Shën Nikolas ishte një peshkop, i cili jetoi në shekullin e katërt në një vend të quajtur Myra në Azinë e Vogël (tani quhet Turqi). Ai ishte shumë i pasur, sepse prindërit e tij vdiqën kdhe lanë shumë para. Nikolas ishte shumë i sjellshëm dhe ndihmonte njerëzit në nevojë, duke u bërë dhurata fshehtas. Për shkak të mirësisë së tij u quajt Shenjt.
Mendohet se vdiq në Myra në vitin 343 pas Krishtit dhe kockat e tij u transportuan në Itali nga detarët italianë dhe u vendosën në Bari në shekullin 11-të. Për të qarkulluan shumë legjenda që e shndërruan në një person, që kryente mrekulli. Kjo ishte arsyeja që u konsiderua si mbrojtës i shumë njerëzve, që nga detarët, fëmijët, tregtarët etj. Por, ndër historitë më jetëgjata është ajo që rrëfejnë për një plak që kishte tri vajza të cilave, duke qenë i varfër, nuk mund t‘u siguronte një pajë të mjaftueshme për t‘i martuar. Kështu, ato rrezikonin të mbeteshin lënesha, e më keq akoma të merrnin rrugën e prostitucionit.
Nikolasi donte që t‘u jepte një ndihmë, por duke qenë një person modest dhe i ndrojtur, ai shkoi në shtëpinë e plakut natën vonë dhe la aty tri qese të mbushura me florinj. Një nga versionet e historisë është se ai e bëri këtë gjatë tri netëve, pra çdo natë hidhte nga një qese me monedha. Një tjetër version thotë se ai e bëri bamirësinë përmes oxhakut për të mos u vënë re nga i ati i vajzave dhe një tjetër version akoma rrëfen se plaku e kapi Nikolasin teksa bënte bamirësinë, por ai i tha që të mos ta falënderonte atë, por Zotin, pasi kjo ishte vepër e tij. Nikolasi nderohet ende nga të krishterët e Kishës Katolike Romane dhe të krishterët ortodoksë, si dhe nga një numër besimtarësh të kishave anglikane dhe luteriane. Rreth 500 kisha në Britaninë e Madhe e konsiderojnë Shën Nikolasin mbrojtësin e tyre.
Në pjesën më të madhe të Evropës ku nderimi dhe adhurimi ndaj shenjtorëve është pjesë e kulturës popullore, Shën Nikolas shfaqet në një shumëllojshmëri formash. Në disa qytete ai shfaqet si një kalorës, që rend me kalin e tij nëpër rrugë dhe fëmijët mundohen ta imitojnë. Në Britani ai ishte në themel të idesë së Babagjyshit të Krishtlindjeve, i cili u shfaq gjatë periudhës viktoriane me pamjen e një personazhi mjekërbardhë e të qeshur. Por, pamja familjare e dhjetëvjeçarëve të fundit me të cilën jemi mësuar ta identifikojmë në çdo fillim dhjetori është përpunuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Paraqitja e jashtme u përcaktua përfundimisht gjatë fushatës së famshme të marketingut të Coca-Colës në vitin 1931, kur Babagjyshi i Krishtlindjeve u shfaq me një kostum të kuq të rrethuar me pellush të bardhë dhe mbërthyer me një rrip të gjerë. Pikërisht kjo pamje u pranua botërisht si pamja e Babagjyshit të Krishtlindjeve, pamje që ka shoqëruar dhjetëra e dhjetëra Krishtlindje dhe është bërë pjesë e pandashme e festës, pa të cilin ajo nuk mund të kuptohet. Sigurisht që miti i Babagjyshit është shtrirë shumë më përtejfestave të fundvitit. Ai ka hyrë edhe thellë në ndërgjegjen tonë si një figurë bujare e zemërbardhë, që shpërndan mirësinë kudo e mbi të gjitha nuk e mban meritën për vete, por ia jep atë Zotit, si shenjë e dashurisë së tij të njëjtë për të gjitha qeniet njerëzore.
Sipas legjendës moderne, Babagjyshi i Krishtlindjeve natën e tyre shpërndan në të gjithë botën dhurata. Për ta bërë këtë atij i duhet të udhëtojë për 221 milionë kilometra me një shpejtësi mesatare prej 1279 kilometrash për sekondë ose 6395 herë më të madhe se shpejtësia e zërit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.