Lifestyle

April 15, 2017 | 17:01

“Gratë në pushtet? Kushdo të vijë, gënjeshtra është e para në sofër”

Nga Alma Mile

Kur Aristofani i veshi gratë si burra dhe “u dha” në dorë pushtetin, nuk e bëri këtë sepse besonte se ato ishin më të mira dhe më të zgjuara se burrat. Më të bukura, po, por sido që të vejë puna, kushdo të bjerë e të ngjitet në pushtet, asgjë nuk do të ndryshojë. Të pasurit do të mbeten të pasur dhe të varfrit sërish të varfër.

Demagogjia, premtimet boshe, qysh në kohën e Aristofanit, i tërhoqën vëmendjen regjisorit Spiro Duni, i cili që në vitin 1995, bluante në mendje të ngjiste në skenë komedinë “Pushteti i grave”. Ajo vjen në Teatrin Kombëtar, si një variacion mbi komedinë e Aristofanit “Pushteti i grave” ose “Gratë në parlament”. Një punë voluminoze, me një numër të madh aktorësh.

teatriKësaj here Dunit i është dashur të punojë me 15 burra e 15 gra. Të punosh me këto të fundit, nuk është edhe aq e thjeshtë, por Duni, që në vepër i trajton ato si krijesa të brishta, thotë se gjithsesi “janë më të mira se burrat”. Sa i përket komedisë, ai e zhvendos nga antikiteti, nga Greqia, në një vend pa emër e pa kohë, por që mban era Shqipëri. E nuk ka sesi, nëse në thelb është loja për pushtetin. Një palë ikën, një vjen, por realiteti është po ai.

teatri2Ç’ju shtyu deri në antikitet te “Pushteti i grave” të Aristofanit?

Që në vitin 1995, kur kam rënë në kontakt me këtë vepër, ajo që më ka interesuar dhe intriguar ishte demagogjia dhe premtimet që çdo klasë politike, kushdo qoftë ajo, bën përpara se të vijë në pushtet dhe realiteti është i njëllojtë si me ata që ishin në pushtet, dhe me ata që janë.

E megjithatë, ju keni preferuar të ngrini një vepër tuajën mbi të Aristofanit, pra të frymëzoheni prej tij, për të na sjellë një variant të ri, përse zgjodhët këtë rrugë, kur mund të kishte qenë më e thjeshtë të trajtonit origjinalin?

Mund të punosh mbi një vepër të huaj, sidomos me ato të antikitetit, por e rëndësishme është si e sjell atë. A vjen era Shqipëri? Që në momentin kur e lexova veprën dhe e përktheva, mendova se nuk më shërben mua si shqiptar. Nëse do ta trajtoja ashtu, do të ishte e largët për realitetin tonë kaotik. Nga vepra e Aristofanit, sigurisht që unë ruaj ngjarjen, ku gratë hyjnë në parlament të veshura si burra dhe bindin që të marrin pushtetin; kam ruajtur konfliktin e hollë e të zgjuar. Marr dialogë, por e kam bërë të ndihet Shqipëri, pavarësisht se vendit ku ndodh ngjarja nuk i kam vënë një emër.

teatri3Meqë bëhet fjalë për “Pushtetin e grave”, si trajtohen gratë, si qenie të brishta apo që e meritojnë vërtet të kenë pushtet?

Mua më ka pëlqyer mjeti që ka përdorur Aristofani në këtë komedi. Një naiv mund të mendojë se po erdhën gratë në pushtet, do të jetë më mirë, por jo. Aristofani përdor mjetin, përdor gratë, si një alternativë. Ai përdor sensualitetin e tyre dhe unë jam përpjekur ta ruaj këtë element, duke e paraqitur gruan si një objekt bukurie. Në fund, Aristofani ua ktheu sërish pushtetin burrave, kurse unë e trajtoj si një lojë, duke thënë se sa për gratë, jemi të gjithë dakord që janë qenie të brishta, por i kanë ca të këqija. Por gjithçka është trajtuar me shumë maturi dhe dashuri. Por në fund, Aristofani del sërish te thelbi se çdo pushtet që vjen, gënjeshtrën shtron të parën në sofër dhe se të privilegjuarit janë sërish pakica me xhepat plot dhe jo shumica me xhepa bosh e halle plot.

Duket sikur jeni më i prirë drejt dramës, sesa komedisë…

Unë e kam trajtuar edhe komedinë, edhe dramën. Sime bije, që bën edhe muzikën e veprës, i dukem më interesant tek absurdi. Në këto kohë që kalon vendi, më pëlqen më shumë të jem dramatik se komik dhe në rastin konkret, qesh se nuk mundem të qaj dot.

teatri1Ju duhet të punoni me shumë gra këtë herë. Janë aq të brishta sa thotë Aristofani?

Po, janë shumë gra. Është e vështirë të punosh me gratë, por, në fund të fundit, janë më të mira se burrat e mes tyre radhis edhe veten.

Pas një kohe të gjatë, sa nuk mbahet mend, ju ktheni në skenë Ardian Cergën…

Kisha 27 vjet që nuk e shihja në skenë, por meqë ai donte të përmbyllte një fazë të jetës së tij, i ofrova një rol që i përshtatet moshës dhe pamjes së tij të hijshme. Është një rol ku mirësia i shkon për shtat si askujt tjetër. Ai është një viktimë shqiptare që, si shumë të tjerë, beson te shteti…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top