Ai është mjeku gjinekolog më i njohur në Shqipëri, i cili prej 33 vitesh, për ironi të fatit e njohur si mosha “e Krishtit”, punon i përkushtuar e plot pasion. Doktor Halim Kosova është gjinekologu, të cilin ndërsa e pyet “naivisht”, “A ka stepje nga femrat kur hasin gjinekolog mashkull?”, përgjigjet: “…kjo varet nëse pacientet janë vajza të reja apo jo”, duke vijuar e shumë arsye si vitet e bashkëjetesës, fesë që i përkasin, e deri te si dhe për çfarë arsyesh janë paraqitur. “Zakonisht, për vizitat rutinë ndodh që është e preferuar më shumë mjekja, ndërsa për ndërhyrjet kirurgjikale apo urgjenca të vështira mjeku…”. Doktori, i cili i ka kushtuar 33 vite punës së tij, ka me qindra raste të çuditshme, reagime apo histori, por që sipas tij “është e pamundur të veçojë ndonjë prej tyre në një intervistë të vetme”, por për problemet parësore në të qenit femër në mjedisin shqiptar, ku shpesh karakteret ndrydhen e femrës i duhet “të sillet” si mashkull për “të mbijetuar”… doktor Halimi përgjigjet i prerë “…që asnjëri seks të mos stonojë në jetë, duhet që femra të sillet si femër dhe mashkulli si mashkull…”. Për “ilaçin” e një martese të lumtur “asnjë gjuhë, nuk e thotë më bukur e më saktë fjalën bashkë-shorte. Pra, në një moment jeta të thërret të hedhesh “shortin” me dikë tjetër… Pune fati… ku populli thotë që: “fati i shkon atij që e kërkon”. Ashtu është, vijon Kosova, por them se edhe pasi vjen fati, ai duhet mbajtur… Këtë lloj fati do ta vlerësoja si një përputhje gjenetike të domosdoshme në çift”. Ndërsa e pyesim doktor Halimin se sipas “disa syresh të meshkujve shqiptarë”, femra ideale është koncepti që përmbledh femrën familjare (atë me përparëse gatimi “e mbyllur” në shtëpi) apo shortin me atë të pavarurën e karrieristen, doktor Kosova thotë se “…në thelb është e rëndësishme familja, por ajo që mendoj se është më e rëndësishme nga të gjitha, është se femra di ta përpjesëtojë kohën në dispozicion, për secilën prej tyre. Megjithatë kush ka kërkuar femrën ideale në përgjithësi ka mbetur pa gjë ose është munduar ta rregullojë gabimin e bërë në moshë, kur nuk ke shumë mundësi për të zgjedhur…”. Megjithatë, për ta përmbledhur se cila është ajo qenie që personifikon “shembullin më të mirë të një femre më pranë ideales”, doktor Kosova pa mëdyshje rrëfen se “Nuk mendohem aspak! Femra ideale për çdo njeri në jetë është Nëna e vetëm Nëna. Këto kohë nëna ime është pa qejf në shtrat, aq sa shpesh mendoja se do ta humbisja. Falë Zotit dhe kujdesit është më mirë. Miq e shokë më pyesin vazhdimisht për gjendjen shëndetësore të saj, ndërsa vijojnë më tej duke më pyetur: – Sa vjeç shkoi? I përgjigjem… e me vete mendoj: – NËNË mbetet emër për të cilin nuk ka moshë, që nga momenti i parë kur vjen në jetë e përgjithmonë… e me këtë rast, meqenëse Marsi i kushtohet veçanërisht atyre, do t’i uroja të gjitha nënave: Gëzuar 8 Marsin si dhe jeta ju shpërbleftë mundin e sakrificat që bëtë dhe bëni për ne”.
Botuar në revistën Psikologji, nr.70
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.