Këshilla & Arsye

May 15, 2016 | 16:24

Henrieta, amerikania e jashtëzakonshme që ka “pushtuar” Tiranën

Nga Orjona TRESA

“Asgjë nuk humbet, vetëm shndërrohet. Arsyeja pse gjithçka matet me dritë!”

A mund të cilësohet si një komedi romantike “Qielli i heshtur”? Unë them: kurrsesi jo! Dhe ky perceptim nisi që prej çastit kur dëgjova dialogun e parë mes dy motrave, për ta mbyllur fillnisjen e këtij perceptimi, në fund të shfaqjes, kur sapo u ngrita nga karrigia 194 e platesë “H” në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit. Dhe nuk mund të ndodhte të qeshje e të gajaseshe sa të mbaje barkun me dorë, ndërkohë që përgjatë 90 minutave, aktorët komunikonin me skenën dhe vetë spektatorët, transmetohej një dhimbje e vërtetë njerëzore dhe mezashe… sa shumë mesazhe. Padyshim që pjesa ka humor dhe nota romantike të herë pas hershme, por ajo në tërësinë e saj është thellësisht një dramë. Dhe për çudi, e gjithë drama ka një dialog letrar ku termat shkencorë i japin një suport aq të madh, sa vetë shifrat ekzakte të matematikës apo madhësitë fizike kthehen në melodi.

“Qiell i heshtur”, e shkruar nga Loren Gunderson është mbështetur mbi jetën e një astronomeje amerikane të quajtur Henrieta Levit.

***

“Henrieta” e bëri të vetën. Më ftoi në dramën e jetës së saj, e cila në një përmbledhje artistike nuk zgjati shumë. Që në minutën e parë më përfshiu, më vuri në lëkurën e saj. Përjetim emocional. Ndjeja qelizat të më përkundnin nën ngarkesën e ngjarjes. Falë dinamikës, ndjeja të përfshihesha në çdo etapë të jetës së shkencëtares. Një histori e vërtetë e ngritur në këmbë kaq këndshëm. Kishte origjinalitet në këtë dramë. Një femër e guximshme si ajo, që donte jetën, por edhe pasionet, donte njerëzit, por dashuronte dhe të mbinatyrshmen, një femër besimtare, por jo tek parajsa ku predikonte babai i saj pastor i një kishe protestante. Në fillimin e shekullit të XX edhe në Amerikën e begatë puna e një femre ishte e zhvlerësuar, për më tepër kur bëhej fjalë për gjëra specifike e më tepër shkencore. Por Henrieta ishte po aq edhe këmbëngulëse dhe me pritshmëri të qarta për të vërtetuar yjësinë e pafundme në thellësinë e dritës që ato përçonin.

Zhiva ishte përcaktimi i saj. Një epitet që falë një përkthimi mjaft të mirë, do të transmetonte në mënyrë dinjitoze figurën e Levit, astronomes amerikane, e cila edhe pse me probleme shëndetësore në aparatin e dëgjimit, arriti të cilësohej në grupet shkencore si “gruaja kompjuter”.

Aktorja Nigela Ruka do të ishte gjetja e kësaj shfaqjeje. Në rolin e Henrieta Levit, ajo do të përcillte fuqinë e kësaj gruaje, potencialin e një mendjeje të ndritur në fushën e eksplorimeve shkencore, dashurinë për punën dhe kontributin që do të linte pas për botën astronomike deri në brezat e sotëm. Kjo dramë nxori në pah vlera, që jo vetëm Henrieta, por edhe shumë bashkëudhëtare të saj në fushën e atronomisë, ngritën lart figurën e femrave dhe bënë histori në botë.

Marrëdhënia e ngushtë me motrën, një romancë dashurie që nuk pati fatin të finalizohej, një miqësi me bashkëpunëtoret e saj në Observatorin e Harvardit, do të ndërtonin një jetë sa të mundimshme aq dhe mahnitëse deri me kulmin e arritjeve të saj.

Falë lojës skenike të aktorëve te “Qiell i heshtur”, kjo dramë përcillte një mesazh të qartë të vlerave njerëzore në çdo aspekt të jetës pas të cilave një shoqëri duhet të mbahet fort.

Margarita, interpretuar nga Sonila Kapidani, është motra e Henrietës, një femër e përkushtuar ndaj familjes dhe rregullave të komunitetit. Ajo është gjithashtu një pianiste e zonja, por që fati e kish kufizuar të luante veç për llogari të familjes, e pas humbjes së babait, të mbante gjallë meshat e të dielës, atje ku babai i saj drejtonte lutjen.

Dy figura po kaq të rëndësishme në jetën e astronautes Levi ishin dy mikeshat e saj më të ngushta, Eni Kanon, e cila erdhi përmes Jonida Beqo, një aktiviste gjithaq për të drejtat e gruas dhe Amina Fleming, interpretuar nga Verjana Abazaj. Njëra më e sertë dhe tjetra më fjalëëmbël, por që të dyja dashamirëse dhe luftarake në përvojat e tyre jetësore.

Piter Shoo, interpretuar nga Redjan Mulla ishte një tjetër spikatje e kësaj loje skenike, sjellë nën petkun e një personazhi të trilluar romantik nga autorja, i cili bie në dashuri me Henrietën.

Historia e astronautes së famshme mori jetë në fundin e shekullit të 19-të, në një fshat amerikan me emrin Winscons. E rritur në një familje me tradita të vyera, ambicja për të ecur përpara, sakrifica dhe qielli tej universit ishte rruga e saj e përjetësisë.

20160614_203232 20160614_203826 20160614_212116 20160614_213859 20160614_213935 20160614_220002 20160614_220027 20160614_220058 20160614_220142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top