Më shumë selfie, shumë fashion mode, shëtitje nëpër vende të ndryshme të botës… Duket sikur në pamje të parë, ne jetojmë të vetëpërmbushur në maksimum dhe vetëvlerësimi ynë ka përqindjen më të lartë. Vrapojmë të gjithë pas lumturisë, pa një qëllim ose rendim të luftojmë për objektivat, të cilat rrisin vetëkënaqësinë e brendshme. Mos vallë jetojmë në mes të epidemisë së lumturisë?
Vërehet qartë se përpjekja e lartë qëndron për të kopjuar të tjerët, duke humbur ndoshta dhe identitetin e zakonet tona përfaqësuese. Libër pas libri, të ashtuquajtur vetëndihmues, na këshillojnë për të përmirësuar gjendjen tonë mendore duke “menduar pozitivisht”. Por, a mundet që gjimnastika të tilla mendore me të vërtetë të ndihmojnë në përmirësimin e humorin tonë? Sipas gazetarit britanik Oliver Burkeman, autor i “Antidoti: Lumturia për njerëzit që nuk mund ta durojnë të menduarit pozitiv”, sa më shumë përpiqemi që të jemi të lumtur duke menduar pozitivisht, aq më të brengosur apo të dëshpëruar e bëjmë veten.
Burkeman është një njeri që kërkon përgjigjen e pyetjeve të tilla si: Çfarë na bën vërtetë të lumtur në kuptimin më të thellë të fjalës? Dhe siç ai nënvizon, nëse librat vetëndihmues do të bënin vërtetë punë, njerëzit nuk do të blinin më libra të rinj mbi këtë temë. Përveç kësaj, këta libra pretendojnë që nuk janë mbështetur në studime empirike: Provat, raporton ai, sugjerojnë që shfryrja e zemërimit nuk të shpëton prej tij, po ashtu edhe vizualizimi i qëllimeve nuk na bën që të kemi më shumë gjasa për t’i arritur ato. Të ashtuquajturat “vende të lumtura” (në qoftë se me të vërtetë besojmë të dhënat e statistikave, pyetësorëve apo anketimeve) nuk janë ato që botojnë libra vetëndihmues. Ai deklaron se ekzistenca e një lulëzimi të “industrisë së lumturisë”, në mënyrë të qartë nuk është e mjaftueshme që të sjellë lumturinë kombëtare, dhe mbase është e arsyeshme të dyshojmë se kjo industri mundëson keqësimin më shumë të gjendjes”. Ndoshta Burkeman është një pesimist, por ai në mënyrë të qartë beson se përvojat negative janë ato të duhurat, mbase jo për lumturinë, por të paktën për vetëpërmbushjen apo vetërealizimin. Analiza e tij e shkëlqyer se çfarë është e gabuar në “industrinë e lumturisë”, tregon se kanalizimi i energjisë sonë mendore për gjërat e udhëzuara nga librat vetëndihmues të tilla si: motivimi i vetes për të imagjinuar vetëm gjëra pozitive si dhe ndalimi i të gjitha vërshimeve të mendimeve negative, ndoshta janë arsyet e mos arritjes së qëllimeve më të vogla në jetë. Në të kundërt, ai këshillon që të mendojmë për më të keqen, duke imagjinuar vetë dështimin tonë. Pra, në vend që të përpiqemi t’i heqim qafe mendimet negative, ai mbron idenë që të mos përpiqemi t’i nxjerrim jashtë, por t’i përqafojmë ato. Këtë gjë e kam bërë shpesh me vetveten dhe mbi të gjitha me klientët e mi, duke menduar më të keqen e duke ndërtuar një piramidë mendore se kush mund të jenë zgjidhjet alternative shkallë- shkallë, duke e përgatitur veten sesi të luftosh për më të keqen, sepse e mira aty është.
Kjo këshillë e Burkeman është e njëjtë me këshillat e disa filozofëve dhe psikologëve të mëdhenj, të cilët këshillojnë që t’i pranojmë frikërat, dyshimet dhe ndjenjat tona të pakëndshme për të arritur të ndjejmë dhe të kuptojmë vetëpërmbushjen e momentit.
Këshilla praktike për veten
1.Pranoni mendimet tuaja ashtu siç janë. Mund të jenë mendime të këqija, të mira, apo ndoshta nuk keni fare mendime, por duke parë mendimet që shkojnë e vijnë, nuk do të keni më frikë për atë që mendimet e këqija mund t’ju bëjnë.
2.Përqendrohuni në momentin aktual, duke përfshirë edhe të gjitha ndjenjat tuaja. Nuk duhet gjykuar nëse momenti i tanishëm është i mirë apo i keq. Lejoni momentin të ndodhë dhe pranoni realitetin e tij. Vlen si një jondërgjegjësim sistematik i mendimeve fobike.
3.Mësoni nga dështimi. Rezultatet zhgënjyese janë veçse zhgënjyese. Nëse arrijmë të pranojmë rezultatet e veprimeve tona, për mirë ose keq, do të jemi më në gjendje për të kuptuar pse ato ndodhin.
4.Çrrënjosni nevojën për vetëbesim dhe vetëvlerësim. Nëse e lejoni nevojën për vetëbesim të dominojë përvojën tuaj, në mënyrë të pashmangshme do ta gjeni veten të zhgënjyer, madje edhe në depresion sa herë që ngjarjet nuk ndodhin siç dëshironi.
5.Lejojeni veten që të mendoni për vdekjen. Vdekja, si fund i jetës, mbart kuptime të qenësishme. Pasi ne të kemi ikur nga kjo jetë, nuk do gëzojmë me familjen dhe miqtë, por ne nuk do ta dimë këtë, se do kemi shkuar. Duke mos qenë të frikësuar nga vdekja, gjithashtu nuk do të jemi të frikësuar për të ardhmen dhe për këtë arsye, do të jemi më në gjendje për të pranuar të tashmen. Zgjodha këtë autor për t’ju referuar dhe për të qenë më pranë njeriut apo klientëve të mi në studion e psikologjisë, ku aderoj përditë. Kultura jonë e pëlqen dhe ka një nevojë prej arketipi/patologjike të vazhdueshme për të menduar jo mirë. Ta mbajmë në mendje duke e përpunuar si më lart. Jam e mendimit se, suksesi në jetë rritet në një mënyrë të veçantë siç është përvoja jetësore. Sa më shumë t’i përballojmë sfidat, aq më të fortë bëhemi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.