Nga Ani Jaupaj
Po të thuash Shpresa Vasili, aktorëve të Teatrit Kombëtar do t’iu duhet pak kohë të kujtohen se për kë po flitet. Të gjithë e njohin si Peça. Prej shumë vitesh tashmë është grimierja e të gjitha shfaqjeve në Teatrin Kombëtar.
Peçës nuk i pëlqen të dalë në media. Në fakt mund të mos jetë çështje pëlqimi, por “dhoma” si ajo e saj janë pak të rrezikshme (ajo vetë nuk na e pohoi një gjë të tillë). Ç’nuk flitet e ç’nuk dëgjohet! Po sikur Peçës t’i shpëtojë goja jashtë?! Ky është vetëm një hamendësim sepse në të vërtetë nuk ndodh. Përndryshe, dhoma e grimit në teatër nuk do të ishte streha e gjithë aktorëve. Është një dhomë me përmasa mesatare, me stil të vjetruar (siç ka qenë prej vitesh), por energjia dhe emocionet që sjellin aty të gjithë nuk të lejon të përqendrohesh gjatë te mobiliet e një kohe tjetër.
Rrethuar nga pasqyra, kukulla me paruke e gjithfarë aksesorësh grimi, dhoma e Peçës brenda një minute të vetme mund të kthehet në kafenenë më të dashur. Ajo është “mami” i të gjithëve.
U bën aktorëve çaj, kafe, i nxit të kapërcejnë ndonjë gjendje emocionale të tepruar përpara premierave, del, udhëton me ta; është figura e padukshme e teatrit, që është e pranishme në të gjitha ngjarjet e tij. Ka njohur të gjithë aktorët e regjisorët e ka parë aq shumë shfaqe, sa sot nuk mund të mos i kërkojnë që pas grimit të dalë të shohë provat për të dhënë një mendim. Nëse nuk i pëlqen, dallohet që në fytyrë, nuk është nevoja të flasë. Mungesa e aftësive për të maskuar të vërtetën i bën aktorët që të kërkojnë edhe mendimin e saj.
“Equus”, pjesa më e fundit që po shfaqet në Teatrin Kombëtar, po i merr Peçës më tepër kohë se shfaqet e tjera. Duhet ta telefonosh disa herë për t’i gjetur një hapësirë të lirë në drekë, sepse në orën 16:00 duhet të jetë në teatër. Ajo është po aq e emocionuar sa aktorët për këtë pjesë. “Hë si t’u duk?”, të pyet, ndërsa ti je duke i folur për diçka tjetër. Ngarkesa e të gjithëve kalon nga furçat e saj. Ua lexon tensionin në lëkurë, në përpëlitjet e pakontrolluara të qepallave, në ngurtësimin e nofullave.
Prandaj edhe, përveç ngjyrës së duhur të tonit të syve e trashësisë së penelit, Peça duhet të ketë gjithnjë gati edhe “kurën” shtendosëse. Tjetër se asaj vetë nuk i duket asgjë sepse nudizmin në skenë e ka parë që në vitin 1979…
Meqenëse sapo keni dalë nga shfaqja “Equus”, pjesë që dallohej se ishte nën drejtimin e një regjisori të huaj, ç’pëshpëritnin aktorët për këtë?
Gjëja më e bukur që ka ndodhur me këtë shfaqë është atmosfera e punës. Mënyra se si ato kanë ardhur në punë, sepse duhet ta dini që puna në teatër është ansambël. Po të mungojë atmosfera e të gjithë grupit, gjërat nuk shkojnë si duhet. Në këtë shfaqe, sikur pak të çedojë njëri, reflektohet në punën e të gjithëve. Aktorët, por edhe i gjithë stafi pas skene, kanë ardhur me dëshirë të madhe për të punuar në këtë rast. Sigurisht që nuk ka munguar as frika e rezultatit, por duartrokitjet dhe reagimi i publikut pas premierës tregoi që puna kishte shkuar shumë mirë.
