Mirëqenie

May 4, 2017 | 9:20

Humbja e dëgjimit te të moshuarit prej infeksioneve të veshit dhe si trajtohet

Infeksionet kronike të veshit bëhen shkak për humbjen e dëgjimit te të moshuarit. Mjeku otorinolaringolog, Gjergji Bizhga, i cilëson këto raste edhe si rastet më të vështira për t’u trajtuar, pasi edhe vendosja e aparateve të dëgjimit është me dyshim. Por krahas infeksioneve, te kjo grupmoshë humbja e aftësisë së dëgjimit lidhet edhe me faktorin moshë.

Doctor examining patients ear in doctors office

Doctor examining patients ear in doctors office

Çka do të thotë se me kalimin e viteve, shqisa e dëgjimit fillon të dobësohet. Shkaktarë të tjerë mund të renditen, sipas doktorit, edhe përdorimi i alkoolit, duhanit, kushtet e punës, përdorimi i antibiotikëve, si edhe sëmundje të përhapura, që dëmtojnë të gjithë organizimin, siç është diabeti, sëmundje të tjera të indit nervor, hipertensioni etj.

Mjeku specialist i ORL-së, Gjergji Bizhga, ndalet edhe te metodat e trajtimit. Sipas tij, vendosja e aparateve të dëgjimit është zgjidhja e duhur paralelisht me aplikimin e një mjekimi korrekt.

“Është totalisht e gabuar ajo që dëgjojmë të thuhet se nuk kam nevojë për aparat dëgjimi. Aparati i dëgjimit sa më herët të vendoset, aq më mirë është. Nëse dëgjimi është rënduar, aparati i dëgjimit nuk i jep më efekt. Të mbash aparat dëgjimi është kulturë. Sigurisht që kjo shoqërohet edhe me mjekimin e duhur. Një ndër shkaqet e humbjes së dëgjimit është hipertensioni. Në këto kushte, pacienti duhet të mjekojë në mënyrë rigoroze sëmundjen bazë dhe më pas korrigjimin e dëgjimit me anë të vendosjes së aparatit”.

Dr.Sh.M. Gjergji Bizhga është mjek specialist ORL

Dr.Sh.M. Gjergji Bizhga është mjek specialist ORL

Humbja e aftësisë së dëgjimit mund të cilësohet një problem sa shëndetësor, aq edhe social.

Mosha e tretë mbetet më e predispozuar, cilët janë faktorët që çojnë në shurdhëri?

Humbja e aftësisë së dëgjimit përgjithësisht është një problem fiziologjik, kur bëhet fjalë për moshën e tretë. Sikundër reduktojnë apo ulin kapacitetin organet e tjera të organizimit, ashtu edhe veshi fillon që të pësojë ndryshime distrofike, atrofike që gjithmonë shoqërohen me uljen e dëgjimit deri edhe në humbjen e tij. Dëgjimi realizohet nëpërmjet organit periferik që është veshi dhe perceptimi i dëgjimit bëhet në koren e trurit. Pra, organi qendror është truri, ndërsa organi periferik është veshi. Procesi i dëgjimit realizohet nëpërmjet veshit të jashtëm, veshit të mesëm dhe veshit të brendshëm. Veshi ka dy funksione kryesore, ekuilibrin dhe dëgjimin. Në moshën e tretë, për arsye nga më të ndryshmet, kryesisht sëmundjet e kaluara që lidhen me veshin, të infeksioneve, përdorimi i antibiotikëve etj., nisin të shfaqen edhe problemet me dëgjimin. Por, krahas sëmundjeve që lidhen me veshin, janë edhe sëmundjet sistemike. Këto të fundit janë sëmundje të përhapura, që dëmtojnë të gjithë organizimin, siç është diabeti, sëmundje të tjera të indit nervor, hipertensioni etj.

Në të dyja rastet, pra kur veshi dëmtohet nga infeksionet apo nga sëmundjet sistemike, njësoj janë shqetësimet që jep?

Pavarësisht se shkaku është i ndryshëm, rezultati është i njëjtë, pasi në të dyja rastet shoqërohet me ulje dëgjimi. Por gjatë jetës, përveç infeksioneve, janë kushtet e punës. Ndikim ka edhe mënyra e jetesës, frekuentimi i ambienteve me muzikë të lartë, përdorimi i alkoolit, duhanit, apo edhe drogat.

Si dhe sa ndikon stili i jetesës te mosha e tretë?

