Në fokus

February 13, 2017 | 13:43

Historia prekëse e 17-vjeçares / Psikologia Denata Toçe mesazh të fortë për mësuesit dhe shoqërinë

“Ka një mesazh për ty”, rubrikë e emisionit “E diela shqiptare” në TV Klan, përçoi njëherësh një mesazh të fortë dhe ndërgjegjësues ndaj një situate problemore që i kish ndodhur një 17-vjeçareje nga Tirana. Konstatimi i mjekëve, specialist të fushës, e kanë emërtuar si “Alergji nervore”. Një shpjegim më të detajuar e specifik për rastin, e dha në studio psikologia e njohur, Denata Toçe.

vajza-me-nenen

Denata Toçe: Alergjia nervore është familjare si problem, sidomos për mjekët psikiatër. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që përpara se një adoleshent apo një person, që është ende në botën e mitur, përpara se të shkojë te psikiatri, të mund të shkojë në një trajtim përmes fjalës, pra të mund të kuptojë realisht historikun e gjerë të një jete 17-vjeçare se, çfarë mund të ketë ndodhur, vështirësitë jetike që fëmija mund të ketë pasur. Nuk ka nevojë domosdoshmërie që të ketë një emërtim, rëndësi ka simptomat që përjeton individi, pa dashur që ne këtyre njerëzve, aq më tepër që janë në kulmin e moshës së zhvillimit, ku dhe shumë episode të tjera t’u ndodhin. Për shembull, një adoleshent përballet edhe me problematika të tjera.

Psikologia Denata Toçe e ftuar e Ardit Gjebreas në “Ka një mesazh për ty”, “E diela shqiptare” në TV KLAN.

Është shumë e rëndësishme që problematikat, duke mos u përmendur, nuk shmangen. Sigurisht që vajzës, babai i është përmendur edhe pa i rënë të fikët, mendoj unë. Pra, nuk është e thënë që sa herë babai i përmendet, asaj i bie të fikët, por në momente emocionale, intensive, kur prania e tij është e lidhur me kujtime të ndryshme, të së kaluarës, mund të ketë çuar deri në intensitet emocional, shoqëruar edhe me episode ankthi. Janë këto emocione të forta që bëjnë që organizmi për të mbrojtur veten dhe organet jetike, i bie të fikët. Por kjo nuk do të thotë që ky individ ka probleme psikike, por atë që po përjeton ky person, ankth dhe ato mendime ajo i ka problematike, si pasojë e traumës që ka kaluar. Kjo kërkon një ndihmë profesionale, si një ndihmë që po trajton probleme të shëndetit mendor.

Ardit Gjebrea: Mësuesja në shkollë i ka thënë vajzës: Ne këtu nuk jemi në spitalin psikiatrik.

Denata Toçe: Në qoftë se kjo ka ndodhur, është shumë e rëndë.  Kjo vajzë ka ardhur me një kurajë fantastike, të tregojë diçka. Ajo ka ardhur t’i kërkojë një ndihmë të gjithë shoqërisë dhe t’i thotë: Ej, më besoni! Kam vështirësi!

Jetojmë në këtë pikë. Përderisa ka ardhur deri këtu, duhet padyshim të mbështesim kurajën që ajo ka, t’ia bëjmë të qartë që kjo është një gjë fantastike që ka ndodhur, që do një guxim shumë të madh. Është një hap drejt faktit që ajo po thotë se nuk po e fsheh. Ky është hapi i parë i shërimit. Padyshim që dhe në hapat më mbrapa, edhe episodet më të vogla qofshin këto, të çdolloj problemi, emocional apo të mendimeve. Pra, kur njeriu ngec një moment, ka nevojë për një ndihmë profesionale, por jo ndihma profesionale e bën një njeri të çmendur deri patologjik. Në këtë sens dua që ne të mos jemi paragjykues. Prandaj unë shmang emrat, qoftë kjo një alergji nervore, depresion, ankth etj. Njeriu nuk e ka emrin ankth apo diçka tjetër, por ka një emër të caktuar që ka nevojë në të tilla situata të ketë nevojë për një rrugëtim profesional.

Pas shfaqjes së mesazhit nënë-bijë.

Ardit Gjebrea: E pamë…

Denata Toçe: Kishte momente delikate, megjithatë unë kam një pyetje retorike: Vajzë më të mençur se kjo keni parë ndonjëherë?!

