Këshilla & Arsye

June 15, 2017 | 16:00

Hernia inguinale (dhjamët), komplikimet që mund të sjellë dhe si trajtohet

Mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i duhanit, obeziteti renditen si faktorë favorizues në shfaqjen e hernies inguinale. Mosha është po ashtu një ndër faktorët. Sipas prof. dr. Xheladin Draçinit, kirurg i përgjithshëm dhe njëherazi dekan i Fakultetit të Mjekësisë, kurba e shfaqjes së sëmundjes është në progresion me moshën.

Xheladin Draçinit, kirurg i përgjithshëm

Xheladin Draçini, kirurg i përgjithshëm

Incidenca rritet pas të 50-ave, ndaj dhe te mosha e tretë fenomeni bëhet më i pranishëm. Hernia përfaqëson daljen e organeve të barkut apo organeve abdominale përmes një defekti të krijuar në murin e përparmë të barkut.

Në zhargonin popullor kjo sëmundje njihet ndryshe si dhjamët. Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktori na njeh me simptomat që manifeston sëmundja, komplikacionet që mund të sjellë nëse nuk trajtohet në kohë dhe disa këshilla për ta parandaluar.

Çfarë është hernia inguinale dhe nga se shkaktohet?

Hernia inguinale është një nga sëmundjet më të zakonshme kirurgjikale. Sëmundje kirurgjikale konsiderohen ato të cilat si zgjidhje kanë kirurgjinë, pra që nuk kanë një mjekim alternativ dhe hernia është një ndër ato sëmundje, të cilat opsion kanë vetëm kirurgjinë. Hernia përfaqëson daljen e organeve të brendshme, në rastin e hernies inguinale, të organeve të barkut apo organeve abdominale përmes një defekti të krijuar në murin e përparmë të barkut. Ky defekt, në rastin e hernies inguinale, ndodh në zonën e kanalit inguinal. Në qoftë se në organizmin tonë ka barriera anatomike, që janë muskuj apo kocka që ndalojnë lëvizjen apo daljen e organeve jashtë, në rastin e kanalit inguinal ka disa hapësira anatomike, të cilat me shtimin e presionit brenda abdomenit krijojnë mundësinë që organet e brendshme të godasin pikën më të dobët dhe të dalin në hapësira të tjera anatomike. Organet që lëvizin apo dalin janë zorrët e holla, indi dhjamor, ndaj edhe në popullatë njihet me termin dhjamët. Por, në fakt, problemi qëndron në daljen e organeve abdominale. Jo vetëm në daljen e tyre, por në situata të caktuara kanali nga dalin këto organe mund të shtrëngohet përsëri dhe të pengojë kthimin e tyre pas. Jo vetëm të pengojë kthimin e organeve brenda në hapësirë ku ato kanë qenë më përpara, por njëkohësisht duke shtrënguar dëmton edhe qarkullimin e gjakut të asaj pjese zorre që ka mbetur jashtë dhe në këtë mënyrë shkakton shkatërrimin e saj, duke e përkeqësuar situatën për të sëmurët.

Çfarë e provokon daljen e organeve të barkut jashtë?

Sforcimet mund të jenë një prej shkaktarëve. Madje në moshën e re është shkaku i vetëm. Por nuk duhet harruar që hernia inguinale mund të jetë edhe e lindur. Pra, mund të vijë si pasojë e defekteve të ndryshme të kësaj zone anatomike që krijohen gjatë zhvillimit të njeriut. Në njësinë e kohës, hernia e lindur është mirë që të trajtohet sa më shpejt për të penguar avancimin. Ndërkohë që te personat e rinj sforcimi është një ndër shkaqet kryesore. Na ka ndodhur shpesh që gjatë trajnimeve të sforcuara, të bëra jo në mënyrë graduale, presioni i ushtruar gjatë aktivitetit fizik, sidomos në palestër, të krijojë daljen fillestare për të krijuar më tej kushtet që ky proces të jetë i vazhdueshëm.

1

Por te moshat e treta, pse ndodh hernia inguinale?

Tek adultët e rritur faktorët janë të shumtë. E para që mund të veçoj është sedentariteti. Kanali inguinal është një kanal muskulor, që do të thotë se vendoset në lëvizje nga muskujt. Sa më të tonizuar të jenë muskujt, aq më pak e mundshme është që të zhvillohet hernia. Hernia inguinale është më e shpeshtë te meshkujt, por kemi edhe një lloj tjetër hernie të rrëzës së kofshës që janë herniet femorale, të cilat shfaqen më shumë te femrat. Te meshkujt faktorët që çojnë në shfaqjen e hernies janë sedentariteti, pra mungesa e aktivitetit fizik. Janë njëkohësisht të gjitha situatat që shoqërohen me rritjen e presionit brenda abdomenit. Ndër to kryesorja është pirja e duhanit. Duhanpirja ndikon në dy mënyra, e para duke dëmtuar në përgjithësi indin lidhor dhe krijuar kushtet për dobësimin e zonës, portës ku mund të dalë hernia. Por njëkohësisht duke shkaktuar kollë, dhe kjo e fundit është një ndër faktorët që rrisin presionin brenda abdomenit dhe si e tillë bëhet një faktor për shfaqjen e hernies. Po ashtu, si faktorë favorizues janë edhe sëmundjet e rënda. Sikundër mund të jetë edhe obeziteti dhe e kundërta, dobësia e tepruar. Në rastin e femrave, një ndër shkaqet favorizuese është gravidanca (shtatzënia). Mund të ndodhë që hernia të shfaqet më shpesh pas shtatzënisë. Në 90% të rasteve, hernia inguinale shfaqet te meshkujt.

