Mirëqenie

December 1, 2015 | 9:47

HIV-AIDS/ Të gjithë duhet të veprojmë!

 

Sot është Dita Ndërkombëtare kundër SIDA-s, e cila shihet si një mundësi për njerëzit në të gjithë botën që të bashkohen në luftën kundër virusit HIV. Ky virus vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik.

1.2 milion njerëz kanë humbur jetën vitin e kaluar nga sëmundje të lidhura me sidën.

 5 fazat nëpër të cilat kalon HIV-SIDA

Infeksioni HIV/SIDA kalon nëpër disa faza: Infeksioni fillestar, periudha dritare, faza asimptomatike, faza simptomatike dhe stadi SIDA.

Infeksioni fillestar

Me hyrjen në organizmin e njeriut të virusit HIV, sasia e tij në gjak fillon të rritet me shpejtësi. Gjatë kësaj periudhe, shumica e të infektuarve nuk kanë asnjë shenjë, kështu që nuk kanë mundësi të kuptojnë nëse janë infektuar. Megjithatë, një pjesë e tyre mund të ankohen për shenja të ngjashme me ato të gripit si: temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskulore, dhimbje të kyçeve, djersë natën, rrufë, të vjella, si dhe diarre apo zmadhim të gjëndrave.

Periudha dritare

Pasi një person është infektuar, sistemi i tij imunitar futet në veprim, duke prodhuar antitrupat për të luftuar virusin. Periudha nga momenti i infektimit me virusin HIV deri në shfaqjen e këtyre antitrupave në gjak quhet “periudha dritare”. Nëse një person i infektuar me HIV bën testin e thjeshtë gjatë kësaj periudhe, ai do të rezultojë negativ, pasi antitrupat nuk janë akoma të kapshëm. Në këtë periudhë ky person mund të infektojë të tjerë pa e ditur as vetë.

Periudha asimptomatike (pa shenja)

Më pas fillon një periudhë pa shenja që mund të zgjasë nga disa muaj deri në disa vite. Gjatë kësaj periudhe, personat e infektuar ndihen mirë, bëjnë një jetë normale dhe duken të shëndetshëm, por ata janë infektues për të tjerët.

Periudha simptomatike

Pas një periudhe me një shëndet relativisht të mirë, fillojnë të shfaqen simptoma të lehta që tregojnë që sistemi imunitar ka filluar të dëmtohet. Shenjat përfshijnë: temperaturë, djersë natën, humbje në peshë, kruarje, herpes, infeksione mykotike, etj. Në këtë periudhë personat me HIV pozitiv fillojnë të preken nga infeksionet, të cilat shkaktohen nga organizma që në persona të shëndetshëm nuk mund të shkaktojnë sëmundje dhe që përbëjnë një kërcënim të madh për jetën. Me dobësimin e mëtejshëm të sistemit imunitar është e vështirë të luftohet infeksioni dhe personi kalon në stadin SIDA.

Stadi SIDA

Dëmtimi i pakthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, bën të ç’organizohet i tërë sistemi imunitar i tij. Në këtë situatë, organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë, apo të kontrollojë shfaqjen e disa tumoreve, duke u shfaqur kështu SIDA. Shenjat më të shpeshta të kësaj faze janë: humbje e madhe në peshë, dobësi, këputje, diarre e vazhdueshme që zgjat më tepër se një muaj dhe që nuk dominohet nga mjekimi, myk i shprehur, herpes, temperaturë e vazhdueshme, djersitje natën si dhe shenja sipas infeksioneve të ndryshme.

Problemet në diagnostikim

Për momentin nuk ka shërim apo vaksinë për HIV/SIDA. Megjithatë ekzistojnë mënyra efektive trajtimi me preparatet Anti RetroVirale (ARV) që mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit dhe që trajtojnë infeksionet e mundshme. Ilaçet antiretrovirale, një dietë dhe ushqyerje e shëndetshme ndihmojnë në zbutjen e shenjave të kësaj sëmundje.

Rrugët për të parandaluar infektimin me Hiv-Sida

Parandalimi i transmetimin të virusit HIV është mjeti kryesor i luftës kundër përhapjes së HIV/SIDA. Ilaçet Anti RetroVirale bëjnë të mundur ngadalësimin e përhapjes së virusit në organizëm. Marrja e barnave ARV bën të mundur që një person me HIV të jetojë më gjatë dhe të bëjë një jetë më të shëndetshme. Nëse njerëzit janë të ndërgjegjshëm se si transmetohet HIV ata mund të marrin masat e duhura për ta bërë këtë. Disa nga masat që duhen marrë për parandalimin e infeksionit përfshijnë: përdorimi i prezervativit gjatë çdo forme të marrëdhënieve seksuale, mos shkëmbimi i ageve, brisqeve apo instrumenteve të tjerë që përdoren për piersing, tatuazhe, zbatimi i masave parandaluese në vendin e punës për punonjësit e shëndetësisë, mjekimi i IST-ve, bërja e testit për HIV nëse mendohet se ka pasur sjellje risku, etj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top