Ky është një mesazh edhe për mësuesit që e shoqërojnë, që të jenë krenarë për një nxënëse si kjo, dhe ky është një mesazh edhe për psikologët e shkollave, që të bëjnë kujdes në marrëdhënien që krijohet me nxënësit dhe mësuesit, sepse është një marrëdhënie shumë delikate, ku edhe shfaqen episode të ankthit për shkak edhe të jetës së tyre, lëvizjeve demografike që kanë bërë. Kanë ardhur nga një vend tjetër, kanë shkuar në një vend tjetër, kanë ndërtuar një shtëpi, kanë pasur një baba që nuk e kanë më, dhe kultura sociale ia bën t’ia rikujtojnë vazhdimisht, t’i thonë që, ai është aty, sikur është i gjallë. Ai është një person që edhe e gjykojnë nga mbrapa. Është një fenomen që ekziston.

Ardit Gjebrea: Vajza tha mes të tjerash: “Kur unë lexoja, në mënyrë të pavetëdijshme shkruaja babi”. Çfarë është ky fenomen?

Denata Toçe: Një profesionist do të thoshte që, kemi të bëjmë me disa episode të stresit post traumatik. Vërtet e ka lënë në moshën 3-vjeçare, por duhet të kuptojmë që në këtë moshë shoqërohen elementët më thelbësorë të ndërtimit të personalitetit të fëmijës. Kështu që, edhe pse ajo nuk mban mend gjë, aty ka pasur një historik shumë domethënës, afeksionet e para, marrëdhëniet e para me prindin. Një fëmijë trevjeçar di të thotë mami dhe babi. Një fëmijë trevjeçar bisedon me prindërit. Fakti që ajo nuk mban mend asgjë, është pjesë e kësaj traume. Por, po ta vini re, ajo që mua më vjen keq për shkak të kulturës sonë, ajo do t’u bëjë kënaqësinë të tjerëve dhe jo atë që do. Shqetësimi i vazhdueshëm që t’u tregojë të tjerëve, shiko se, ajo nuk e ka harruar babanë, shqetësimi i vazhdueshëm që kulturalisht ajo të jetë në rregull, që neve të mos e pranojmë që dikush ikën nga kjo botë, që ne të jemi aty e t’i kujtojmë që prindërve të babait që ai është prezent akoma atje. Ai është në kujtimet tona. Një njeri që largohet, është një njeri që largohet. Unë mendoj që, pa diskutim që duhet një ndihmë profesionale, një ndihmë që do ta shoqërojë për ta ndihmuar, por mësues, kini kujdes! Kjo vajzë është një vajzë e zgjuar, është një vajzë që meriton të eci në shkollë, dhe përkundrazi, ta ndihmojmë. Nëse ajo ka episode të tilla, ej, e kush nuk i ka nga fëmijët tanë? Në një formë të ndryshme apo në një formë që ndoshta nuk i bie të fikët, ky është një reagim emocional i natyrshëm, që unë e shpjegova në fillim, por kanë gjëra të tjera si: sjellje agresive, sjellje problematike, që ne i gjykojmë sërish këta fëmijë në vend që t’i rehabilitojmë. Është koha që fëmijët të mos jenë më paragjykues. Është koha që t’i rehabilitojmë këta fëmijë që meritojnë të jenë në shkollë dhe meritojnë të trajtohen si të gjithë fëmijët e tjerë, me problematikat që kanë dhe o burra t’i ndihmojmë, mësuesit të parët, dhe padyshim dhe prindërit t’i mbështesin deri në fund.

Një gjë shumë të bukur më ka thënë një profesor i imi: Ne flasim shumë pak për ndjenjat me fëmijët. Flisni me ta për ndjenjat e tyre në mënyrë që ata t’i rehabilitojnë që në fëmijëri. Si ndjehen, çfarë mendimi kanë tani që babai nuk është më. Ne kemi frikë të flasim për vdekjen! Nëse këtij fëmije do t’i ishte rehabilituar kjo figurë dhe koncepti i vdekjes, që herët, tashmë ajo do të kishte pasur më integritet me vdekjen e babait të saj.

 

http://tvklan.al/vuan-nga-alergjia-nervore-pas-humbjes-se-babait-mesuesja-e-ofendon/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top