Është kjo predispozitë e lidhur me faktorët e riskut që ju përmendët, apo shkon përtej tyre?

Patjetër, por janë edhe veçoritë anatomike të kanalit inguinal. Në rastin e femrave, kanali inguinal është më kompakt nga ana anatomike. Dhe si e tillë ofron një rezistencë më të madhe ndaj shkaktarëve që çojnë në shfaqjen e hernies. Ndikim kanë edhe sëmundjet degjenerative të indit lidhor, të cilat gjithashtu mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjes. Por faktorë predispozues mund të jenë edhe disa situata të rralla që lidhen me ndërtimin e përgjithshëm të indit lidhor te njeriu. Megjithatë ritheksoj se duhani, jeta sedentare, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik janë faktorët kryesorë për të dyja sekset. Së fundmi, por jo më pak i rëndësishmi është edhe mosha. Kurba e shfaqjes së sëmundjes është në progresion me moshën. Incidenca rritet pas të 50-ave, ndaj dhe te mosha e tretë fenomeni bëhet më i pranishëm.

Cilat janë shqetësimet që mund të manifestojë sëmundja?

Hernia prezanton vetveten, çka do të thotë se është e dukshme. Një fryrje në rrëzën e kofshës, e cila është e rikthyeshme. Pra, kur personi çohet në këmbë, hernia bëhet e pranishme, ndërkohë që kur shtrihet, shpeshherë duke e shtyrë me dorë, tenton ta rivendosë sërish në normalitet në brendësi të organizimit. Pra, kemi të bëjmë me një fryrje në rrëzën e kofshës, e cila ndryshon në varësi të pozicionit, pra bëhet më e shprehur në pozicionin në këmbë dhe zhduket në pozicionin shtrirë. Në përgjithësi, pacienti këtë e dallon vetë. Natyrisht shenjat e para janë edhe dhimbjet, një fryrje e lehtë në kanalin inguinal, më pas sëmundja prezantohet e plotë. Dua të vë në dukje se hernia inguinale te meshkujt paraqitet në skrotum. Në fillim pacienti këtë e interpreton në mënyrë të gabuar, por më pas, me kalimin e kohës, e kupton vetvetiu. Diagnoza e hernies në përgjithësi nuk është e vështirë, me përjashtim të rasteve të veçanta të personave shumë obezë, te të cilët është e vështirë të dallohet. Por te personat që janë me peshë normale, diagnoza nuk është e vështirë.

Nuk është patologji e vështirë, por ama zgjidhjen e ka te kirurgjia…

Është tipike kirurgjikale dhe të gjitha mjetet e tjera, siç janë mbajtja e brezave shtrëngues, vendosja e rripave të ndryshëm shpeshherë në mënyrë empirike nuk i sjell pacientit asnjë lloj benefiti. Përkundrazi e bën më të vështirë gjestin kirurgjikal të ardhshëm, sepse mbajtja e një brezi dhe ushtrimi i një presioni krijon ngjitje të brendshme të zonës ku do të operohet, të cilat me kalimin e kohës e vështirësojnë punën për interventin.

Mund të bashkëjetojë një person me hernien inguinale?

Një njeri aktiv është e vështirë. Sidomos te një person që ka një profesion që e vendos në sforcime fizike, pa diskutim që e ka të vështirë, pasi kjo i kushtëzon lëvizjen. Të mos harrojmë që edhe fazat e ndryshme të ushqyerjes ndikojnë. Pas ushqimit, mundësia e daljes së organit rritet, njëkohësisht edhe dhimbja shoqëruese është pak më e madhe.

Po përzgjedhja ushqimore sa rëndësi ka?

Nuk është shumë e rëndësishme, por ushqimet që shkaktojnë gazra dhe e rrisin presionin abdominal rrisin edhe shqetësimet që mund të shkaktohen nga hernia inguinale. Gjithsesi, bashkëjetesa e një njeriu aktiv me hernien është e vështirë dhe personalisht mendoj që për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe performancën shpeshherë edhe emocionale që ka personi, është e nevojshme që ndërhyrja të bëhet në kohën e duhur.

Si çdo sëmundje, edhe hernia kalon nëpër disa faza, kur duhet ndërhyrë?

Atëherë kur dhimbja persiston, apo në momentin që nisin shqetësimet e para? Faza e parë është ajo që quhet hernia fillestare, e cila shfaqet vetëm me një fryrje të lehtë dhe me ato dhimbjet që përshkruam pak më përpara. Kuptohet që në këto kushte këshillohet vetëm që pacienti të jetë i vëmendshëm dhe të ndiqet në dinamikë. Por kur hernia shfaqet në formën e saj të plotë, është e kuptueshme që ndërhyrja kirurgjikale mbetet mjeti i vetëm për të zgjidhjen e kësaj patologjie.