Stili i jetesës luan rol të rëndësishëm, konkretisht nëse kanë përdorur apo jo duhan, apo medikamente të ndryshme, nëse kanë konsumuar alkool, apo edhe nëse kanë vuajtur nga sëmundje të tjera. Pra, duhet kuptuar historiku për të arritur te pasojat. Ulja e dëgjimit duhet thënë se në pjesën më të madhe të rasteve vjen si një ulje në mënyrë graduale të aftësisë së dëgjimit. Kemi të bëjmë me një fenomen krejt natyral, sikundër thinjet floku, rrudhet lëkura, ashtu fillon edhe nervi që të ulë aftësinë e tij për të transmetuar tingullin. Kjo në gjuhën mjekësore është presbiakuzia. Kurse hiperakuzia ka të bëjë me dëmtimin e nervit që vjen për një shkak të caktuar. Pra kemi dy koncepte, rënien natyrore apo fiziologjike të dëgjimit, e cila lidhet me moshën dhe fillon pas moshës 60-vjeçare dhe, nga ana tjetër, është hiperakuzia, ulja e dëgjimit që vjen prej dëmtimit të nervit të dëgjimit. Duhet theksuar se kur bëhet fjalë për ulje dëgjimi, nuk ka lidhje me moshën, sepse kjo mund të haset nga fëmijët e vegjël deri në moshat e vjetra. Ndërsa, në rastin e presbiakuzisë kemi të bëjmë me uljen progresive e dëgjimit në lidhje me uljen e funksionit të indeve dhe funksionit të organeve të tjera. Një person i moshuar ka predispozitën që të vuajë edhe nga presbiakuzia, si edhe nga pasojat që mund të vijnë prej stilit të jetesës.

Janë këto rastet më të vështira për t’u trajtuar?

Shqetësim bëhet pikërisht në këto raste, kur shoqërohet me probleme të tjera të dëgjimit. Pra te disa të moshuar që kanë pasur infeksione gjatë jetës, rënia e dëgjimit do të jetë më e madhe. Ndaj edhe këto janë rastet më të vështira për t’u trajtuar.

Cilat janë shenjat apo shqetësimet që mund të shfaqin?

Shqetësimet variojnë në varësi të uljes së dëgjimit. Ulja e dëgjimit është një sëmundje që fillon qysh në lindje e në vazhdim, dhe shenjat janë në varësi të stadit. Shenja e parë është ulja e aftësisë së dëgjimit që mund të vërehet nga vetë personi apo edhe nga të tjerët. Në shumë raste kjo perceptohet edhe si një zhurmë në vesh. Pacientët që vuajnë nga ulja e dëgjimit ankohen se mund të kenë ruajtur dëgjimin social dhe jo mprehtësinë e dëgjimit. Mprehtësia e dëgjimit është një nocion tjetër që ka të bëjë me aftësinë dëgjuese. Ndërsa dëgjimi social është aftësia komunikuese. Pacienti nis të ankohet kur fillon të humbasë aftësinë komunikuese. Dua të vë në dukje se ulja e dëgjimit nuk është atribut i moshave të treta. Personat që nuk kanë vuajtur nga veshi i kanë të gjitha probabilitetet të jenë më pak të prekur. Në vendin tonë siguria teknike në punë është gjëja më e nënvlerësuar. Është për të ardhur keq, po ashtu, se argëtimi po kthehet në vuajtje. Nuk vuan vetëm veshi, por i gjithë sistemi nervor. Kufjet të japin lodhje, por sidomos përdorimi i muzikës me intensitet të lartë është një nga shkaqet që do të çojë patjetër në shfaqjen e problemeve me dëgjimin. Për t’u ndalur te pyetja juaj, shenjat kryesore janë zhurmat në vesh. Kjo sepsegjatë periudhës që pacienti humbet dëgjimin, fillon që shumë fjalë t’i lexojë në buzët e bashkëbiseduesit. Fillon në këtë mënyrë edhe fenomeni i kompensimit. Të tjera janë: ulja e përqendrimit, hutimi, nervoziteti. Pra, përveçse është një problem shëndetësor, është edhe social. Nuk duhet të mbetemi vetëm te ankesat që paraqet personi. Që një organizëm të funksionojë duhet parë edhe ana nervore, ana psikologjike. Sigurisht çdo ngacmim i jashtëm reflektohet. Çdo sëmundje dëmton sistemin nervor, ekuilibrin e brendshëm të tij dhe këto bëjnë pastaj që edhe sëmundja të jetë më agresive.

Ka disa raste kur humbja e aftësisë së dëgjimit është e përkohshme, pra nuk është permanente. Kur ndodh kjo?

Humbje të përkohshme të aftësisë së dëgjimit kemi në rastet kur kemi të bëjmë me infeksionet, veçanërisht infeksionet e veshit të mesëm. Pra kur kemi inflamacion, pengohet tingulli për t’u transmetuar në veshin e brendshëm. Por ka edhe raste kur kemi të bëjmë me sëmundje të veshit të brendshëm, siç janë kryesisht sëmundjet që shoqërohen me marrje mendsh. Kjo është sëmundje tipike që shoqërohet me ulje dëgjimi dhe zhurmë në vesh dhe, pasi kalon ataku, sëmundja përmirësohet, duke u përmirësuar edhe dëgjimi. Ka edhe sëmundje të tjera në veshin e brendshëm, që variojnë nga shurdhësi të menjëhershme për arsye të virozave. Por pasi kalon sëmundja, përmirësohet edhe dëgjimi gradualisht.

