Marrëdhënie

October 28, 2016 | 8:42

Grindjet, kripa e dashurisë

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Edhe pse një çift mund të ketë disa vite bashkë, zënkat e grindjet janë të pashmangshme dhe ndonjëherë mund ta çojnë lidhjen drejt fundit të pashmangshëm. Të kesh projekte të përbashkëta, të jesh i aftë të përballosh stresin e përditshëm, që mund të shkaktohet nga probleme ekonomike, shëndetësore, të dish të mënjanosh agresivitetin, të kesh njëfarë ironie, njëfarë lehtësie në kapërcimin e vështirësive është e rëndësishme, por më kryesorja është të ndash nevojat e çiftit nga ato të familjes. Në qoftë se familja ka nevojë për qëndrueshmëri, çifti, për të mos u mërzitur, duhet të ketë dhe një dozë të mirë durimi. Në përgjithësi, problemet nuk qëndrojnë te mosha, por te vitet që kanë kaluar bashkë. Tek të tridhjetat ka një ndryshim te modelet në çift, domethënë te dëshira për të ndarë gjithçka me partnerin, te mënyra se si bëhen gjërat, te i gjithë investimi në punën e tyre. Në praktikë kanë një model të tyrin romantik, por mendojnë për karrierën dhe kjo shpesh e çon marrëdhënien në krizë. Kështu, kur njëri nga partnerët vendos të zhvendoset në një qytet tjetër me punë dhe tjetri vendos të mos e ndjekë. Kjo ndikon edhe në lidhjen e tyre. Tek të dyzetat problemi qëndron te një hapësirë pavarësie, pak hapësirë për “ai” dhe “ajo” nga “ne”. Për këtë arsye është e vështirë të vendosësh tek i njëjti person të gjitha cilësitë. Në rastin e grave, për shembull, është burri i qëndrueshëm, që jep gjërat kryesore dhe i dashuri që të bën të fluturosh. Por vjen një moment ku duket se marrëdhënia ka arritur në vijën e finishit. Ka disa shenja që e bëjnë atë të dallueshme, në mënyrë që të përgatiteni për fundin e pashmangshëm… Ndodh rëndom, që lidhja që kemi të zbehet. Raporti kthehet në rutinë, shpesh bëhet edhe i mërzitshëm. Me pak përkëdhelje dhe puthje reciproke, madje shumë pak fjalë, mund të kthesh gjithçka në gjendjen e mëparshme. Por edhe në këtë pikë, duhet të keni kujdes, pasi edhe ato që japin duhet të jenë si kripa…! Jeni të sigurt se të dy e doni njëri-tjetrin, veçse lidhja juaj shfaq shenja të pakëndshme: komunikoni pak dhe ziheni shumë, për dhurata dhe surpriza as që bëhet fjalë… Në këtë pikë hyn në punë “vajosja” e ingranazheve të lidhjes suaj, sigurisht pa hedhur në erë gjithçka. Muajt e parë të njohjes zhyteshit në biseda, tani keni arritur deri aty sa në një udhëtim të gjatë, asnjëri nuk flet një fjalë. Që të rigjallërosh bisedat duhet të gjesh argumente interesante që lidhen me ju të dy. Mos i kërko të të tregojë se ç’bën gjithë ditën, është një tentativë e dështuar. Mund të flisni më shumë për hobin e tij që e ka lënë pas dore. Sugjero gjëra interesante që ai të kuptojë që nuk e ke lënë pas dore. Vetëm kështu lidhja juaj do të ndihet më e freskët.

Shpesh grindjet ndreqin punë

Nuk është e ndaluar të ziheni, por duhet ta bëni ashtu si duhet. Po si? Mbi të gjitha përpiqu të jesh e respektueshme. Agresiviteti dhe fyerjet duhen evituar, sepse në këto lloj momentesh thuhen gjëra që nuk i mendon edhe pse më pas pendohesh. Mos u anko për të gjitha shqetësimet apo të vësh në dukje sado pak se marrëdhënies suaj “sikur po i vjen fundi”. Mos filloni me frazën “Unë kam të drejtë!”. Keni për të përfunduar keq. Duhet të mësosh dy gjëra fare elementare, që çështjet për të cilat do të grindesh të kenë në thelb ndërtimin e lidhjes tuaj, pra të vësh në dukje një fakt, i cili edhe pse ka shkaktuar plasaritje, me argumentet që do të japësh do të shërbejnë që të shtrëngoni fort atë që ju ka ikur nga duart.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top