Shpesh në rrugë apo në mjediset e shkollave hasen grupe fëmijësh, që kanë vënë në mes një nga shokët dhe e fyejnë apo godasin. Për çudi, asnjë i rritur nuk ndërhyn. Kalojnë pranë tyre indiferent apo të bezdisur dhe nuk u shkon në mendje, që e kanë për detyrë të ndërhyjnë për të mbrojtur fëmijën që po keqtrajtohet, por edhe fëmijët që po keqtrajtojnë, sepse janë përfshirë në një “lojë” të dyshimtë, që u vret të mirën.
Është një numër femijësh që janë të ndrojtur, apo ndihen inferior ndaj shokëve të tyre dhe shpesh bëhen pre e fyerjeve dhe e talljeve, e deri e dhunës fizike.
Fëmijët, këtë trajtim të shokut apo shoqes së tyre, në përgjithësi e përftojnë si lojë. Por të rriturit pranë tyre, prindër apo edukatorë, duhet të jenë të vëmëndëshëm dhe ta ndalojnë. Ata me durim duhet t’u flasin fëmijëve për të mirën dhe të keqen dhe pse kjo lojë është e keqe. Të rriturit duhet të ndërhyjnë duke i thënë fëmijëve:
- “Nuk ju detyron njeri ta doni shokun apo shoqen, por jeni të detyruar të respektoni dhe të mos fyeni tjetrin”.
- “Këto veprime nuk mund dhe nuk duhet t’i bëni.”
- “Ky veprim është i ndaluar sepse i bëni keq si tjetrit, po ashtu edhe vetes tuaj”.
- “Ju me këtë veprim zhvilloni të keqen.”
- “Po sikur të ishit ju në vendin e shokut apo shoqes suaj, si do të ndiheshit?”
Ka raste që fëmijët thonë:”po mua nuk mund të ma bëjnë!”
I rrituri me qetësi, duhet të shpjegojë se asnjë nuk është aq “i fortë” dhe nuk duhet të jetë aq i fortë sa të mendojë si të bëjë keq. Sepse kur tallemi me tjetrin në fakt mendojmë të keqen. Gjithashtu këto mënyra të sjelluri tregojnë vetm frikë të madhe dhe paaftësi për të njohur të mirën. I rrituri nuk duhet të rrijë indiferent përpara situatash të tilla. E ka për detyrë të mos jetë indiferent ndaj të keqes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.