Humbja e dëgjimit kalon nëpër disa faza, çka do të thotë që nuk është në të njëjtin intensitet. Nëse trajtimi bëhet në kohë, a mund të parandalohet?

Patjetër. I gjithë qëllimi i uljes së dëgjimit është te parandalimi. Këshilla e parë është që të bëhet një jetë e shëndetshme. Nuk është e udhës ta kërkojmë zgjidhjen në minutat e fundit, pra kur dëmi është bërë. Nëse ne nuk parandalojmë dëmin, është e vështirë të gjendet zgjidhja.

Si mund të parandalohet?

Rekomandohet një jetë e shëndetshme. Mjekimi i duhur është po ashtu çelësi. Të gjejmë doktorin e duhur dhe mjekimin e duhur për të shmangur akumulimet përgjatë viteve. “Kredit zero” në drejtim të akumulimeve. Të ndërmerren po ashtu masat teknike në rastet e profesioneve që janë të rriskuara. Ushtarakët që bëjnë qitje, p.sh., duhet të marrin masa. Po ashtu të frekuentosh ambientet me zhurmë është dhunë jo vetëm për veshin, është dhunë psikologjike dhe psikike. Muzika e lartë është mjet torture.

Jetë e shëndetshme, çfarë do të thotë?

Jeta e shëndetshme fillon që në lindje, se si je trajtuar, kujdesi që keni treguar, trajtimet që keni bërë. Nëse ke marrë masat e duhura, je ushqyer si duhet, etj.

Sa peshë ka ushqimi?

Ushqimi ka rëndësi. Sigurisht që një obez është i predispozuar për diabet. Diabeti është armiku më e madh i nervave. Nëse sëmuren nervat, sëmuret edhe nervi akustik. Pra dieta është tejet e rëndësishme, së bashku me sportin dhe me aktivitete të tjera jetësore.

Po moshës së tretë, çfarë do t’i këshillonit?

Këshilla më e mirë është që të edukojnë brezat e rinj që të mos bëjnë gabimet që kanë bërë ata. Ndërsa për ata vetë mbeten trajtimet paliative, lehtësuese, që aplikohen. Një arritje e madhe është përdorimi i aparateve të dëgjimit. Është një metodë moderne mjekimi që këtyre njerëzve u kthen dëgjimin në përqindje më të madhe, u kthen harmoninë, jetën sociale, vetëbesimin.

Aparatet e dëgjimit janë zgjidhja e fundit apo zgjidhja e parë?

Varet nga shkalla e uljes së dëgjimit. Kemi ulje dëgjimi të lehta që variojnë në 10 deri në 20 decibelë. Kemi ulje dëgjimi të moderuara (30-40-50 decibelë), kemi ulje të rënda (70-80 decibelë), dhe shumë të rënda, që janë mbi 80 decibelë. Ato mund të konsiderohen pastaj shurdhëri. Aparati i dëgjimit ka limitet e tij. Nëse ulja e dëgjimit i kalon 80 decibelë në më shumë se 3 frekuenca, atëherë është i vështirë që të japë efekt aparati i dëgjimit. Sepse aparati i dëgjimit në këto raste përforcon jo vetëm dëgjimin, por edhe zhurmën. Është totalisht e gabuar ajo që dëgjojmë të thuhet se nuk kam nevojë për aparat dëgjimi. Aparati i dëgjimit, sa më herët të vendoset, aq më mirë është. Nëse dëgjimi është rënduar, aparati i dëgjimit nuk i jep më efekt. Të mbash aparat dëgjimi është kulturë. Sigurisht që kjo shoqërohet edhe me mjekimin e duhur. Një ndër shkaqet e humbjes së dëgjimit është hipertensioni. Në këto kushte pacienti duhet të mjekojë në mënyrë rigoroze sëmundjen bazë dhe më pas korrigjimin e dëgjimit me anë të vendosjes së aparatit. Nëse kemi të bëjmë pastaj me një dëmtim të veshit të mesëm, duhet patjetër ndë- rhyrje. Pra duhet harmonizuar. Në raport me problemet që paraqet, duhet bërë edhe zgjidhja. Zgjidhja mund të jetë ndërhyrje kirurgjikale, trajtim mjekësor, apo vendosje të një proteze akustike. Por ekziston mundësia që të jenë edhe të tria bashkë.

Ju keni një përvojë të gjatë pune, çfarë hasni më shpesh te mosha e tretë?

Është ulja e dëgjimit si pasojë e infeksioneve kronike në vesh. Këto janë të vështira edhe për t’u korrigjuar, por janë rastet më të shpeshta. Në këto raste është me dyshim edhe vendosja e aparateve të dëgjimit. Kurse format më të lehta që kanë rënie dëgjimi si pasojë e moshës janë më beninje, më të lehta për t’u trajtuar. Kurimi i sëmundjes bazë dhe korrigjimi i dëgjimit me aparat është mënyra e duhur që do të sugjeroja./Panorama/

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top