Procesi i plakjes, si çdo proces tjetër jetësor karakterizohet nga ndryshime të caktuara. Ndërkohë që jo të gjithë bëhen pleq dhe plaka idhnakë, studiuesit tregojnë se këta të moshuar zakonisht janë më pak të shoqërueshëm.
Studiuesit e Universitetit të Gutenburgut tregojnë se ky ndryshim në personalitet haset midis të moshuarve që kanë probleme me dëgjimin. Përfundimet e arritura theksojnë rëndësinë e zbulimit dhe trajtimit të problemeve të dëgjimit te mosha e tretë. Në këtë studim u ekzaminuan 400 individë të moshave 80-98 vjeç për një periudhë 6-vjeçare. Çdo 2 vjet të moshuarit u vlerësuan mendërisht, fizikisht, si dhe në aspekte të personalitetit si shoqërizimi, që ndikon në prirjen për të qenë i shoqërueshëm dhe në një gjendje të mirë emocionale.
Rezultatet tregojnë se, pavarësisht se gjendja shpirtërore ishte e qëndrueshme gjatë kësaj periudhe, të moshuarit bëheshin gjithnjë e më pak të shoqërueshëm. Çuditërisht, studiuesit nuk mund të bënin lidhjen midis dëmtimeve fizike dhe njohëse me vështirësitë e moshës për t’u bërë pjesë e aktiviteteve shoqërore. I vetmi faktor që mund të lidhej me mungesën e shoqërizimit ishte humbja e dëgjimit. Për herë të parë u vendos një lidhje midis dëgjimit dhe personalitetit.
“Ne zbuluam se rënia e shëndetit apo kapacitetit në përgjithësi i bën njerëzit më pak të shoqërueshëm, ndërsa humbja e dëgjimit ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e situatave shoqërore. Nëse cilësia e ndërveprimit shoqëror shkon drejt rënies, kjo gjë mund të ndikojë në mënyrën se si lidhemi me të tjerët”, – thotë Anne Ingeborg Berg.
Studimi na jep fakte interesante për zhvillimin e personalitetit te mosha e tretë, si dhe tregon se sa i rëndësishëm është zbulimi dhe trajtimi i problemeve të dëgjimit. Përdorimi i aparateve të dëgjimit ndikoi në lidhjen e zbuluar, ndaj përdorimi i pajisjeve të tilla duhet përkrahur. Studimet e mëparshme kanë treguar se individët e shoqërueshëm janë më të kënaqur me jetën e tyre. Supozohet se një person i shoqërueshëm reflekton pozitivitet, por gjithashtu tregon se sa e rëndësishme është t’i ndajmë me të tjerët si gëzimet ashtu edhe hidhërimet.
“Edhe pse nuk mund të arrijmë në ndonjë përfundim për lidhjet rastësore, mund të themi se lidhja midis humbjes së dëgjimit dhe tërheqja nga jeta sociale përbën një rrezik të madh për mirëqenien e të moshuarve”, – përfundon Berg.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.