Psikofakt

March 8, 2017 | 12:53

Gratë në Botën e Punës në Ndryshim

PHUMZILE MLAMBO-NGCUKA*

PHUMZILE MLAMBO-NGCUKA*

Shumë gra e vajza, në mbarë botën, shpenzojnë shumë orë me punët e shtëpisë, zakonisht më shumë se dyfishi i kohës që shpenzojnë burrat dhe djemtë. Ato kujdesen për vëllezërit e motrat më të vegjël, pjesëtarët më të moshuar të familjes, kujdesen për të sëmurët në familje dhe menaxhojnë shtëpinë. Në shumë raste, kjo ndarje e pabarabartë e punës bie në kurriz të arsimimit të grave dhe vajzave, të punës së paguar, sportit, angazhimit civil apo udhëheqjes së tyre në komunitet.

Kjo gjë përcakton normat e disavantazhit dhe avantazhit relativ ku gratë dhe burrat pozicionohen në ekonomi, të asaj që ata janë të aftë të bëjnë dhe ku do të punojnë. Kjo është bota e pandryshuar e punës së pashpërblyer, një skenë e njohur në mbarë botën e së ardhmes së vyshkët, ku vajzat dhe nënat e tyre mbështesin familjen me punë të papaguar, me jetë, trajektoret e të cilave janë shumë të ndryshme nga ajo e burrave të shtëpisë. Ne duam të ndërtojmë një botë pune të ndryshme për gratë.

Ndërsa rriten, vajzat duhet të ekspozohen ndaj një game të gjerë mundësish për karrierë, dhe të inkurajohen të bëjnë zgjedhje që i çojnë përtej shërbimit tradicional dhe kujdesit, te vende pune në industri, art, shërbime publike, bujqësi dhe shkenca moderne. Ne duhet ta nisim ndryshimin në shtë- pi dhe në ditët e para të shkollës, në mënyrë që në ambientin e një fëmije të mos ketë vend ku ata të mësojnë se vajzat duhet të vlejnë më pak, të kenë më pak dhe të kenë ëndrra më të vogla se djemtë.

Kjo kërkon ndryshime në mënyrën e prindërimit, kurrikula, ambientet arsimore, si dhe kanalet e stereotipeve të përditshme, siç janë televizioni, reklamat dhe argëtimi; kërkohen hapa të vendosur për të mbrojtur vajzat e reja nga praktikat e dëmshme kulturore si martesat e hershme dhe të gjitha format e dhunës. Gratë dhe vajzat duhet të jenë të gatshme të bëhen pjesë e revolucionit dixhital. Aktualisht, vetëm 18 për qind e diplomave universitare në shkencat kompjuterike mbahen nga gratë. Ne duhet të shohim një ndryshim domethënës te vajzat në mbarë botën që ndjekin studimet për lëndët shkencore, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, nëse gratë do duhet të konkurrojnë me sukses për punët e reja të mirëpaguara të “jakave të bardha”.

Aktualisht vetëm 25 për qind e fuqisë punëtore në industritë dixhitale janë gra. Arritja e barazisë në vendin e punës kërkon zgjerim të punës së ndershme dhe të mundësive të punësimit, duke përfshirë përpjekje të posaçme nga ana e qeverive për të nxitur pjesëmarrjen e grave në jetën ekonomike, përkrahjen e kolektivëve të rëndësishëm, si sindikatat, dhe zërat e vetë grave për t’i dhënë formë zgjidhjeve për të kapërcyer pengesat aktuale të pjesëmarrjes së grave, të konstatuara nga Paneli i nivelit të lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për fuqizimin ekonomik të grave.

Arritja është e madhe: të bëjmë përpara në barazinë e grave e kjo mund ta rrisë PBB globale me 12 miliardë dollarë brenda vitit 2025. Kjo kërkon gjithashtu përqendrimin me vendosmëri për të hequr diskriminimin që gratë hasin në fronte të shumëfishta dhe të ndërthurura mbi dhe përtej gjinisë: orientimi seksual, aftësia e kufizuar, të moshuarit dhe raca. Pabarazia e pagës shoqërohet nga hendeku i pagës mesatare gjinore me 23 për qind, por kjo shifër rritet në 40 për qind për gratë amerikano-afrikane në Shtetet e Bashkuara. Në Bashkimin Europian, gratë e moshuara kanë 37 për qind më shumë gjasa të jetojnë në varfëri sesa meshkujt e moshuar.

Në rolet ku gratë janë tashmë të mbipërfaqësuara, por të keqpaguara dhe me pak ose aspak mbrojtje sociale, ne duhet t’i bëjmë këto industri të punojnë më mirë për gratë. Për shembull, një ekonomi me kujdes të fortë që u përgjigjet nevojave të grave dhe i punëson ato duke u siguruar të ardhura të mira, kushte dhe afate të barabarta për punën e paguar dhe të papaguar të grave, si dhe mbështetje për gratë sipërmarrëse, duke përfshirë qasjen e tyre në burime financiare dhe tregje.

Edhe grave në sektorin joformal duhet gjithashtu t’u njihen dhe mbrohen kontributet e tyre. Kjo gjë kërkon vënien në jetë të politikave makroekonomike që kontribuojnë në rritjen gjithëpërfshirëse dhe përshpejtojnë në mënyrë domethënëse zhvillimin e 770 milionë njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme. Trajtimi i padrejtësive kërkon vendosmëri dhe fleksibilitet nga ana e punëdhënësve, si ato të sektorit publik, ashtu edhe privat. Për të marrë në punë dhe mbajtur punonjëse femra, duhen stimuj, të tillë si përfitime më të zgjeruara të lejes së lindjes për gratë, të cilat mbështesin rikthimin e tyre në punë, miratimi i Parimeve të Fuqizimit të Grave dhe përfaqësim i drejtpërdrejtë në nivele vendimmarrëse.

Është e nevojshme që këta stimuj të shoqërohen me ndryshime të rëndësishme në ofrimin e përfitimeve për baballarët e rinj, së bashku me zhvendosje kulturore, të cilat e bëjnë zgjedhje praktike marrjen e lejes së lindjes dhe lejes si prind për baballarët, dhe kështu një përfitim të vërtetë të përbashkët për familjen. Në këtë kompleksitet, duhet të kryhen ndryshime të thjeshta, por të mëdha: që burrat të prindërojnë, gratë të marrin pjesë dhe vajzat të jenë të lira të rriten të barabarta me djemtë. Nëse ne do duam të rrisim numrin e njerëzve të aftë për t’u angazhuar në një punë të denjë, për ta mbajtur këtë grup gjithëpërfshirës dhe për të realizuar përfitimet për të gjithë që vijnë nga bota e barabartë e parashikuar në Axhendën tonë 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, duhen të ndodhin ndryshime në të gjitha anët.

*Mesazh nga Drejtoresha Ekzekutive e UN Women, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 mars 2017

/Panorama/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top