Mirëqenie

September 6, 2016 | 7:55

Harmonia… mirëqenia që nis nga vetja

Shpesh na kaplon rutina e perditshmerisë dhe problemet në punë apo familje. Dhe kështu, papritmas, e shohim veten të mbuluar nga monotonia, të mërzitur dhe pa asnjë lloj dëshire. Të dish të jetosh në harmoni është një gjë që mësohet dhe me pak këshilla të thjeshta ditët bëhen më të mira, edhe pse mund të kemi një mal me punë për të bërë.

Harmonia e shpirtit

Edhe zgjedhjet më të vështira mund të përballohen ndryshe, falë sjelljes me të cilën ne vendosim t’i përjetojmë ato. A e keni vënë ndonjëherë re, mes të njohurve tuaj, njerëz të çlirët, të cilët u dhurojnë të gjithëve një buzëqeshje? E pra, mos harroni t’i jepni çdo dite shijen e harmonisë, pasi qoftë edhe një debat i thjeshtë apo një moment i vështirë do të shndërrohet në më pak i dëmshëm. Njerëzit që shprehin me vërtetësi ndjenjat, nga gëzimi te shpërthimet e forta të inatit, kanë një sjellje që i çon drejt përjetimit të jetës me kuriozitet dhe me ndjesinë e zbulimit. Këto ndjenja zëvendësojnë ato të paragjykimit dhe të rëndesës shpirtërore.

Parfumi për humorin

Kërkime të shumta shkencore kanë treguar se parfumi ndikon në gjendjen shpirtërore. Nuhatja konsiderohet shqisa më e vjetër, e cila lidhet me shqisat e tjera dhe gjithçka që ka kuptim në jetën tonë. Secili prej nesh pëlqen aroma të ndryshme, cilat janë të tuat? Agrumet plot energji, lulet e egra, bimët aromatike etj. Zbulojini parfumet që ju dhurojnë energji dhe përdorini në përditshmëri!

Punoni me vetëdijen

Si silleni me trupin tuaj? Problemi nuk është të jesh më shumë apo më pak e dobët, por të ndihesh e tillë. Mundohuni të bëni pak aktivitet fizik. Nëse ju merret fryma, ka ardhur çasti të mendoni për veten. Kjo nuk do të thotë që duhet domosdoshmërish të regjistroheni në palestër apo të mbani dietë, por thjesht të fitoni më shumë vetëdije. Kur hani, përtypuni ngadalë duke e shijuar ushqimin, pa u ndierë në faj, dhe duke menduar për energjinë që po merrni. Mësojeni veten me lëvizje pak e nga pak dhe më pas me më tepër intensitet. Shihuni në pasqyrë, pa ndjenjën e turpit: trupi nuk ka pse të jetë perfekt. Nuk jemi të pandryshueshëm dhe çdo ditë pësojmë nga një ndryshim të vogël, por kjo nuk do të thotë të mos e shohim trupin tonë me dashuri.

Buzëqeshni me veten

Të ndihemi krenare për veten, për një punë që kemi përfunduar, për një gjë që e kemi bërë mirë, është e rëndësishme për t’u ndierë mirë dhe për të pranuar me pozitivitet atë që secili prej nesh ka për t’i dhënë botës. Jepuni rëndësi gjërave që bëni dhe mbylleni me sukses ditën, ndoshta të lodhur, por me vetëdijen se ia keni dalë mbanë. Secili prej jush meriton të festojë sukseset e ditës, të vogla apo të mëdha qofshin këto, pasi janë betejat tuaja, ekzistenca juaj.

Dashuri për bukurinë

Kultivoni dashurinë për bukurinë. Një lule në dritare, shijimi i një gjëje të mirë, kujtimi i fëmijërisë, janë detaje që nuk ju lejojnë që frymëzimi të humbasë në trishtimin e ditëve gri. Është shikimi juaj që e bën të ndryshme rutinën dhe që shquan harmoninë e gjërave: të japësh kontributin në bërjen e gjërave që ju japin gëzim, do të thotë të shtoni nivelin e lumturisë në jetë.

Kënaqësi të vogla

Çfarë do të ishte jeta pa shijuar çastet e çmueshme të lumturisë? Mësoni t’i lejoni vetes kënaqësi të vogla. Të dish të shijosh jetën është një art që mësohet ditë pas dite. Ndajeni me njerëzit që ju rrethojnë dhe transmetojua edhe atyre këtë gjë, pasi suksesi i vërtetë, ai që ju bën të lumtur, është të dish të bësh ato gjëra që ju pasionojnë, ju frymëzojnë dhe drithërojnë.

Ndryshoni zakonet

Krijoni hapësirë edhe për risitë, sepse bukuritë e jetës, gjërat e paparashikuara dhe që na japin kënaqësi janë jashtë zonës së rehatisë me të cilën jemi mësuar të jetojmë. Ndryshimi i rutinës së përditshmërisë është shumë pozitiv, pasi ndjenjat që merr nga një surprizë, drithërimat që merr nga një sport, të cilin nuk e keni provuar kurrë më parë, janë kënaqësi të vogla, që ndoshta nuk i keni provuar, por që do t’ju pëlqejnë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top