Dëshmi

June 21, 2021 | 9:14

Historia e trishtë e Afërditës, braktisja prej familjes, jeta e vështirë në jetimore dhe rilindja falë prindërve birësues

Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare është bërë Yzeiri dhe dy fëmijët e tij Ermira dhe Armando, ku kanë rrëfyer për historinë e braktisjes së së vajzës së vogël Afërdita, 8 muaj pasi ka lindur, pasi nëna e saj pati probleme psikike dhe nuk kishte kush kujdesej për të.

Armando: Familja jonë ka qenë me 6 anëtarë dhe tani jemi 5. Para 38 vitesh ne kemi patur pjesëtarin që sot nuk e kemi. Ajo ka lindur në 15 Prill 1983 dhe me ne ka ndenjur rreth 8 muaj, motra ime me emrin Afërdita Dule. Sëmuret mami im, ajo u sëmur që kur doli nga spitali, por pasojat e rënda i nisi pas 8 muajsh. U sëmur nga narkoza e tepërt, filloi të kishte probleme psikike.

Ardit Gjebrea: Pra pas lindjes së motrës, Afërditës, mami pati probleme dhe ju 8 muaj e mbajtët motrën në shtëpi, më pas çfarë ndodhi?

Armando: Pas 8 muajsh babai, nëna dhe gjyshi morën vendimin të kërkojnë ndihmën e shteti për ta çuar motrën në Vlorë sepse aty u shtrua dhe mami për arsyet shëndetësore që kishte. E shtruam në spitalin psikiatrik të Vlorës, atje kërkuam ndihmën e shtetit për ta mbajtur atë fëmije deri në moshën 7 vjeç.

Ardit Gjebrea: Zoti Yzeir, ju kishit bashkëshorten dhe sa fëmijë të tjerë?

Yzeiri: 3 fëmijë të tjerë dhe vajza e humbur 4. Nuk e mbajtëm dot sepse nuk kishim kushte, tre fëmijët e tjerë i mbante nëna ime. Pas 2-3 muajsh qëndrim në spital, më njoftuan dhe më thanë hajde ta marrësh. Vajta e mora gruan në Vlorë, e solla në fshat në shtëpi, dhe pas një muaji sëmuret përsëri dhe e çoj përsëri në Vlorë. Shkova të shihja dhe vajzën, ishe në shtëpinë e fëmijës dhe ishte mirë.

Ardit Gjebrea: Sa herë e keni takuar vajzën?

Yzeiri: Kam shkuar rreth dy herë të tjera tek vajza, pas moshës 2 vjeç e gjysmë, sëmuret në sëmurën e fëmijës, shkoj dhe më thonë drejtoreshat që do ta marrësh vajzën se është e sëmurë, ka një sëmundje të pashërueshme në gjak. Kam bërë debate shumë, kam vajtur dhe në drejtori dhe i kam kërkuar që vajzën nuk do e marr tani për tani, do e marr vajzën kur të shërohet, kur të bëhet siç e kam sjellë, do më lajmëroni dhe do vij ta marr.

Vajza vazhdoi një tre vjet e sëmurë, njoftohem përsëri që të shkoja të merrja vajzën, ishe ’89-’90 që prishej sistemi, nuk para më shumë mundësi të shkoja para se të prishej sistemi. 6 muaj para se të ikte vajza ka vajtur vëllai im me gruan për ta marrë dhe i thanë nuk ta japim, duhet ta marrin prindërit. Kur erdhën në fshat më thanë që vajzë është shëruar, të shkosh ta marrësh vajzën. Shkoj pas tre muajve që erdhi vëllai dhe vajzën e gjej të larguar, nuk e gjej aty. Drejtori më thotë zotëri të na falësh, vajza ka ikur në Itali me disa shoqe në turne.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte vajza atëherë?

Yzeiri: Vajza ishte 6 vjeç. Më thanë që vajza do të kthehet në fund të muajit dhe do të të njoftojmë për ta marrë. Që atë ditë dhe deri më sot, akoma  asnjë gjë. Kam kërkuar dhe nuk më ka hapur rrugë askush deri më sot.

Armando: Babai para 3-4 viteve vajti në gjendjen civile sepse para 5 viteve ka bërë një operacion ka hequr veshkën dhe është me një veshkë. Për të përfituar babai, të merrte një kemp vajti për ta çregjistruar. I thonë ata ti nuk përfiton ndihmë ekonomike se ke pjesëtarin e familjes që ka mundësi të punojë, nuk e dinin ata që Afërdita ishe e humbur.

Ardit Gjebrea: Po ku e dinin ata që vajza është në gjendje?

Armando: Ekziston në gjendjen civile, ata nisën ta çregjistronin, vjen një përgjigje nga Gjykata e Tiranës që kjo vajzë nuk mund të çregjistrohet në gjendjen civile sepse kjo jeton, ekziston. E ka marrë një çift italian me të dhënat që na kanë dërguar, e kanë adoptuar një çift në Itali që nuk bënin dot fëmijë.

Ardit Gjebrea: Juve ju kanë dhënë emër dhe mbiemër të italianëve?

Armando: Po i disponojmë, i kemi me vete.

Ardit Gjebrea: Ju i kërkuat dot ata?

Armando: Jo sepse vetëm 1 vit e gjysmë më ranë dokumentet në dorë.

Ardit Gjebra: Ne bëmë disa kërkime, emrat që na dhatë na çuan diku dhe sigurisht engjëjt që kam unë tek E Diela Shqiptare, Benardi dhe Dorina me të gjithë lidhjet që kanë, kanë bërë një kërkim të gjatë dhe na kanë çuar në një pistë që mund të na afrojnë tek Afërdita juaj. Ne do kemi në studio një zonjë që ka pranuar të vijë, vjen nga Italia dhe do e dëgjojmë se çfarë do thotë.

