Nga: Agim Baçi
Nuk i shmangim dot lehtësisht disa paragjykime gjinish që ndodhin rëndom. Nuk bëhet fjalë vetëm për në Shqipëri. Është një betejë e përhershme kudo, për aq kohë sa mes dy gjinive ka gjithnjë fusha fluide komunikimi. Por fatmirësisht po i përkasim një brezi që pak e nga pak po i lëmë pas disa dallime “të trasha” në komunikim, sidomos në punët e përditshme. Por unë besoj se ky afrim në komunikim nuk vjen duke e parë gruan si “më të burrëruar”. Thjesht një femër duhet të mos fshehë asgjë të të qenit e tillë, duke qartësuar se nuk ka ndërmend të jetë ndryshe.
Personalisht, në punët e mia kam njohur gazetare të zonja, pedagoge të zonja, shkrimtare plot dinjitet dhe drejtuese që kanë mundur t’i kapërcejnë gjithë barrierat penguese mes dy gjinive. Madje, drejtuesja aktuale ku unë punoj, ka arritur të rrokë në një mënyrë krejt elegante forcën e burrave përreth, duke e kthyer në burim suksesi. Dhe këtë e ka bërë duke barazuar thuajse numrin e drejtuesve mes burrave dhe grave. Pikërisht pas këtyre hapave, ajo nuk e ka fshehur as dëshirën për të parë sa më shumë gra në drejtim, e as të mbështetet te burrat në hedhjen e hapave të sigurtë në punët e përditshme. Është një model në fakt që, shumë miq më thonë se e hasin rrallë në punët e tyre. Çka do të thotë se nuk mjaftojnë njohjet tona personale për të menduar se është “fjollë” gjithandej. Por ja që, aspekti im personal ka qenë me fat, duke njohur femra të cilat as nuk janë justifikuar për mungesat në gjininë e tyre e as nuk kanë kërkuar suksesin përmes gjinisë së tyre. Janë ndjerë mirë në bashkëbisedime normale, ku nuk i është evidentuar dallimi mes gjinive. Por, a duhet kërkuar barazia me ligj mes grave e burrave? Pavarësisht se mbetet rruga e vetme, nuk më duket as më e mira e as më e ndershmja moralisht. Unë besoj se, nëse gratë kërkojnë barazi, do të thotë t’u jepet mundësi e barabartë e jo përcaktim i barabartë. Kjo do të përjashtonte edhe “përcaktimet”. Ne duhet të edukojmë brezat që të shohin te njëri-tjetri jo gjininë, por aftësinë, mundësinë për të bashkudhëtuar.
Po a kanë nevojë gratë për burrat në punët e tyre?
Thuajse të gjitha drejtueset e kuptojnë forcën e gjinisë tjetër në arritjen e suksesit. Por jo të gjitha arrijnë ta gërshetojnë natyrshëm këtë fuqi, këtë nevojë. Momenti kur gabojnë është kur disa prej tyre kërkojnë të drejtojnë si burrë e të mbrohen si grua. Kjo është loja me dy standarde, që i huton më pas meshkujt, të cilët nuk dinë kufirin. Kur gratë janë drejtuese kanë përgjegjësinë që t’i bëjë edhe më të lirshme marrëdhëniet me burrat, që këta të fundit të mos ndjejnë gjeste mbrojtëse për shkak të gjinisë, por vetëm të aftësisë. E di që po flas për një version ideal, por besoj se përmirësimi i këtij parametri duhet të shkojë paralel edhe me një tolerancë më të madhe të burrave për t’u përshtatur me faktin se do të drejtohen nga një grua.
A mund të abuzojnë gratë drejtuese?
Besoj se siç e humbin burrat personalitetin kur abuzojnë me vartëset e gjinisë tjetër duke përdorur autoritetin, ashtu e humbin edhe gratë, kur kërkojnë të mbrohen apo të sulmojnë për shkak të gjinisë. Rreziku më i madh i grave drejtuese është të krijojë një hendek me burrat dhe të tentojë që, në emër të emancipimit ta mbështesë te gratë suksesin. Jo se nuk arrijnë të bëhen bashkë e të jenë të suksesshme. Por besoj se të dy gjinitë kanë nevojë për butësinë apo ashpërsinë e njëri-tjetrit, për të kuptuar ehe forcën edhe dobësinë, gjëra që ndonjëherë gjinia e njëjtë nuk e pikturon dot me të gjitha ngjyrat. Aktualisht, në shtet apo në privat ka shumë fusha ku drejtojnë gratë. Por ky optimizëm vjen e zbehet kur del nga Tirana. Në provincë, atje ku thashethemet janë “gjellë e përditshme” besoj se shumë gra mund të frenohen të ndërtojnë marrëdhënie partneriteti dhe bashkëpunimi me burrat në punët e tyre, qoftë në zyra shtetërore apo në private. Natyrisht që do të na duhet të ecim më të sigurtë në “nevojën për njëri-tjetrin”. Dhe gratë duhet ta bëjnë këtë duke u mbështetur te bashkëpunëtorët. Sigurisht duke besuar më shumë.
Botuar në revistën Psikologjia, mars 2015
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.