Nuk kishte ndodhur më parë në teatrin shqiptar që një aktor të shfaqej nudo. A ishte Igli Zerka, personazhi që thuajse gjysmën e shfaqjes ishte lakuriq, më i tensionuar në këtë rast?! Në dhomën tuaj të grimit bëhen të gjitha bisedat, para dhe pas shfaqjes…
Ai djalë, meqenëse ishte i ri dhe kishte rolin e tij të parë, punën e lakuriqësisë as që e llogariti fare, ishte gjëja e fundit që mund t’i binte ndërmend. Që kur e ka nisur, ka jetuar vetëm me njëfarë ankthi nëse do të mund ta bënte dhe pikërisht për këtë pyeste si isha, si do të jetë. Me atë që pashë vetë dhe me atë që dëgjoja prej të gjithë aktorëve pati vetëm lëvdata, të gjithë thoshin “Bravo Igli”, kështu që ai e realizoi qëllimin e tij, të regjisorit e të gjithë shfaqjes. Sa i përket veshjes, kjo është hera e parë që ndodh dhe mund të ketë ndonjë reagim nga mentaliteti ynë, por vërtet që theu tabutë. Nga ana tjetër, unë bashkë me aktorë e punonjës të tjerë të teatrit kemi parë skena të tilla që në 1979, kur kemi shkuar për një shfaqje në Kosovë.
Si reagonit ju atëherë kur shihnit shfaqje të tilla? Ç’komente bënit më pas?
Gjithë kokat tona ishin poshtë sediljeve se na vinte turp, bashkë me aktorët. Dhe nuk ishte vetëm zhveshja, por edhe fjalori i padëgjuar për ne. Shqiptarët e Kosovës janë më të çliruar, nuk kanë komplekse, megjithatë një herë e parë do të ishte edhe për teatrin tonë dhe ishte tani. Ne pamë edhe një shfaqe tani afër, përpara dy vitesh në Rumani, që ishte krejtësisht nudo, por në rastin e Iglit veprimi vjen bashkë me zhveshjen dhe bëhet gjë e natyrshme, por atje detajet nuk kishin lidhje me veprimit, prandaj edhe në Rumani nuk linte përshtypje të mira. Kishte në skenë aktorë të mëdhenj si Maia Morgenstern, e cila doli nga salla sepse lakuriqësia nuk ngjiste me të tërën. Pra, edhe sot, pavarësisht çkompleksimit, do të kërcasë nëse dikush shfaqet nudo, apo ka skena që nuk janë në funksion të veprës. Kur erdhëm këtu nga Kosova komentuam vetëm se sa përpara ishin ata në mentalitet, krahasuar me ne.
A u përcoll ngjarja më lart, ndërhyri njeri?
Fare, fare, nuk u tha asgjë. Sigurisht që ne kishim marrë porositë tona dhe lidhur me këtë nuk u komentua, por na ndodhi diçka tjetër. Na çuan në një lokal nate, ku kishte balerina të zhveshura. Unë isha vetëm 20 vjeçe, por s’kam për ta harruar. Kishim me vete sekretarin e partisë dhe vetëm kur ndaloi ai i pari e ne pas tij, të gjithë si tulla: “Jashtë, jashtë, se këtu janë njerëzit të zhveshur!”, edhe ikëm, nuk pamë asgjë.
Meqenëse u kthyem në kohë, kur keni nisur punë në Teatrin Kombëtar?
Kam nisur punë në vitin 1976. Kam mbaruar Politeknikumin dhe kam filluar si elektriciste në teatër, edhe në udhëtimet që po flisja ashtu kam shkuar, si elektriciste. Kam punuar deri në 1992 me ndriçimin, u shkëputa për pak kohë në Gjermani dhe kur u ktheva fillova me grimin.
Si e mësuat punën e re?
Së pari, unë kam qenë gjithmonë shoqe me grimieret në teatër. Ne kemi pasur grimieren më të mirë në Shqipëri, Ermini Kotini, e cila ia kishte kushtuar gjithë jetën kësaj pune. Madje, atë e mbajtën deri vonë në punë dhe të gjithë ç’kanë ardhur më pas janë të mësuara prej saj, përfshi këtu edhe mua. Ermini kishte një teze që kishte bërë shkollën në Francë, ishte një grua që nuk lindi fëmijë dhe gjithë jetën ua kushtoi parukave. Të gjitha ato që kemi ne sot aty, origjinalet, janë të Erminit, është një thesar aty sepse kishte një pasion të admirueshëm. Ne vazhdimisht shihnim si punonte sepse edhe ajo na afronte, kërkonte t’u mësonte të tjerëve.