Maria Pia Malteze e cila kur ishte fëmijë quhej Afërdita ka rrëfyer fëmijërinë e saj që ka kaluar në jetimore tek rubrika “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare. Pasi u braktis nga prindërit vetëm 8 muajsh ajo ka vuajtur në shtëpinë e fëmijës në Vlorë, nuk lahej kurrë, kishte morra dhe nuk ushqehej. Madje shpesh herë ajo dhunoheshe nga edukatoret. Por kur ishte në moshën 8 vjeç ajo u birësua nga një familje italiane dhe aty ndryshoi jeta e saj përfundimisht.

Ajo shprehet se e mban mend fëmijërinë e saj dhe ka qenë tepër e vështirë, madje uron që të mos e kalojë askush një gjë të tillë. Shprehet se e kanë braktisur në jetimoren e Vlorës dhe akoma dhe sot nuk e di arsyen e vërtetë, gjë që e ka munduar prej vitesh, madje në jetimore nuk e trajtonin mirë.

Maria: Nuk më trajtonin mirë, më vinin në punë, më vinin me shumë fëmijë  në dhomë, bënim çfarë thoshte edukatorja, përndryshe na ndëshkonin nëse nuk e bëja, më rrinin ose më vinin në izolim pa ujë dhe pa ushqim. Isha 6 vjeç dhe nuk do i harroj dot kurrë këto gjëra. Mbaj mend që dhe shumë fëmijë të tjerë qanin nga uria, unë nuk haja atë që hanin edukatoret. Unë haja lëkura patatesh, lëkura shalqiri, makarona dhe bukë të ndenjur që ato hidhnin në mbeturina. Nuk më jepnin asnjë gjë tjetër për të ngrënë, unë vidhja për të ngrënë.

Ardit Gjebrea: Ku vidhje?

Maria: Atë që shihja në rrugë, përtokë. Unë haja dhe bubureca, nuk kam turp ta them. Unë dilja të vidhja natën për të ushqyer fëmijët që ishin më të vegjël se unë, ishim rreth 50 fëmijë dhe të gjithë ishim kështu.

Ardit Gjebrea: Të gjithë hanin buburreca?

Maria: Po, unë nuk e quaj institucion por si luftë. Edukatoret na rrihnin me grushta, gjemba trëndafilash nëse nuk bëja ashtu siç thoshin ato. Unë isha shumë e dobët, isha nën peshë, në moshën 7-vjeçare peshoja 16 kg, kisha gojën e shtrembër, sytë e shtrembër nga kequshqyerja. Nuk më lanin kurrë, kisha morra. Unë nuk ia uroj kurrë kujt këtë histori. Cila nënë do ta braktiste të bijën që ta trajtonin kështu (qan)?  Ky është mllefi im, pyes veten pse nëna nuk vinte për të më marrë.

Ardit Gjebrea: Ti nuk mban mend asnjë që të vinte?

Maria: Mua nuk vinte të më merrte askush, isha gjithnjë aty në atë institucion që unë e quaj “tmerr”.  Maria tregon se edhe gishtat i ka të shtrembër sepse gjithmonë i vishnin të njëjtat këpucë edhe pse këmba i rritej vazhdimisht.

Maria: Mbaj mend gjithashtu në 1991 ndoshta, në ditën më të bukur për mua, Zoti deshi të më jepte një jetë të dytë. Në Tiranë erdhën dy italianë për të birësuar një fëmijë. Për herë të parë edukatoret më lanë, më bënë banjo. Këta dy italianët po na shikonin ne fëmijëve në rresht, nuk e di se çfarë më tërhoqi tek ata dhe shkova unë t’i përqafoja dhe jo ata mua. Babai im u shtang dhe i tha nënës time unë e dua këtë vogëlushe. Nëna ime i tha që jo është e sëmurë, e ka gojën e shtrembër, këmbët e shtrembra dhe babai im i thotë o atë o asnjë. Më zgjodhën mua, isha shumë e lumtur më ndërruan rrobat, vesha rroba të reja.

Maria tregoi se ishte shumë e mërzitur për fëmijët e tjera, madje ka bërë dhe një marrëzi. Një vajzë që e kishte shumë shoqe e ka futur në bagazhin e makinës së prindërve italianë për ta marrë me vete. Ajo filloi të qante sepse mungonte ajri në bagazh, kështu prindërit e kuptuan dhe e çuan sërish në jetimore.

Jeta e saj pas vajtjes në Itali ndryshoi rrënjësisht dhe shprehet se është gjallë falë prindërve të saj birësues dhe se do jepte dhe jetën për ta.

Moderatori Ardit Gjebrea i rrëfen historinë e prindërve të saj biologjikë dhe e përlot. Ajo shprehet se mendonte që prindërit i kishte të vdekur dhe ishte fëmijë i vetëm dhe jo të kishte motra dhe vëlla tjetër. Kur u pyet nga Arditi nëse është gati t’i shohë dhe takojë, Maria ngurroi në fillim, u shpreh se kishte frikë, por më pas pranoi.

Maria u shpreh se vëllai dhe motra nuk kishin faj dhe pse ndjen shumë mllef. Gjebrea ia shpjegon se e kanë kërkuar gjithë jetën dhe nuk kanë hequr dorë kurrë nga ajo. 38-vjeçarja pranon që t’i takojë, babai vrapon për ta takuar dhe gjatë përqafimit atij i bie të fiktë nga emocionet, por më pas e merr veten.

Burimi / https://tvklan.al/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top