Në fokus

March 9, 2020 | 10:19

Hajrije Emini: Dilema e madhe e botëve të vogla, të mallkuar sepse paragjykohemi apo të bekuar e në paqe me veten

Nga Hajrie Emini Sinani, psikologe

Natë e errët dhe e ftohtë, acar dimri.

Akulli i këtij dimri ngrin zemrat dhe nuk bie dëborë në shpirt. Ndoshta bora bie, por çatia e shpirtit ndalon bardhësinë e dëborës të pushojë qetësisht në brendësinë e shtëpisë së shpirtit. Sidoqoftë, ne nuk e dimë nëse bie borë, sepse kemi perde përpara dritares së shpirtit dhe jemi shumë të zënë që t’i hapim dhe të freskohemi nga bardhësia e çiltër e fjollave të kristalta e të lehta pendë.

1Dielli i verës nuk po na ngroh zemrat dhe bora e dimrit nuk po na zbardh shpirtin. Krijesa të çuditshme jemi ne njerëzit! E kuptojmë veten por nuk e kuptojmë tjetrin, e kuptojmë tjetrin kur se kuptojmë veten por, thuajse asnjëherë, nuk ndodh që ta kuptojmë edhe veten edhe tjetrin paralelisht. Kërkojmë dashuri kur nuk japim, duam mirëkuptim kur kënaqshëm paragjykojmë tjerët, kërkojmë shoqëri për ta shfryrë egon personale dhe, mbi të gjitha, duam vëmendje që të ndjehemi të realizuar kur të shkretën nuk e meritojmë as edhe një fije!

Nëpërmjet fjalëve ne shprehim veten tonë të brishtë dhe nga brishtësia jonë ne mundohemi ta shprehim pasqyrën e shpirtit për ta derdhur tepricën e përzierjes së ndjenjave në thellësinë e qenies sonë. Çlirohemi kur shkruajmë për ndjenjat tona në çfarëdo gjendje që jemi, si të lumtur, ashtu edhe kur jemi të mërzitur e të pikëlluar. Nuk e di nëse çlirohemi ngase nxjerrim jashtë grumbullin e përzierjeve të brendshme apo nga fakti që po merremi me veten dhe i kushtojmë asaj disa çaste nga njëzetekatërorëshi i stërzënë me rutinën ditore.

Sidoqoftë duam të nxjerrim në pah pafajësinë që e ndjejmë përbrenda vetes por të tjerët nuk e shohin ngase kanë mbyllur sytë dhe veshët dhe, mbi të gjitha, kanë mbyllur derën e mendimit dhe kanë hapur gojën. Gojën, atë që gjithmonë përfiton nga mangësia e shqisave tjera. Atë që manipulon shikimin duke mos treguar realitetin që sheh syri, manipuluesen e dëgjimit që ia mohon veshit atë që dëgjon, mjegullon mendimin e qartë për qëllime dashakeqe dhe për të ngatërruar realitetin dhe për t’u shprehur gjithmonë ajo që atë e lë në paqe me veten. Pra mbyllet çdo gjë kur hapet goja!

2Duhet të shëtisim andej-këndej mes tufës së njerëzve dhe të rrëfehemi e të japim llogari për atë që thamë dhe bëmë, për atë që themi dhe e bëjmë, për atë që do themi e do e bëjmë në vazhdueshmëri! Duhet ta bëjmë këtë sepse kur ne ju sqarohemi ata sikur ndjehen të rëndësishëm, të plotësuar dhe të qetësuar andaj shtiren sikur na kuptojnë por ja që nuk na kuptojnë nëse harrojmë t’u rrëfehemi dhe të arsyetohemi për veprimet personale!

E sa shumë vrapojmë në jetë që të arsyetohemi por edhe pas shumë arsyetimeve ata të mbajnë inat dhe të lënë në faj! Sepse sikur na “njohin” më mirë se sa ne veten. Ata janë mjeshtër të paragjykimit dhe profesionalist të gjykimit. Të mallkuar apo të bekuar?! S’e di si ta quaj këtë gjendje shpirtërore. Të mallkuar sepse paragjykohemi edhe për mënyrën se si frymojmë, aq më keq nuk po na kuptojnë se nuk jemi simbioza e tyre e pandashme. Por jemi të bekuar sepse ne jemi në paqe me Zotin dhe veten.

Ndërsa ne jetojmë dikush hulumton për të metat tona, e derisa ne mundohemi t’i zgjedhim disa probleme personale të përditshmërisë, të tjerëve ju marrim frymën meqë nuk merremi me ta dhe ju ngel hatri ngase nuk u japim vëmendjen e merituar, sepse, për ta, toka gjigante “rrotullohet” rreth tyre ndërsa ne, si njerëzit më të vegjël dhe më të thjeshtë, nuk u japim respektin e merituar, sa turp i madh qenkësha ky për ne!

Njerëzit të duan altruist deri sa të t’i kenë marrë të gjitha ato që kanë nevojë dhe pastaj rrezikohesh të të quajnë naiv. Andaj, me delikatesë luaji rolet e jetës sepse rrezikohesh që njerëzit më pas të të thërrasin me llagapin e ndonjë roli që ke luajtur kur ti nuk ke qenë aspak vetja!

Përpiqu në jetë të kesh harmonizuar tre miqtë e mirëqenies: shkathtësinë e mendjes, ndjesinë e zemrës dhe intuitën e shpirtit. Nën harmoninë e këtij trekëndëshi ju do formoni veten e fortë përpara vetes dhe të tjerëve.

Të duash apo të urresh, të zgjohesh apo të flesh, ta ruash apo ta thuash?! Sa shumë dilema duhet t’i zgjedhim me veten dhe me çfarë bëjmë! E ne, ende merremi me tjerët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top