Rritja e presionit të gjakut brenda arterieve që furnizojnë mushkëritë, mund të jetë ndërlikim i embolisë pulmonare, sëmundje e valvulave të zemrës, defekt septal apo sëmundje kronike e mushkërive. Mund të zhvillohet edhe pa ndonjë shkak të dukshëm, si p.sh. hipertensioni pulmonar primar.
Në një formë të hipertensionit pulmonar, arteriet e vogla në mushkëri, të quajtura arteriole pulmonare dhe kapilarët ngushtohen ose bllokohen. Kjo e bën më të vështirë që gjaku të rrjedhë nëpër mushkëri dhe gjithashtu rrit presionin brenda arterieve të mushkërive. Ndërsa presioni rritet, dhoma e djathtë e zemrës duhet të punojë më shumë për të pompuar gjakun përmes mushkërive, duke shkaktuar kështu dobësim të muskujve të zemrës.
Simptomat
Shenjat dhe simptomat e hipertensionit pulmonar në fazat e hershme mund të mos jenë të dukshme për muaj apo edhe vite. Ndërsa sëmundja përparon, simptomat përkeqësohen.
- Vështirësi në frymëmarrje (dispnea)
- Lodhje
- Marramendje (sinkope)
- Presion ose dhembje e kraharorit
- Ënjtje (edemë) të këmbëve
- Mavijosje të buzëve dhe lëkurës (cianoza)
- Pulsi jo i rregullt i zemrës (palpitacionet e zemrës)
Ndryshimet në arteriet pulmonare mund të zvogëlojnë ose të bllokojnë rrjedhjen e gjakut nëpër enë. Kjo e bën më të vështirë rrjedhjen e gjakut, duke rritur presionin e gjakut në arteriet pulmonare. Disa forma të hipertensionit pulmonar janë gjendje serioze që përkeqësohen në mënyrë progresive dhe ndonjëherë janë fatale. Hipertensioni pulmonar nuk mund të shërohet, por mjekët mund t’ju ndihmojnë të menaxhoni gjendjen tuaj. Trajtimi mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave, në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të ngadalësojë përparimin e hipertensionit pulmonar.
Shpesh merr pak kohë për të gjetur trajtimin më të përshtatshëm për hipertension pulmonar. Trajtimet janë komplekse dhe kërkojnë kujdes të vazhdueshëm. Mjeku juaj gjithashtu mund të ketë nevojë të ndryshojë trajtimin nëse nuk është më efektiv.
Kur hipertensioni pulmonar është shkaktuar nga një gjendje tjetër, mjeku do të trajtojë shkakun themelor sa herë që të jetë e mundur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.