Çfarë komplikimesh mund të sjellë nëse kalon në një stad të avancuar?

Kryesorja është që sjell trazime në tranzitin intestinal. Në procesin normal të tretjes ekziston një lëvizje mekanike e paperceptuar nga personi që quhet peristaltik, e cila nënkupton kalimin e ushqimit nga goja dhe ezofagu përmes stomakut, zorrëve të trasha deri në jashtëqitje. Prania e kësaj mekanike të rregullt kërkon që trakti tretës të mos ketë asnjë pengesë. Në situatën kur një nga pjesët e zorrës, zakonisht zorra e hollë, futet në qesen herniare dhe bllokohet aty e shtrënguar nga unaza herniare, kalueshmëria e traktit tretës ndërpritet. Krijohet një situatë që quhet ileus. Populli ndryshe këtë e quan ngatërrimi i zorrëve. Kjo është një situatë kirurgjikale emergjente. Pra, në qoftë se hernia e zakonshme hyn në kriteret e kirurgjisë së planifikuar, në rastin e krijimit të ileusit, ndërprerjes mekanike të tranzitit intestinal, ndërhyrja kirurgjikale është e domosdoshme. Është e domosdoshme madje të bëhet brenda 6 orësh nga fillimi i kësaj patologjie. Nga studimet e bëra është vënë re që koha e mbijetesës së zorrës së shtrënguar është afërsisht 6 orë, pas së cilës ndryshimet në segmentin e zorrës janë të parikthyeshme. Këto ndryshime të parikthyeshme, që në kushtet e një operacioni që bëhet i domosdoshëm, nënkuptojnë heqjen e atij segmenti të zorrës dhe qepjen e dy segmenteve të tjera me njëra-tjetrën.

Si kuptohet kjo, pra çfarë shqetësimesh shfaq një gjendje e tillë e rënduar?

Në rastin e ileusit, situata është shumë dramatike. Nëse thamë që hernia ka thjesht fryrjen dhe dhimbjen, këtu dhimbjet janë shumë të forta, në formën e krizave dhe të padurueshme. Shoqërohen me ndërprerjen e tranzitit intestinal, pra ndërprerje në eliminimin e feçeve dhe gazrave e të vjella të shpeshta dhe të forta. Këto janë tri shqetësimet më prezente që tregojnë se pacienti menjëherë duhet të paraqitet pranë urgjencës kirurgjikale për të marrë ndihmën emergjente kirurgjikale.

Në çdo patologji, pyetja më prezente është: A mund të parandalohet?

Pavarësisht se ka një sfond apo profil gjenetik të caktuar, një aktivitet i mirë fizik, ruajtja e një peshe normale dhe shmangia nga abuzimet, siç janë duhani dhe alkooli, janë tri gjërat që mund të bëjë gjithsecili për të parandaluar hernien. Nëse thamë që hernia ka rreziqe, kur trajtohet në kushte urgjence, në kushtet e planifikuara operacioni është shumë herë më i thjeshtë. Trajtimi nënkupton në kohën e sotme vendosjen e rrjetës protezike. Pra, defekti përforcohet dhe mbyllet me anë të vendosjes së një rrjete speciale, prodhuar nga industria farmaceutike, e cila tolerohet shumë mirë nga organizmi dhe mundësia e ripërsëritjes është zero. Të mos harrojmë që pas kirurgjisë ekziston një mundësi ripërsëritjeje, e cila është praktikisht zero me vendosjen e rrjetës.

Kur pacienti i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, kur ekziston risku i ripërsëritjes së sëmundjes?

Po, mund edhe të ndodhë. Për shembull, në rastet e aplikimit të teknikës indore, pra vetëm me anë të qepjes kuptohet që mund të ndodhë ripërsëritja. Me anë të vendosjes së rrjetës protezike mund të ndodhë që organizmi nuk e toleron, por kjo është në përqindje të ulët. Me teknikat e sotme bashkëkohore sëmundja është e mjekueshme në çdo stad të saj dhe njëkohësisht ofron siguri për një cilësi jete më të mirë.

Ju pohuat se incidenca është më e lartë pas të 50-ave. Ka të dhëna që tregojnë se sa është numri i të prekurve?

Hernia prek 12 deri në 15% të popullatës adulte. Mesatarisht 1 në 10 veta dhe nuk janë pak.

Së fundmi, disa këshilla…

Nëse sëmundja është shfaqur, për fat të keq, regresi i saj nuk është më i mundur. Pra, nëse shfaqet, është e ditur që do të progresojë në forma gjithnjë e më tepër të avancuara. Këshilla që do t’u jepja të gjithëve është të mos e tolerojnë këtë sëmundje, të mos bashkëjetojnë 10 vite apo më shumë me të, por të kërkojnë ndihmën mjekësore, që edhe cilësia e jetës të jetë më komode dhe rreziku i mundshëm i krijuar nga situata ileus të mund të shmanget./Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top