Aksesori më i mirë që mund të keni gjatë kësaj vere është padyshim një lëkurë e shndritshme dhe plot vitalitet. Fatkeqësisht për shumë prej nesh, gjatë kësaj stine ndodh përjetimi i pakëndshëm i njollave nga dielli apo hiperpigmentimeve të lëkurës.
Pigmentimi i lëkurës ndodh atëherë kur kemi shtim të prodhimit të melaninës, e cila është një situatë që mund të nxitet nga faktorë të ndryshëm, duke përmendur predispozitën gjenetike, çrregullimet hormonale, stresin dhe dëmtimin në lëkurë, por një nga faktorët madhorë mbetet gjithnjë ekspozimi në diell. Hiperpigmentimet në lëkurë, veç dukjes jo të pëlqyeshme që japin, humbjes së shkëlqimit dhe vitalitetit, janë dhe ndër situatat më të vështira për t’u trajtuar, ndaj është shumë i rëndësishëm parandalimi i shfaqjes së tyre. Ju sugjerojmë disa prej këshillave themelore për të kuptuar më shumë mbi hiperpigmentimet e lëkurës dhe disa masa për trajtimin dhe parandalimin e tyre.
Hapi i parë është konsulta te mjeku dermatolog. Është ai që gjen dhe ju ndihmon në ecurinë që duhet të ndiqni. Si fillim: gjeni shkakun e hiperpigmentimeve. Duhet të dini se ka tri lloj hiperpigmentimesh, ndaj kujdes:
Melasma – Ky tip hiperpigmentimi shkaktohet nga çrregullimet hormonale, dhe zakonisht vihet re gjatë shtatzënisë. Mund të ndodhë gjithashtu edhe si shkak i çrregullimit të gjendrës tiroide dhe efektit anësor të terapisë me kontraceptivëve oralë.
Lentigot solare – Njihen gjithashtu si njolla të plakjes, të cilat gjenden gati në 90% të rasteve tek personat me moshë mbi 60 vjeç, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezeve UV.
Hiperpigmentimi post-inflamator – ndodh pas patologjive të lëkurës si psoriasis, djegie, akne, si dhe pas disa trajtimeve specifike të lëkurës.
Në dijeni të gjendjes së lëkurës tuaj pas kësaj njohjeje klinike, diskutojeni situatën tuaj me mjekun dermatolog dhe merrni mjekimin përkatës. Sidomos në muajt e nxehtë të verës, kontrolli dhe mbrojtja duhet maksimale për shëndetin e lëkurës tuaj. E këtu nuk bëhet më fjalë vetëm për lëkurën e fytyrës, por për të gjithë trupin, e cila si organi më i madh kërkon një vëmendje maksimale për të mos shkaktuar probleme edhe më të rrezikshme. Të nevojshëm për trajtimin e hiperpigmentimeve janë preparatet me alfa hidroksi acide dhe ato me përmbajtje retinoidesh, të cilat bëjnë eksfoliacion të lëkurës dhe rinim të saj.
Disa nga përbërësit kanë këta përbërës:
• Hydrokuinone
• Acid kojic
• Acid Azelaic
• Acidi mandelik
Lëkurë e shëndetshme edhe në kushtet e shtëpisë
Mjekët me të drejtë informojnë dhe këshillojnë për përkujdesjen e lëkurës sidomos në muajt e nxehtë.
Kremrat me faktorë mbrojtës dhe ata ushqyes sipas tipit të lëkurës, janë gjithnjë një nevojë absolute për rininë e lëkurës. Por ne si dermatologë e kemi për detyrë t’ju këshillojmë se edhe në kushtet e shtëpisë ju mundet dhe duhet të kujdeseni për të pasur një lëkurë të shëndetshme. Të tillë përbërës të njohur për efektet e tyre depigmentuese mund të jenë:
• Vaji i trëndafilit
• Kastraveci ose lëngu i tij
• Lëngu i limonit
• Aloe vera
• Patatja
• Uthulla e mollës
• Avokado
• Bananet
Maska me përbërës natyralë në kushte shtëpie:
Maskat me përmbajtje limoni janë të vlefshme në sajë të vitaminës C që ai përmban. Ajo njihet si antioksidanti dhe depigmentuesi më i fuqishëm. Shtrydhni limon të freskët dhe aplikojeni në lëkurë me një pambuk. Lëreni 10-15 minuta, pastaj shpëlajeni me ujë të bollshëm. Ndiqeni këtë procedurë 2 herë në ditë për disa muaj, derisa të shihni përmirësim të dukshëm. Një mënyrë alternative për të përdorur limonin është kombinimi i lëngut të tij me mjaltin për të krijuar një lloj maske, e cila aplikohet në lëkurë dhe lihet të veprojë për 15 minuta, pastaj shpëlahet fytyra me ujë të vakët e të bollshëm. Kjo procedurë mund të përsëritet një herë në javë për disa muaj. Kujdes! Personat me lëkurë të ndjeshme duhet të hollojnë lëngun e limonit me pak ujë përpara përdorimit. Merrni në konsideratë një procedurë jo-ablative të kryer nga profesionisti, në përputhje me lëkurën tuaj dhe stinën që kryhet:
• Peeling kimik
• IPL (Intense pulsed light) terapia, e cila kryhet nga profesionisti i kualifikuar
• Terapia me lazer
Parandalimi i hiperpigmentimit të mëtejshëm:
• Limitoni kohën tuaj të ekspozimit në diell dhe nxirjen artificiale.
• Përdorni masa të tjera mbrojtëse si, kapelat e diellit dhe syzet.
• Është shumë i rëndësishëm aplikimi i kremit të diellit, pavarësish nëse nuk i pëlqeni erën apo teksturën.
• Merrni në konsideratë medikamentet që po përdorni, pasi disa prej tyre, përfshirë medikamentet me përmbajtje hormonesh, mund të shkaktojnë hiperpigmentime në kohën që ju ekspozoheni në diell.
• Bëni kujdes me trajtimet profesionale që bëni, pasi një shkak i hiperpigmentimeve është edhe hiperpigmentimi post-traumatik i lëkurës.
Botuar në revistëb Psikologjia, nr.109
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.