Mirëqenie

June 8, 2017 | 12:30

Heqja e dhëmbëve: Si veprohet me diabetikët e të sëmurët me zemër

1Mosha nuk është faktori kryesor në përcaktimin e shëndetit oral të një individi. Sipas Suela Ismalajës, kirurge orale dhe maxillo faciale, në sajë të një higjiene orale dhe kujdesi shëndetësor moshat e rritura sot mund të mbajnë dhëmbët e tyre për tërë jetën. Mirëpo, me kalimin e kohës në moshat e treta vërehen disa sëmundje karakteristike të tilla si: inflamacioni i strukturave që mbajnë të fiksuar dhëmbin, inflamacioni i gojës në tërësi, ndryshimet në ngjyrën e dhëmbëve etj.

Si pasojë e këtyre sëmundjeve orale, sëmundjeve sistemike, si dhe një higjienë jo e përshtatshme nga ana e pacientëve, shpesh mund të indikohet ekstraksioni dentar, pra heqja e dhëmbëve. “Mungesa e dhëmbëve mund të sjellë një aspekt mjaft negativ, duke bërë të vështirë mastikacionin (përtypjen), si dhe anën fonetike dhe estetike të pacientit. Siç çdo procedurë kirurgjikale e vogël, edhe ekstraksioni dentar kërkon një vlerësim të kujdesshëm mjekësor të pacientit. Pacientë me sëmundje të zemrës (hipertension, aritmi, sëmundje koronare etj.), diabet, sëmundje të veshkave, tiroides apo organeve të tjera, duhet të trajtohen dhe të kurohen përpara një ekstraksioni dentar. Pikërisht në moshat e treta këto sëmundje janë më të shpeshta, prandaj është e rëndësishme të realizohet një komunikim sa më i mirë mjek-pacient dhe të merret një anamnezë e plotë, në mënyrë që të mos ndodhin komplikacione”, vë në dukje mjekja. Sipas saj, mungesa e dhëmbëve sjell me kalimin e kohës edhe rezorbim të kockës alveolare, prandaj sa më shpejt të bëhet zëvendësimi i tyre, aq më mirë është për ruajtjen e strukturave kockore.

“Zëvendësimi i dhëmbëve realizohet nëpërmjet punimeve protetike fikse dhe të lëvizshme. Më parë zëvendësimi i dhëmbëve që mungonin realizohej nëpërmjet urave apo protezave të pjesshme, ose të plota të lëvizshme. Sot, në sajë të progreseve në fushën e implantologjisë dentare mund të realizohet një dhëmb i vetëm, ose disa, ku mund të ankorohet një urë, ose mund të bëhet zëvendësimi i plotë i arkadës dentare”, thekson Ismalaja.

1

Sëmundjet e dhëmbëve te mosha e tretë

• Parandontopatitë: vërehet predispozita e lartë për paradontopati (inflamacion i strukturave që mbajnë të fiksuar dhëmbin), e cila çon në tërheqjen e gingives së dhëmbit deri në humbjen e tyre. Paradontopatitë vijnë kryesisht nga një higjienë jo e mirë e gojës, duke krijuar kështu pllaka bakteriale, të cilat në rast se nuk eliminohen bëhen shkak për të. Po ashtu, rol luan duhani, i cili i nxit paradontopatitë. Në moshat e treta një faktor predispozues luan diabeti, nivelet e larta të glicemisë si një nga sëmundjet sistemike të shpeshta të këtyre moshave.

• Kariesi radikular: meqë shpesh ndodh një tërheqje gingivale, dhëmbët kariohen më tepër në nivel radikular dhe në rast se nuk kurohen në kohë mund të çojë në ekstraksionin e tyre, pra në heqjen e tyre.

• Erozioni, Abrazioni: janë fenomene që vijnë si rezultat i kafshimit dhe fërkimit të dhëmbëve me njëri-tjetrin në këto mosha. Për pasojë, dhëmbët krijojnë në sipërfaqen e tyre dëmtime të vogla, ose shkurtime të gjatësisë normale të tyre.

• Dhëmbë të verdhë: ndryshimet në ngjyrë lidhen kryesisht me ndryshimet që ndodhin në dentinë dhe nga pigmentimet që vijnë nga ushqimet e pijet përgjatë gjithë viteve të jetës. • Xerostomia (tharja e gojës): vjen si pasojë kryesisht e efekteve anësore të një pjese të medikamenteve që përdorin moshat e treta për sëmundjet e tyre sistemike.

• Stomatiti: ky inflamacion i gojës në tërësi vërehet te pacientët me proteza të lëvizshme kryesisht të bëra keq, ose shumë të vjetra, kur nuk mbahet një higjiene orale e mirë, ose për shkak të mykut (candidoses) orale të krijuar./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top