Një herë e një kohë jetonin dy shqiponja shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Kushdo që i shihte, mendonte se po shihte një shqiponjë dhe imazhin e saj të pasqyruar diku. Jo vetëm imazhi, por edhe aftësitë e tyre fluturuese ishin të njëjta. Ata kishin krahë të fuqishëm, sy të mprehtë, pupla të lehta dhe gjata. Fluturimin e kishin mësuar njëherazi, të dyja bashkë dhe në mënyrë të njëtrajtshme. Sa herë që gjendeshin lart në qiell, fluturonin në të njëjtin nivel.
Pas disa kohësh, njëra prej shqiponjave filloi të dembelosej. Ajo mjaftohej me hapjen e krahëve duke mos e marrë mundin t’i përplasë ato për më shumë lartësi. Sakaq tjetra, i përplaste fort krahët e saj të fuqishme duke u ngjitur lart e më lart. Herë pas here, ajo lëshonte nga një piskamë si formë stimulimi për shoqen e saj që të ngrihej lart. Por shoqja e saj i konsideronte fyerje këshillat dhe thirrjet e mikeshës për t’u ngjitur më lart. Ajo filloi të bëjë dhe krahasime mes saj dhe shqiponjës tjetër, duke menduar dhe folur me vete. Që kur kemi qenë të vogla, ajo është favorizuar më shumë se unë. Ah e mjera unë! Që e vogël jam përballur me një jetë plot vuajtje dhe mjerim, kurse për të gjithçka ka qenë më e lehtë. Të gjithë e donin dhe e mbështesnin. Duket sikur edhe ajri është me të dhe e ndihmon të ngjitet më lart sa unë. Ndihem e pashpresë dhe e demoralizuar. Kur do të vijë dhe dita ime? Kur do të më buzëqeshë fati edhe mua? Dua të bëhem më e mirë dhe të fluturoj më lart se ajo. Që sot, nuk do e lejoj të fluturojë më lart se unë. Mandej, filloi të vëzhgojë shqiponjën tjetër, saqë e harroi fare faktin se duhej të përplasë krahët për të fluturuar. Ndërkohë që shqiponja tjetër përplaste krahët dhe ngjitej lart e më lart, mikesha e saj e vëzhgonte pa ia ndarë sytë, e zhytur në mendime lidhur me një zgjidhje, e cila do i mundësonte suksesin.
Në një çast, i lindi një ide, e cila iu duk brilante; Ta rrëzojë përtokë shoqen e saj. Kjo ishte mënyra e vetme për ta penguar progresin e përhershëm të saj dhe suksesin. Për këtë, i duhej një plan ideal. Ta godas me gurë? Kjo do të thotë që të zbres poshtë, të marr një gur dhe të ngjitem lart përsëri. Por kjo është një rrugë shumë e gjatë. Mos duhet ta angazhoj me fjalë të kota, saqë të harrojë se i duhet të përplasë krahët për t’u ngjitur? Në kokë i lindi një ide tjetër. Vendosi se mënyra më e mirë për ta rrëzuar ishte duke shkulur puplat e saj, të cilat do ia hidhte si shigjeta shqiponjës tjetër derisa ajo të shembej përtokë. Menjëherë filloi ta zbatojë këtë ide, duke i shkulur puplat, të cilat i lëshonte si shigjeta. Mikesha e saj habitej nga kjo sjellje, por për asnjë çast nuk e ndërpreu përplasjen e krahëve, gjë e cila e ngrinte lart e më lart. Sakaq, mikeshës së saj ziliqare nuk i kishte mbetur asnjë pupël mbi trup dhe në një moment u lëshua drejt tokës me shpejtësi. Teksa i afrohej tokës, ajo përsëriste pa ndarë shprehjen:”A nuk u pata thënë se të gjithë janë kundër meje?!”
Në vend që të mendosh si ta rrëzosh tjetrin, mendo si të korrësh sukses si ai. Ti duhet të ngrihesh dhe të fluturosh lart si ai. Mos u merr me të tjerët, por merru me jetën dhe të ardhmen tënde. Ti e ke në dorë jetën tënde, prandaj ruhu nga strategjia e shqiponjës së mundur!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.