Nuk e mbante për vete profesionin…
Jo, edhe sepse ishte tamam në prag të pensionit dhe dikush duhet të vinte pas saj. Ndërkohë që unë vazhdoja të isha elektriciste, Ermini ia lë punën shoqes sime të ngushtë, Zanës. Ajo kishte mbaruar për Aktrim, por më pas u mor me këtë punë. Duke ndenjur gjithë kohës me Zanën, nuk i shpëtova as unë kësaj pune. Më vonë, kur doli Zana në pension e zëvendësova unë.
Si ka qenë marrëdhënia me aktorët në kohë të ndryshme, përpara ’90-s dhe sot?
Më shumë sesa koha është natyra ime që përshtatem dhe komunikoj me të gjithë njerëzit, nuk se ka pasur shumë ndryshim. Kur isha te ndriçimi më lidhte puna me aktorët, kështu që kam qenë vazhdimisht në marrëdhënie me ta. Në fillim bënin humor, më ngacmonin duke më thënë se si u bëra parukiere nga elektriciste. Sigurisht që përpara se të nisja zyrtarisht këtë punë bëra edhe një kurs për të qenë në rregull me të gjitha, por kursi më i madh te grimi në teatër është përvoja, kam filluar punë 18 vjeçe aty.
E kujtoni personazhin e parë që keni grimuar?
Më duhet të mendohem pak, por ndoshta Ahmet Pasha e Drita Pelinku… Janë aq shumë shfaqe.
Thuajse të gjithë i njohin nazet e aktorëve në pikëpamje të ndryshme. A janë të dukshme këto edhe në dhomën e grimit? A ndërhyjnë në punën tuaj?
Jo të gjithë. Ka aktorë që janë të qetë, që nuk përfshihen fare, por ka edhe të tjerë që e kanë edhe prej ngarkesës së shfaqjes dhe e nxjerrin aty. Ndihet tensioni sepse nuk rrinë dot në vend, bëhen nervozë, lëvizin këmbën, por në fund nuk harrojnë të të thonë “Të lumshin duart!”.
Më ka qëlluar të vij aty dhe është një rrëmujë e madhe përpara shfaqjes. Njëri flet, njëri këndon, tjetri është në telefon…
Po, ashtu bëhet vërtetë, aty pihet çaji, kafja, aty bëhen të gjitha. Unë jam si mami aty dhe ndonjëherë edhe bërtas, edhe zërin shyqyr e kam të plotë. Megjithatë, asnjëherë nuk ka ndodhur të kemi probleme me aktorët, të kemi grindje apo gjëra të ngjashme.
Nuk u referohem grindjeve më shumë sesa situatave të humorit…
Në fakt, kohët më të bukura kanë qenë dikur. Ka qenë atmosferë e mrekullueshme nëse do të ishin aktorë në shfaqje Roland Trebicka me Robert Ndrenikën. Vinin te grimi dhe nuk pushonin batutat që shkëmbenin me njëri-tjetrin. Në fakt, ata donin të çlironin veten dhe aktorët e tjerë, por e bënin këtë pa e vënë në dukje. Madje, Landi me Bertin nuk kishin asnjëherë probleme në skenë, por ishte më shumë situatë e krijuar në favor të të tjerëve. Ata të dy kanë qenë të papërsëritshëm. Imitonin, ngacmonin njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, me secilin prej të dyve nuk mund të bënte humor kushdo, por ata ishin miq mes tyre, prandaj edhe hidhnin e prisnin.
Na flisni për ata që nuk janë më, Drita Pelinkun a kolege të tjera të saj…
Këtë nuk e them vetëm unë, të dëgjoni studentët e Dritës se me çfarë respekti flasin për pedagogen e tyre, nuk mund ta besoni. Ka qenë zonjë e vërtetë. Edhe përpara shfaqjes, këtë u themi të rinjve, sikur të kishit një shans të kishit punuar me aktoret e vjetra vetëm për të parë mënyrën e tyre të të punuarit. Ato vinin 2-3 orë përpara, mbylleshin në kabinat e veta, përqendroheshin, sot është tjetër gjë, e marrin më me sportivitet. Nga ana tjetër, edhe rregullat dikur kanë qenë ndryshe, presioni më i madh.
