priren t’ia vënë seksit të fortë fajin për palumturinë e tyre sentimentale… Është vetëm një stereotip femëror i përhapur, që krahasohet me këndvështrimin e burrave për të cilët çdo grua është sirenë. Duhet marrë distancë nga të tilla këndvështrime, pasi priren të largojnë burrat nga gratë. Vetëm biologjikisht, femrat kërkojnë sipas pëlqimit numrin më të madh të meshkujve për të përzgjedhur më pas atë që u duket më i përshtatshëm për mbarsjen ose kujdesin për fëmijët. Burrat, përkundrazi shihen si “majmunë” të programuar, për të mbarsur sa më shumë gra, me qëllim për të rritur mundësinë e suksesit evolutiv të kodit të tyre gjenetik. Kjo bazë biologjike që qëndron në nivel të pandërgjegjshëm është kapërcyer tashmë nga evolucioni kulturor.
Një grua, të cilën burri sapo e ka lënë për një tjetër ose ka ikur vetë e zhgënjyer sepse nuk ka gjetur tek ai njeriun që ka pritur, ka në përgjithësi ndjesinë se po risheh të njëjtin film ku është protagoniste…
Po, pikërisht pasi priren të përsërisin të njëjtat gabime që do të thotë të krijojnë të njëjtin çift sentimental.
Përse bëhet fjalë praktikisht?
Për sjellje automatike të përcaktuara nga stili personal që priremi t’i mbajmë të pandryshueshme edhe me partnerë të ndryshëm. Pra një personazh që reciton të njëjtën pjesë pavarësisht nga komedia në të cilën luan, sikur të ishte gjithnjë e njëjta.
Nga vjen kjo?
Kjo ka të bëjë me përvojat e fëmijërisë të lidhura me sigurinë e marrëdhënies të eksperimentuar (ose jo) në fazat e para të zhvillimit të konfirmuara ose të mohuara në adoleshencë. Në përvojat sentimentale, në të vërtetë priremi t’u kundërpërgjigjemi asaj që kemi jetuar qysh të vegjël. Nëse prindërit i kanë dhënë fëmijës sigurinë se kanë qenë të mirëpritur, i kanë ushqyer në planin fizik dhe emotiv, i kanë siguruar konfortin nëse kanë qenë të trishtuar, i kanë dhënë sigurinë nëse kanë qenë të trembur, me tu rritur, këta persona do të dinë të përzgjedhin kandidatin partner, për të ndërtuar dhe administruar marrëdhënien, për të qenë të mbështetur, për të kërkuar ndihmë dhe mbyllur pa probleme një histori nëse ajo ka mbaruar. Në të kundërt, pa këtë bazë sigurie njeriu priret t’i jetojë lidhjet afektive në një mënyrë të ankthshmeshmangëse ose refuzuese – të ndara më dysh ose dëshiruese për t’u shkrirë me tjetrin ose, më shumë se kaq, në mënyrë të çorganizuar të çorientuar ose të trembur, të lëkundur mes dëshirës për t’u bashkuar me tjetrin dhe për t’u larguar prej tij… Pastaj, çdonjëri nga ne, është një qenie unike e papërsëritshme, me asete të ndryshme mendore, personalitete të ndryshme, histori, emocione dhe sjellje: për secilin, pra gabimet janë të ndryshme.
E nëse bazat e sigurta që nga fëmijëria janë, a mund të aspirohen marrëdhënie shpërblyese?
Sigurisht por duhet testuar për t’u identifikuar modelet e marrëdhënieve dhe të vihen në diskutim, duke bërë një punë njohëse me veten. Shpesh ama, para një historie ose më shumë historive që shkojnë keq nuk ekziston forca për të reaguar. Cila është kambana e alarmit për të kuptuar se ka ardhur ora e ndryshimit dhe duhet dalë nga gabimi? Kur, përballë palumturisë, priremi të mendojmë që “të gjithë burrat tradhëtojnë, gënjejnë dhe zhgënjejnë” ose “Gratë s’i ke për gjë”…
Çfarë duhet bërë?
Jini të vëmendshme ndaj emocioneve tuaja, që janë një formë e njohjes; japin informacione mbi personin që ju intereson, vlerësojnë kënaqësitë dhe pakënaqësitë e ndërveprimeve me partnerin, ndihmojnë për të kuptuar (nëse janë negative) që ka diçka që nuk shkon në marrëdhënien aktuale, për të na shtyrë drejt përmirësimit të saj ose ndërprerjes. Përveç këtyre, duhet mësuar të negociojmë me kë na intereson dhe na pëlqen i cili ka një mënyrë të tijën për të dëgjuar, për të menduar, për të reaguar, të ndryshme nga e jona, të negociojmë me efektshmëri vetëm duke legjitimuar ndryshueshmëritë…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.