Leo është 13 vjeç dhe jeton në Tiranë. Çdo të diel ai ngrihet herët dhe niset në Fushë-Krujë.
“Ne kemi tendën tonë dhe unë shes aty rroba të përdorura. Fitoj nga 4000 deri në 5000 mijë lekë në ditë. Nga ora 2 nisemi për në shtëpi. Sa vij, i jap mamit lekët. Ajo i numëron dhe pastaj shkon e blen ushqimet që na duhen në shtëpi” – tregon Leo.
Kur e pyeta Leon a blejnë rroba njerëzit tek ti që je i vogël, m’u përgjigj: “Po, biles, ca, ngaqë më shohin si të vogël kërkojnë edhe t’i marrin me pak lekë, por unë nuk ia ul”.
E ëma ka bërë vetëm 2 vite shkollë, i ati 5. Motra e madhe nuk e mbaroi 8-vjeçaren dhe u martua fare e vogël. Motra e vogël këtë vit mbaron klasën e 9-të dhe nuk do të vazhdojë më tej. Leo thotë se prindërit duan ta martojnë shpejt. Ndërsa ia ka dëshirë që ajo të arsimohet. Atij i pëlqen shkolla, edhe notat i ka të mira. “Ndonjëherë kam dashur ta lë fare shkollën që të punoj çdo ditë, e të fitoj më shumë lekë. Edhe mami më kërkon që të fitoj më shumë. Por nuk e kam lënë shkollën. Shokët më kanë thënë që shkolla duhet, të bën njeri. Ashtu mendoj edhe unë”- thotë Leo.
Prej 3 vitesh Leo zgjohet në mëngjes e niset drejt Fushë-Krujës. I ati ka disa muaj pa punë, ndërsa e ëma punon natën, në mirëmbajtjen e qytetit.
Leo tregon se shpesh shokët e vënë në lojë. “Ata më shajnë se jam ndryshe…dmth se jam i komunitetit rom siç i thonë. Sa herë ndodh, iki, rri vetëm.” – thotë Leo dhe ul kokën e hesht për pak.
Miku i tij më i mirë është Soni. Ata janë të pandashëm. “Ai nuk më shan. Ai më mbron nga të tjerët” – thotë Leo. Ai e prezantoi edhe me Impact Club, ku bënte pjesë vetë. Ky është një grup të rinjsh, krijuar nga World Vision që ka si synim fuqizimin e të rinjve. Leo është prej 3 muajsh pjesë e këtij grupimi. I pëlqen shumë, aq sa nuk mungon në asnjë takim. “Këtu më trajtojnë mirë, nuk më shajnë, më mbështesin. Këtu flasim për shumë tema. Herën e fundit folëm për bullizimin dhe unë e di mirë çfarë është…”- thotë Leo.
*Leo nuk është emri i tij i vërtetë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.