Po të krahasojmë dy kohët, si ka ndryshuar atmosfera në dhomën e grimit?
Tani është më e zhurmshme, atëherë ishte më e qetë. Sot janë më sportivë aktorët, dikur ishte mentalitet tjetër, kohët janë krejt të ndryshme. Edhe mënyra e të folurit nuk është më si më parë.
Pse ju thërrasin Peça?
Në punë kanë nisur të më thërrasin kështu dhe ngeli, por jam aq e hershme sa tani nuk e kujtoj se si ka nisur. Aktorët që vijnë tani s’kishin lindur akoma kur kam nisur të punoj në TK.
Në dhomën tuaj jeni mikesha e të gjithëve, të vjetër a të rinj qofshin?
Me aktorët kam marrëdhënie të mira, me të gjithë. Asnjëherë nuk kemi prishur fjalën me njeri. Mund të mërzitem vetë, por të tjerëve nuk ua përcjell.
Si ka qenë dikur kur kishit pozicion tjetër, na tregoni diçka për udhëtimet, meqenëse ishin të shpeshta…
Udhëtimet kanë qenë të tmerrshme, sepse ne dikur e kemi pasur me rregull që gjatë verës të jepnim 72 shfaqje fshati dhe ndaheshim në dy grupe, hipnim nëpër kamionë. Madje nuk e harroj dot Violeta Manushin që ishte edhe e shëndetshme dhe i duhej të hipte në majë të kamionit. Kemi shkuar në të gjitha zonat e thella pas Dajtit e fshatrat e Tiranës, ku nuk kishte as rrugë. Jepnim çdo ditë një ose dy shfaqje fshati dhe kjo ishte e padiskutueshme.
A e pranonin lehtë aktorët ketë gjë, apo nuk ishte koha për të kundërshtuar…
Sigurisht që nuk bënin dot gjë tjetër, por nga ana tjetër edhe kënaqeshin me atë atmosferën e fshatit. Ka pasur raste që kemi kaluar edhe natën nëpër këto zonat e thella. Në një fshat, për shembull, na kanë ngrënë pleshtat kur kemi shkuar për shfaqjen “Lulet e Shegës”. Më kujtohet që kam qenë në dhomë me Marika Kallamatën dhe Emsa Agollin. Pas shfaqjes, shpërndahemi të flemë dhe Esmaja, kur hymë te dhoma, tha paska ardhur furça e dhëmbëve, qenka mirë situata. Unë shoh krevatin dhe i them Marikës: “Pupu, ku do të flemë ne Maka”. Mirëpo ato nuk ma vunë veshin. Futemi për të fjetur dhe vetëm kur fillon të na hajë trupi. Poshtë nesh ishte bagëtia dhe nga dërrasat ne ishim bërë të tria keq. Dalim në dy të natës për të shkuar te burimi që të freskoheshim dhe të hiqnim ato, kur shohim aty ishte gjithë teatri, Piro Malaveci, Drita Pelinku, Yllka Mujo, ishin të gjithë. Nuk u kthyem më nëpër dhoma, ndenjëm jashtë. Në mëngjes pimë nga një gotë dhallë dhe u kthyem në Tiranë. Ka episode edhe të bukura, edhe të pakëndshme. Nëpër fshatra kemi pasur vërtet aventura, madje edhe raste rreziku. Pastaj ishin turnetë e verës që i kishin merak të gjithë. Saranda, Vlora, Butrinti… ato i shfrytëzonim edhe për të pushuar.
Si i prisnin njerëzit e vendeve ku shkonit artistët?
Vlora ka qenë ndryshe nga të tjerat, sepse njerëzit ishin më të ashpër dhe ne nuk kishim mundësi të bënim plazh, sepse grumbulloheshin njerëzit për të ngacmuar aktoret e reja. Detyroheshim të ngriheshim, se nuk na linin rehat. Burrat aktorë shkonin flisnin me njerëzit që të mos ngacmoheshin vajzat. Nuk kishin faj, se vajzat ishin të bukura, Yllka Mujo, Elvira Diamanti… Hidhnin fjalë, gjuanin me ndonjë gur. Largoheshin, vinin…
Tani nuk ndodhin më këto…
Jo, tani janë të velur njerëzit, nuk kanë më interes. Tani që kujtoj këto gjëra, mendoj që kam jetuar!
Burimi: Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.